Gjiganti italian, Milani, është një nga klubet që i është futur garës për transferimin e sulmuesit Armando Broja nga Chelsea dhe ky lajm është dhënë nga mediumi kuqezi, “Milan News”.
Duke e përshkruar atë si një sulmues modern që kombinon një fizik të fuqishëm me teknikën e mirë në top, mediumi në fjalë raporton se kampioni në fuqi i Italisë tashmë ka nisur ta hartojë strategjinë për transferimin e tij.
Verën e kaluar shqiptari u vu në shënjestër të disa klubeve, përfshirë West Ham United, Real Madridin, Napolin dhe Newcastle United. Ekipi që ishte më afër nënshkrimit të tij ishin “Hammers” për një shifër afër 40 milionë euro, por marrëveshja nuk u realizua në fund.
Në fund të verës, Broja rinovoi me Chelsean deri në vitin 2028, pavarësisht zgjedhjes së “Bluve” për të nënshkruar me ish-lojtarin e Milanit, Pierre-Emerick Aubameyang, pasi Broja është i bindur se mund të luftojë për një vend në formacionin titullar.
Për momentin gjërat nuk po shkojnë siç i kishte imagjinuar për lojtarin, me vetëm gjashtë paraqitje në Premier Ligë dhe Ligën e Kampionëve dhe asnjë gol të shënuar, në vetëm 124 minuta lojë. Ardhja e trajnerit të ri Graham Potter mund të ndryshojë gjërat, por nëse jo atëherë Broja mund të kërkojë të largohet.
Raporti shton se Milani është duke e ndjekur atë nga afër për momentin, edhe pse ende nuk ka pasur asnjë lloj kontakti zyrtar për momentin, me një çmim prej rreth 30 milionë euro të kërkuar nga skuadra angleze.
Një tentativë nga Milani mund të bëhet në merkaton e janarit, por qëllimi kryesor për transferimin e tij në Itali mund të jetë për verën e vitit 2023.