Ministri i Mbrojtjes i Türkiyes, Yaşar Güler, tha se vendi i tij po përpiqet të vendosë paqe të qëndrueshme dhe të mbështesë kombin-vëlla Azerbajxhanin, duke i dhënë përparësi stabilitetit në Kaukaz, raporton Anadolu.
“Ne i kushtojmë rëndësi të madhe stabilitetit në Kaukaz. Ne po bëjmë përpjekje të rëndësishme për të vendosur paqen e qëndrueshme në rajon dhe vazhdojmë të mbështesim kombin tonë vëllazëror Azerbajxhanin në kuptimin ‘një komb, dy shtete’”, tha Güler në një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare me shënimin e 19 Shtatorit, Ditës së Veteranëve.
Në fjalimin e tij, ministri Güler tha se Türkiye do të vazhdojë të kontribuojë për paqen rajonale dhe globale në shumë rajone.
“Ne po vazhdojmë përpjekjet tona konstruktive për të riaktivizuar marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi”, shtoi ai, duke iu referuar marrëveshjes së arritur verën e kaluar për të mundësuar eksportet e grurit nga Ukraina pavarësisht luftës së vazhdueshme, nga e cila Rusia u tërhoq në korrik.
Güler gjithashtu tha se Türkiye po vazhdon përpjekjet e saj për të ruajtur atmosferën e favorshme me Greqinë që ka nxitur vitet e fundit.
“Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër terrorizmit me të njëjtën vendosmëri dhe angazhim të palëkundur siç kemi bërë deri më tani, pa bërë asnjë lëshim”, theksoi ai.