Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mezhiti ka reaguar ashpër ndaj BDI-së, duke e akuzuar për heshtje dhe mungesë përgjegjësie për një sërë ngjarjesh tragjike që kanë ndodhur gjatë kohës së saj në pushtet.
Në deklaratën e tij, Mexhiti renditi disa nga rastet më të rënda që kanë tronditur vendin, duke përfshirë:
Rastin ‘Sopoti’ – BDI qëndroi në pushtet;
Rastin ‘Alfa’ – BDI qëndroi në pushtet;
Vrasjen e Harun Aliut – BDI qëndroi në pushtet;
Rastin ‘Monstra’ – BDI qëndroi në pushtet;
Dënimin me burg të përjetshëm të Sokol Olldashit dhe shokëve të tij – BDI qëndroi në pushtet;
Tragjedinë e autobusit të ‘Durmo Turs’ ku humbën jetën 16 qytetarë – BDI qëndroi në pushtet;
Shpërthimin në spitalin modular të Tetovës ku humbën jetën 14 pacientë – BDI qëndroi në pushtet;
Aksidentin tragjik të autobusit të ‘Besa Trans’ ku u dogjën të gjallë 45 pasagjerë – BDI qëndroi në pushtet.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti vuri në dukje se asnjë nga këto tragjedi nuk është zbardhur deri më sot, askush nuk ka dhënë dorëheqje për arsye morale apo politike, dhe askush nuk është thirrur para drejtësisë. Ai gjithashtu përmendi se kryeministrat kanë ndryshuar gjatë viteve, por BDI ka vazhduar të mbetet në pushtet pa marrë përgjegjësi për ngjarjet e rënda që kanë ndodhur.
Në përfundim të deklaratës së tij, Mexhiti ka theksuar:
“Koha e BDI-së ka kaluar. Sot shqiptarët janë në pushtet, ndërsa BDI-ja është dhe do të mbetet në opozitë. Rrini rahat.”