Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius të martën mbërriti në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev në një vizitë të papritur, transmeton Anadolu.
“Ministri (Boris) Pistorius udhëtoi në Ukrainë për të parë nga afër situatën aktuale dhe efektivitetin e mbështetjes gjermane”, thuhet në deklaratën e Ministrisë gjermane të Mbrojtjes në X.
Në deklaratë thuhet se Pistorius e filloi vizitën e tij duke vendosur lule në memorialin kushtuar Revolucionit Maidan.
Ende nuk janë publikuar detaje të tjera rreth vizitës.
Vizita e ministrit gjerman përkon me Ditën e Dinjitetit dhe Lirisë së Ukrainës, e cila përkujton Revolucionin Portokalli, kur në vend u mbajtën protesta mbarëkombëtare kundër akuzave për mashtrime zgjedhore gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004 dhe Revolucionin Maidan, protesta masive që çuan në përmbysjen e sundimtarit pro-rus të asaj kohe, presidenti Viktor Janukoviç.
Një ditë më parë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin zhvilloi vizitë të paparalajmëruar në Kiev, teksa zhvilloi bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe homologun e tij ukrainas Rustem Umerov.