Mijëra punonjës sindikatash të Argjentinës marshuan sot në kryeqytetin Buenos Aires duke protestuar ndaj shkeljes së të drejtave të tyre dhe kundër politikave të shtrëngimit ekonomik të presidentit të ri radikal Milei.
Emblemat e sindikatave kryesore të Argjentinës shiheshin në flamurët e punonjësve protestues, me të cilët ishin bashkuar grupe e parti të majta në sheshin kryesor Plaza de Mayo, thane mediat vendase.
Protestat vijnë një ditë pasi parlamenti kaloi një tjetër ligj të kontestuar ekonomik të presidentit Javier Milei për reformat e punës, duke shtuar të drejtat e punëdhënësve dhe reduktuar ato të punonjësve.
“Asnjë nga nenet nuk është në favor të punonjësve,” tha deputeti sindikalist Sergio Palazzo në sesionin e të martës.
Sot policia kishte ndaluar trafikun në zonat qendrore të kryeqytetit si Plaza de Mayo dhe bulevardet Belgrano, San Juan, Bernardo de Irigoyen e Paseo Colón.
Me sloganin “atdheu nuk është për shitje,” sindikatat njoftuan gjithashtu grevë të përgjithshme më 9 maj, në ditën e pavarësisë së Argjentinës.
Në një deklaratë të sindikatës CGT dënoheshin politikat ekonomike të administratës Javier Milei që me anë të “liberalizimit të tregut” po shuante të drejtat e punonjësve duke lënë barrën e rëndë familjeve të varfra.
“Ne po kalojmë një moment të rëndë si vend dhe si shoqëri. Qeveria kombëtare në emër të keqkuptimit për ‘tregun e lirë’ ka nisur një plan brutal kursimesh që prekin pjesën me të ardhura më të pakta të popullsisë, klasën e mesme dhe pensionistët”, thuhej në dokumentin e tyre.
Deklarata përshkruante qeverinë e Milei si një administratë “pa dialog shoqëror” dhe që “nuk ka program të qëndrueshëm ekonomik për të ardhmen”.