Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka vizituar Komunën e Obiliqit, me ç’rast është pritur në takim nga Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi.
Kështu bëhet e ditur në një njoftim nga kjo ministri, ku mes tjerash thuhet se është diskutuar për mbarëvajtjen e punimeve në projektet komunale të cilat janë financuar nga MAPL, rritjen e mbështetjes ndaj grupeve të margjinalizuara dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
“Ministri Krasniqi dhe Kryetari Gashi, vizituan dy projektet e financuara nga MAPL në fshatin Plemetin, projektin për ndërtimin e trotuarit dhe ndriçimit e fshatit dhe projektin për rehabilitimin e infrastrukturës fizike tek komunitetet Egjiptian, Ashkali dhe Rom.
MAPL, do të vazhdoj të mbështes projekte kapitale dhe infrastrukturore në Komunat e Republikës së Kosovës në mënyrë që të avancohet zhvillimi ekonomik lokal dhe të ofrohen shërbime më cilësore për qytetarët”, thuhet në njoftimin e MAPL-së.