Programi për Zhvillimin i Kombeve të Bashkuara, në kuadër të projektit “Përmirësimi i mbulimit dhe menaxhimit efektiv të zonave të mbrojtura detare dhe bregdetare në Shqipëri-Faza II”, ka realizuar monitorimin e cilësisë së ekosistemit dhe modelimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike në habitatet detare.
Për herë të parë është bërë monitorimi i temperaturave të ujit në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, si edhe në zonat përreth tij, në disa thellësi: -5 metra, -12 metra dhe -25 metra. Matjet u bënë në 10 stacione të shpërndara të parkut detar.
Ky monitorim, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është realizuar në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Zhytjes, në koordinim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë si dhe autoritetet përkatëse.
Si rezultat është krijuar për herë të parë një model dinamik i temperaturave të kolonës ujore në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan dhe në territoret përreth tij, i cili do të shërbejë si bazë për vlerësimin e impakteve të ndryshimeve klimatike në të ardhmen.
Përballja me ndryshimet klimatike kërkon angazhim në disa nivele për të analizuar shkallën e ndikimit të tyre në mjedis si edhe për të marrë masa për minimizimin e ndikimeve negative.
Ky projekt ka mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim si dhe të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.