Në kuadër të vizitave të të gjitha institucioneve shëndetësore të Kosovës dhe të gjitha njësive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, ka vizituar Klinikën e Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe të Rekonstruktimit, me ç’rast u takua me stafin kirugjik.
Sipas MSh-së, nga katërmbëdhjetë qendrat klinike të ekselencës, gjashtë janë drejtpërdrejtë të lidhura me këto dy klinika, nga të cilat do të trajnohen kirurgë të rinj apo kirurgët e tashëm, të cilët dëshirojnë të profilizohen më tej në fusha të ndryshme, për të udhëhequr dhe punuar në këto qendra.
Ministri Latifi, veçoi se këto qendra janë ajo e traumës, e krirugjisë akute, e emergjencës, e djegieve dhe plagëve akute dhe kronike, qendra e integruar e shëndetit të gjirit, qendra e integruar onkologjike, qendra e kirurgjisë minimale dhe laparoskopike, dhe ajo e simulimit dhe edukimit teknonologjik, së bashku me laboratorin.
“Të gjitha këto qendra kërkojnë investime të reja , por më se shumti riorganizim dhe manaxhim të ri, dhe dedikim të stafit dhe të menaxhmentit, drejtë krjimit të qendrave ekselente. Secila nga këto qendra kërkojnë edhe trajnim të ri, të strukturuar të stafit kirurgjik dhe specializime të reja, të cilat do fillojnë gjatë kësaj vjeshte, dhe do të bëhen në mënyrë të rregullt vjetore, e jo në mënyrë sporadike dhe ad-hok”, tha në takim ministri Latifi.
Ministri Latifi kërkoi ndihmë nga të gjithë krirugët, që janë shtyllat kryesore e çdo sistemi shëndetësor dhe potencoi se “vetëm me involvimin e tyre personal dhe angazhimin serioz e vizion të qartë të përgjithshëm për qeversisje të mirë për shëndetësi, ku në qendër të vëmendjes është pacienti, por edhe mirëqenia e gjithë personelit shëndetësor, ne do ta transformojmë shëndetësinë e Kosovës”.
Ministri Latifi, dhe të gjithë kirugët kërkuan edhe ndryshime tjera organizative në QKUK, që tash e disa vite nuk ka udhëheqje të veçantë, por udhëhiqet nga drejtoria e SHSKUK-së.
“Si institucioni më i rëndësishëm shëndetësor në Kosovë dhe i vetmi terciar, nuk është shumë e qartë se si kjo ka mbetur pa udhëheqje të dedikuar dhe profesionale” theksoi ai, por shtoi se kjo “do të ndryshojë shumë shpejt, me ç’rast edhe konsolidimi i disa klinikave sikur janë ato krirugjike e të tjera, do të bëhen me ndryshime të reja në statusin që është duke u përpunuar të SHSKUK dhe të QKUK nga grupet punuese”.
Po ashtu, në këtë takim u diskutuan edhe aspekte tjera, sikurse sigurimet shëndetësore, fondi i sigurimit, gjetja e solucioneve kreative të një partneriti më të mirë, etj.
Më pastaj ministri Latifi vizitoi disa pacientë në kirugjinë plastike dhe disa fëmijë që kishin pësuar djegie, dhe të gjithë ishin në gjendje të mirë. Me këtë rast, ai përgëzoi stafin kirurgjik dhe të infermirerëve për punën e tyre.
Të gjithë kirurgët u shprehën se janë të gatshëm për bashkëpunim të ngushtë për transformimin e sistemit shëndetësor, sipas kësaj strategjie, e po ashtu edhe kthimin e dinjitetit të dikurshëm të kirurgjisë kosovare.