Shkup, 23 dhjetor – Lideri i VMRO-së, Hristijan Mickovski, ka zgjedhur të përdorë kartën e nacionalizmit për të garuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse do të mbahen të rregullta apo të parakohshme. Ai po kërkon 61 deputet që partia e tij të jetë faktori kryesor në shtet, e më shumë se kaq të de-faktorizoj ndikimin e partive politike shqiptare të cilët do të jenë në bashkëqeverisje në rast të një fitoreje nga kjo parti. Ndërkaq, nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja planifikon që në listat e ardhshme për deputetë të ketë edhe kandidatë shqiptarë, por pa parullën e “veteranit politik”, Zoran Zaev, “shoqëri për të gjithë”. Por, kjo mbase mund të mbetet vetëm kështu si është dëshirë e zjarrtë e Mickovskit, sepse në realitet nuk mund të ndodhë ky skenarë asnjëherë pasi shqiptarët janë popull shtetformues dhe pa shqiptarët nuk mund të ketë Qeveri, shkruan Zhurnal.
Mickovski po kërkon shumicë mbi 61 deputetë në zgjedhjet e ardhshme-
Lideri i VMRO-DPMNE-së, ka përforcuar retorikën e tij nacionaliste edhe pse në të njëjtën kohë deklarohet se shpreson në votat e shqiptarëve. Ai javë më parë në një ngjarje partiake në komunën e Gjorçe Petrovit, para qytetarëve dhe bashkëpartiakëve të tij, ka thënë se VMRO-DPMNE është fitues absolut në zgjedhjet e ardhshme parlamentare por ka kërkuar që të fitohen sa më tepër mandate të deputetëve, me qëllim që të “mos ketë nevojë për shqiptarët”, të formojë Qeveri pa shqiptarët gjë që është pamundur për faktin se shqiptarët janë popull shtetformues, dhe pa shqiptarët nuk mund të ketë Qeveri.
“Nëse dikush ka dilema nëse VMRO-DPMNE do të fitojë, ju lutem mos keni dilema, VMRO-DPMNE sigurisht se do të fitojë. Por pse kjo është një fitore e rëndësishme me numër më të madh të deputetëve? Pse them 61 deputetë dhe shumicë në Parlament? Sepse sot ne jetojmë nën një aparthejd të dyfishtë. Sepse Maqedonia e Veriut dhe qeveria e Maqedonisë së Veriut e udhëhiqet nga pakica. E udhëheqë partia pakicë e popullit pakicë, e ajo është BDI. Nga ana tjetër, partneri i tyre i koalicionit dhe partia pakicë maqedonase LSDM. Për këtë them se ne jemi në një aparthejd të dyfishtë dhe për këtë them se neve na duhen 61 deputetë”, ka thënë Mickovski.
Këto qëndrime të Mickovskit padyshim se janë të ngjashme me deklaratat e paraardhësit të tij, Nikolla Gruevski i cili gjithashtu kërkonte të mbledhë mbi 60 deputetë që të mos ndikohet nga blloku shqiptar.
VMRO-DPMNE po përgatitet për zgjedhje por me qasje të gabuar sërish me kartën e nacionalizmit-
Të përgatitesh për zgjedhje të parakohshme ose të rregullta parlamentare me një diskurs të nacionalizmit se do të bësh Qeveri vetëm me 61 deputet të VMRO-së, nënkupton që ende votuesin maqedonas e konsideron “dele” që hanë barë, sepse i madh e i vogël i moshuar e i ri e dinë të gjithë se pa shqiptarët nuk mund të ketë Qeveri.
Ndonëse, koncepti i njohur “shoqëri për të gjithë” i dështoi Zaevit dhe LSDM-së, pasi për shoqërinë maqedonase Zaev u shpall “tradhtar”, ndërkaq për shoqërinë shqiptare u shpall “mashtrues”, që vetëm shfrytëzoi votat shqiptare për të ardhur në pushtet, sërish trajtimi i shqiptarëve nga institucionet e vendit ishte po i ngjashëm me atë të qeverisjes së Gruevskit.
Por ky koncept i cili rezultoi të jetë i suksesshëm vetëm për një palë zgjedhjesh e që i shkaktoi edhe pensionim politik para kohe ish kryeministrit Zaev, por si duket do të përdoret po e njëjta formulë edhe nga Mickovski, sidomos pas lajmit që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare siç po kërkojnë nga kjo parti të jenë të parakohshme do të ketë edhe kandidat shqiptarë. Megjithatë, shqiptarët janë vetëdijesuar nga mashtrimi që e kishin e pësuar, ata kërkonin një politik pa dallim etnie që e bënë të “banueshëm” këtë vend, por edhe me qeverisjen e “shpëtimtarit” Zaev, ikja e të rinjve nuk kishte të ndaluar veçse shtohej më shumë.
Ndryshe, tani jemi në rrethana tjera që një koncept ti tillë u provua e u besua nga shqiptarët me çka ia mundësuan marrjen e pushtetit LSDM-së, por që në fund u zhgënjyen e u dëshpëruan shqiptarët, pa çka se edhe nga VMRO-ja do të ketë kandidatë që flasin shqip, shqiptarët nuk do të bëjnë gabimin e njëjtë. Sepse, kishin edhe deputetet shqiptarë nga LSDM-ja atë kohë shpëtimtarë, por gjendja nuk ndryshoi pothuajse fare.
Mickovskit po i pengon udhëheqja e institucioneve nga shqiptarët –
Kujtojmë që, Mickovski duke iu referuar ndikimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, lidhur me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare tha se kjo nuk varet nga askush tjetër përveç marrëveshjes së tij me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Ndërkaq, Kovaçevski nuk mund të ishte kryeministër pa miratimin e BDI-së.
Mes tjerash ai thotë që e ardhmja e vendit duhet vetëm ta ndërrojë selinë nga BDI-ja të varet prej VMRO-së, harron që qytetarët janë ata që e kanë të ardhmen e vendit në dorë. Qytetarët të bëjnë kryeministër qytetarët të bëjnë azilant.
“Të ardhmen e Maqedonisë sonë do ta krijojmë në bazë të nevojave të qytetarëve. Prandaj kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse nuk do të lejojmë që në Reçicë të Vogël të krijohet e ardhmja. Jam i sigurt se në zgjedhje do t’i fitojmë 61 deputetë”, ka thënë Hristijan Mickovski, lider i VMRO-së në emisionin “Top Tema”, muaj më parë.
Por, e ardhmja e vendit krijohet në Kuvend, as në Reçicë e as në seli të VMRO-së, Kuvendi është vendi në themelet e të cilit është Kushtetuta e vendit. Nuk mund të jesh mbi Kuvend nëse nuk shkel mbi Kushtetutë, e nëse e shkel Kushtetutën përfundimi i secilit mund të jetë në burgjet e vendit ose azilet e Hungarisë. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk