Kur Mikhail Khodorkovsky ishte një djalë i ri në Bashkimin Sovjetik, i kalonte pushimet e verës me stërgjyshen e tij në Kharkiv. “Kjo gjë ka ndodhur kohë më parë, dhe unë mendoja se i kisha harruar gjithë ato vite. Por kur pashë pamjet e bombardimeve në Kharkiv dhe kur pashë njerëzit e strehuar në metronë e qytetit, gjithçka brenda meje u përmbys”- tregon ai.
Khodorkovsky, dikur njeriu më i pasur i Rusisë dhe tani një nga disidentët e saj të shquar, nuk është një tip emocional. Nëse do të ishte i tillë, me siguri që nuk do të kishte pasur sukses në privatizimet kaotike që nxiti Perëndimi gjatë viteve 1990. Ndoshta ai nuk do t’i mbijetonte as dekadës që kaloi në burg, dhe që e shndërroi në një simbol të opozitës ndaj Vladimir Putinit.
Personalisht nuk është aspak sentimental. I përfundon reflektimet mbi Ukrainën me buzëqeshje të çuditshme. “Sensi i errët i humorit dhe sarkazma janë tiparet e mia të jashtëzakonshme. Kjo është arsyeja pse më pëlqejnë britanikët”- thotë Khordokovsky, sot 58 vjeç, që jeton në Londër me bashkëshorten e tij që nga viti 2015.
Gjithsesi, lufta në Ukrainë e ka tronditur. Kur filloi, ai e kishte të vështirë të flinte natën. Tani kritikon Perëndimin se nuk po e kupton se çfarë është në rrezik. “Në rast se nuk arrijmë të përballemi me këtë murtajë në Ukrainë, atëherë do të na duhet të përballemi me të në territore të tjera”- thotë ai përmes një përkthyesi.
“Hapi i ardhshëm i Kremlinit do të jetë bllokada ajrore e Lituanisë. Ai do të urdhërojë aviacionin rus të fluturojë direkt midis Rusisë dhe Kaliningradit. Atëherë NATO do të përballet me një dilemë se çfarë duhet të bëjë. “Jam i sigurt se në fund Putini do të humbasë. Nëse ai fiton tani në Ukrainë, për shkak të problemeve të brendshme, do të nisë një luftë me NATO-n.
Dhe në fund do ta humbasë atë luftë. Po të mos kishte kaq shumë viktima, do të kisha thënë se në fakt jam shumë i lumtur, pasi ai i ka hyrë një rruge që do të çojë në vdekjen e tij. Por kjo fitore specifike në Ukrainë varet tërësisht nga Perëndimi”.
Nëse Perëndimi dështon tani, ai mund të përballet me një “kufi shumë të gjatë dhe të tensionuar në Evropë, 2500 km të gjatë”. Khodorkovsky kundërshton të gjithë ata, përfshirë Henry Kissinger, që bëjnë thirrje për lëshime ndaj Putinit. “Me gjithë respektin që kam për Henry Kissinger, them se ai e sheh Putinin të ngjashëm më Leonid Brezhnev. . .Por Brezhnev nuk ishte gangster. Së dyti, Brezhnev luftoi në Luftën e Dytë Botërore. Ai dhe njerëzit përreth tij, e kuptuan se lufta është gjëja më e keqe. Putini nuk ka luftuar ndonjëherë në jetën e tij. Ai nuk e kupton se si janë luftërat. Ai i kupton lojërat kompjuterike dhe luftërat në laptop.
Kissinger nuk e kupton që nuk mund të gjesh gjuhën e përbashkët me një gangster kur flet nga një pozicion dobësie. Ai nuk e kupton se për Putinin, kjo luftë është thjesht një mënyrë normale për të rritur popullaritetin e tij në Rusi. Ai ka nisur 4 herë luftëra të tilla”- thekson ish-manjati rus.
Një pyetje endet vazhdimisht në kokën time: A ka ndryshuar Khodorkovsky? Në vitet 1990, ai bleu me çmim të lirë aksione kompanish nga rusët e zakonshëm, dhe më vonë nëpërmjet skemave manipulative të dhënies së kredive në këmbim të aksioneve, i shiti ato me një çmim më të lartë.
Në moshën 40-vjeçare, ai ishte njeriu më i pasur i Rusisë. Donte t’i shiste kompanisë amerikane “Exxon Mobil” një pjesë të kompanisë së tij të naftës “Yukos”. Ai u përfshi në politikë, duke e akuzuar Putnin për korrupsion gjatë një debati televiziv. Të dyja lëvizjet e zemëruan presidentin rus.
