Komente dhe vërejtje të ashpra nga kryeministri Mickoski për vendimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar për ndërprerjen e procedurës për prokurimin e spitaleve modulare. Për këtë proces, i cili zgjat prej 5 vitesh dhe në të cilin humbën jetën 14 persona, ai tha se, megjithatë, edhe pse rasti është mbyllur nga Prokuroria e drejtuar nga Islam Abazi, ai mund të rihapet.
“Kjo nuk është amnisti politike nga ana e atij prokurori ndaj ish-urdhërdhënësve të tij, sepse gjithmonë mund të shfaqen detaje të reja që lidhen me këtë proces dhe gjithmonë ky proces mund të bëhet sërish aktual dhe praktikisht të ngrihet përsëri para opinionit publik që nga fillimi. Ajo që më huton dhe që vjen si mesazh nga opozita është se deri dje ata që kritikonin punën e organeve të drejtësisë, tani i lavdërojnë”, tha kryeminsitri i vendit, Hristijan Mickoski.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili në atë kohë ishte ministër i Shëndetësisë, tha se për atë që ndodhi në spitalin modular të Tetovës kishte dhënë dorëheqjen për arsye morale. Vendimi është marrë drejt, thotë ai, dhe për këtë arsye VMRO-DPMNE duhet t’u kërkojë falje familjeve. Sa i përket akuzave të VMRO-DPMNE-së opozitare se prokurori Abazi e ka mbrojtur me vendimin e tij, por edhe paralajmërimit se procesi mund të rihapet, Filipçe thotë se nuk është i befasuar.
“Prokuroria e tha qartë: nuk ka keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe nuk ka dëm ndaj buxhetit, dhe kjo pasqyron të gjithë punën time kudo, qoftë në Klinikë në interes të pacientëve dhe në mënyrë jokorruptive, ashtu edhe në kuadër të funksioneve të tjera që kam pasur. Nuk është hera e parë që Hristijani kërcënon. Kjo është pjesë e sjelljes së tij dhe e kuptoj, sepse kur një njeri nuk ka rezultate nga ajo që bën, kur është plotësisht i paaftë t’i menaxhojë problemet në shtet, gjithçka që i mbetet është të kërcënojë me gjykata, me prokurori e kështu me radhë. Unë nuk kam frikë nga asgjë. Ja, kjo është e vërteta, ajo që tha dje Prokuroria”, deklaroi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Rasti me prokurimet publike për ndërtimin e 19 spitaleve modulare në vend u hap më 10 shtator 2021, dy ditë pas tragjedisë në Tetovë ku 14 persona humbën jetën. Rasti fillimisht u drejtua nga ish-prokurorja Villma Ruskoska, më pas nga Elizabeta Josifovska, ndërsa në fazën përfundimtare rasti u drejtua nga prokurorja Verica Berzhecka Kërsteva. Islam Abazi, i cili është në krye të Prokurorisë për Krim të Organizuar, së shpejti e përfundon mandatin dhe ka deklaruar se nuk ka ndërmend të kandidojë për një mandat të dytë.
Burimi: alfax.mk


