“Kuqezinjtë” nisin merkaton, Milan konfirmon afrimin e mesfushorit japonez!
Fitorja minimale 0:1, në “Allianz Stadium” ndaj Juventus i dhuroi Milan, një biletë për në fazën e grupeve të UEFA Champions League dhe me llogaritë tashmë të përfunduar për çdo kompeticion bordi i “kuqezinjve” tashmë ka nisur përgatitjet e para për merkaton e verës, teksa mbrëmjen e djeshme kanë arritur dhe akordin e parë për këtë verë.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, “djajtë” e Milanos kanë arritur akordin me japonezin e Eintracht Frankfurt, Daichi Kamada si një lojtar i lirë, me 26-vjeçarin, të cilit i përfundon kontrata aktuale me “shqiponjat” gjermane më 1 korrik dhe mësohet se ka firmosur për një kontratë 5-vjeçare me 3 milionë euro pagë në sezon.
Ndërkaq, përveç “samurait” japonez, bordi i Milan vazhdon të “peshkojë” lojtarë të cilët janë në fundin e kontratave aktuale e ndër ta është dhe “arkitekti” belg i mesfuhës, Youri Tielemans, me 27-vjeçarin që është në prag të skadencës së kontratës së tij me “dhelprat” e Leicester dhe me këta të fundit tashmë të rënë në Championship, duket se transferimi i Tielemans në “San Siro” do të jetë edhe më i thjeshtë.