Khodorkovsky u burgos për evazion fiskal dhe mashtrim. Ai u fal pak para Olimpiadës së Soçit të vitit 2014, kur Putin kujdesej ende për imazhin e tij global. Që atëherë jeton në mërgim. Po si e ndryshuan vitet e burgut? “Leksioni më i rëndësishëm ishte mos-nxitimi. Në biznes, ke gjithnjë përshtypjen se je i vonuar në kohë. Sikur të duhet ta marrësh vendimin tani, përndryshe gjithçka më vonë do të jetë e tmerrshme.
Por kur je në burg i mëson një javë më vonë gjërat që ndodhin jashtë. Dhe merr një vendim, që do t’u transmetohet njerëzve vetëm një javë ose ndoshta një muaj më vonë. Papritur e kupton se për shkak të saj, nuk ka ndodhur asgjë e keqe”.
Oligarkët e tjerë mësuan një leksion tjetër: mos e kundërshto Putinin. A e kupton pse Roman Abramovich dhe të tjerët mendojnë se nuk munden të flasin? “Ju në Perëndim Abramovich-in dhe të tjerët i quani oligarkë. Unë i shoh ata si agjentë të Putinit, as më shumë dhe as më pak”– shprehet Khodorkovsky.
Sipas tij oligarkët mund të mos kenë ndikim mbi Putinin, por “ata kanë shumë mekanizma në duart e tyre për të ndikuar në opinionin publik dhe politikën në Perëndim, dhe kjo është arsyeja pse Putini ka interes t’i përdorë ata si një mjet ndikimi”.
Khodorkovsky është kundër një embargoje të BE-së për naftën ruse, duke argumentuar se rruga më e mirë do të ishte vendosja e taksave të larta, pasi ato nuk do ta rrisin aq shumë çmimet e naftës. Por ai nuk mendon se kjo është një kohë e artë për kompanitë ruse të naftës. “Embargoja ndaj transferimit të teknologjive, ka një ndikim serioz në koston e prodhimit të naftës, e cila ushqehet me paratë që ka qeveria ruse, përfshirë financimin e luftës”- shton ai.
Pas daljes nga burgu, Khodorkovsky u zotua të mos përfshihej në politikë, por shumë shpejt nisi të sponsorizojë nismat civile dhe kandidatët e opozitës. “Unë jam i sigurt që Putin është penduar për vendimin e tij për ta liruar nga burgu para kohe!”– mendon ai. Në fakt në vitin 2015, Khodorkovsky u akuzua në Rusi për organizimin e vrasjes në vitin 1998 të një kryebashkiaku në Siberi, një akuzë që shihet si e motivuar politikisht.
Pse e ka braktisur përpjekjen për të ndërtuar një opozitë ruse të fortë? “A keni dëgjuar për ekzistencën e një opozite të fortë në një diktaturë? Rusët vuajnë nga Sindromën e Stokholmit”- mendon Khodorkovsky. Por nga ana tjetër ai sheh edhe shenja të brishtësisë së Putinit, sidomos tek dështimi për të shpallur një mobilizim të përgjithshëm për luftën në Ukrainë.
Në fund, ai beson se e ardhmja e Rusisë do të vendoset siç ka ndodhur gjithmonë. “Ndryshimi i regjimit në Rusinë e sotme mund të ndodhë vetëm përmes forcës. Këtë mund tëkryejë rrethi i ngushtë pranë Putinit, ushtria ose vetë shoqëria ruse. . . Kjo është një arsye tjetër pse Putin dhe diktatori bjellorus Lukashenko nuk guxojnë që t’i armatosin njerëzit. Volodymyr Zelenskyy nuk kishte vërtet frikë nga populli i tij dhe ai u shpërndau armë. Nëse Putini shpërndan 40 mijë kallashnikovë në Moskë, ai nuk do të jetë më gjallë të nesërmen”- nënvizon ai.
Ai beson se Rusia mund të jetë një ditë një vend normal evropian. “Nuk ka ndodhur asgjë për ta shkatërruar këtë ide. Rusia është pjesë e Evropës. Fakti që Gjermania kishte në krye Hitlerin nuk e shndërroi atë në një vend joevropian… Putini po përpiqet ta kthejë Rusinë drejt lindjes, por kjo nuk mund të realizohet brenda jetës së një njeriu”– deklaron ish-manjati.