Mariupol po evakuohet si pjesë e një armëpushimi të përkohshëm. Diana Berg, një prej qytetareve që është larguar prej qytetit që të enjten ka rrëfyer dramën e madhe për BBC. Ajo e përshkroi përvojën e saj të jashtëzakonshme të arratisjes si një “ferr i tmerrshëm”.
“Granatimet ishin të vazhdueshme” tha ajo për programin Today të Radio 4. Ajo pohoi se në qytetin e saj gjithçka ishte shkatërruar nga granatat, që nga kopshtet deri te spitalet.
“Energjia elektrike është ndërprerë, do të thotë se nuk ka ngrohje, ujë të rrjedhshëm, apo lidhje interneti dhe nuk ka karburant në pompat e benzinës. Njerëzit janë lënë në ndërtesa të ftohta dhe të errëta. Kur ka një bllokadë totale, ndërprerje totale, nuk mund ta dini se çfarë po ndodh”, shtoi refugjatja.
Largimi nga qyteti për të ishte një “mision vetëvrasës”, ndërsa shton se; “Është një mrekulli që ne jemi gjallë.” Ajo dhe burri i saj u arratisën me makinë, gjatë gjithë kohës duke menduar se do të pushkatoheshin ose burgoseshin. Gjatë daljes, ata u ndeshën me dy rreshta të forcave ruse.
Ata panë makina ruse – “jo tanke, por makina të mëdha të armatosura luftarake” – duke kaluar rrugët për të shkuar në fusha. “Ne thjesht u shtrënguam të dy dhe ecëm me makinë, dhe rusët na drejtuan armët, por nuk na qëlluan”, tha ajo, ndërsa frika i lexohej ende në sy. “Mariupol ishte një simbol i rezistencës… ishte një shenjë se si Ukraina nuk po dorëzohet,” shton Diana.
“Rusët nuk duan ta pushtojnë atë. Ata nuk duan që Mariupol të dorëzohet. Ata thjesht duan që ajo të vdesë”, përfundoi rrëfimin e saj Diana.