Pasi dështoi të sjellë në Milano Sven Botman, Milani është vënë në kërkim të një tjetër qendërmbrojtësi, për të kompletuar repartin defensiv, teksa burime pranë klubit kuqezi zbulojnë edhe kandidaturat e mundshme.
Kështu një nga alternativat është mbrojtësi i përfaqësueses italiane, Francesco Acerbi, i cili pritet të lërë Lazion këtë verë dhe te Milani do ta mirëprisnin, pasi ofron eksperiencë në prapavijë, pavarësisht 33 viteve mbi supe.
Krahas Acerbit, një alternativë mbetet edhe Theate i Bolognës, por në këtë rast ka dyshime edhe për eksperiencën e tij, edhe për çmimin, pasi Bologna pretendon të paktën 20 milionë euro, shifër e konsideruar e lartë nga drejtuesit e Milanit.
Në fund nuk përjashtohet edhe hapja e negociatave për rinovim me kapitenin Alessio Romagnoli. Këtij të fundit i përfundoi kontrata me Milanin dhe është lojtar i lirë, por deri tani nuk ka gjetur ende skuadër.
Oferta e kuqezinjve në vjeshtën e kaluar ishte rinovimi me pagë 2.8 milionë euro në sezon, shifër e refuzuar menjëherë nga Romagnoli, megjithatë në kushtet aktuale Maldini mund të rritë ofertën deri në 3.5 milionë euro, për të mbajtur kapitenin edhe të paktën 4 sezone të tjera në Milano.