Presidenti Ilir Meta ka zbuluar prapaskenat e emërimit të Saimir Tahirit dhe largimit të tij nga posti i Ministrit të Brendshëm. I ftuar në “TV1 Channel” në Shkodër, Meta tha se ka qenë gjithmonë kundër vendosjes së Tahirit në atë post, pasi sipas tij, ai nuk kishte pjekurinë e duhur.
“Unë jam shumë i qetë sepse edhe vetë Ramës i kam thënë që kjo është një zgjedhje e gabuar,”- rrëfeu Meta.
Ai tregoi më tej se ka pasur edhe një bisedë me vetë Tahirin për këtë temë dhe e ka paralajmëruar që të ketë kujdes.
“Edhe vetë Saimirit ia thashë atëherë sepse më thoshte që nuk më do ti mua, ‘nuk kam asgjë me ty, por nuk ke pjekurinë e duhur’. I kam thënë dhe kujdes sepse mund të të përdorë zotëria (Rama),”– vijoi Meta.
Kreu i Shtetit zbuloi se në kohën që ish-ministri Tahiri u dorëhoq, pasi u mor nën hetim, kryeministri Edi Rama e kishte thirrur në një takim tek ‘Sofra e Ariut’. Sipas Kreut të Shtetit, Rama i ka thënë se e ka larguar Tahirin sepse nuk e donte Meta e se më në fund i ishte plotësuar dëshira.
“Ditën që Rama ka dashur ta heq më ka ftuar tek Sofra e Ariut dhe më tha ‘ja ta plotësova dëshirën dhe e hoqa Tahirin’. Ti i thashë mos bëj gallatë me mua, po e heq për arsye të tjera, e mori në qafë sepse ai kishte natyre impulsive,”- tha Presidenti Meta.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u mor nën hetim pas publikimit të skandalit me grupin Habilaj dhe dha dorëheqjen si anëtar i parlamentit të enjten duke u shprehur se preferonte të përballej me drejtësinë si qytetar i thjeshtë e duke humbur privilegjin e imunitetit nga arrestimi.
“Deri kur të zbarthet e vërteta e plotë, unë nuk do të jem deputet por një qytetar i thjeshtë si mbi 2 milionë shqiptarët e tjerë. Si qytetar i thjeshtë, vetëm me të drejtën time, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që besojnë tek mua, do të përballem me prokurorinë, gjykatën, drejtësinë dhe ligjin. Siç do përballem me palaçot në politikë që kanë vjedhur këtë popull e sot shesin dëngla,”- thoshte ai në një konferencë për shtyp.
Tahiri, 39 vjeç, u zgjodh deputet nga lista e Partisë Socialiste në vitin 2009 dhe u bë Ministër i Brendshëm nën qeverinë e parë Rama më 2013. Në vitin 2015 nisën akuzat e para.
Gjithsesi më 2015 ai u përball me akuza publike si person i përzjerë në mënyrë aktive në trafikun e drogës. Dritan Zagani, ish-oficer policie deklaronte se Tahiri kishte urdhëruar arrestimin e tij për shkak të hetimeve që ai kishte bërë mbi disa kushtërinj e mbështetës të Tahirit (Habilajt). Ai deklaronte se Tahiri i kishte dhënë trafikantëve makinën e tij private në mënyrë që ata të mos kontrolloheshin nga policia.
Pas publikimit të përgjimeve italiane, prokurorët kërkuan arrestimin e tij. Shumica Socialiste e hodhi poshtë kërkesën si të pabazë dhe të motivuar politikisht. Sot Tahiri është në qeli. Ish-ministri u dënua ditën e djeshme nga GJKKO me 3 vite e 4 muaj burg. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e vitit 2019, dhe e shpalli fajtor Tahirin për shërdorim detyre. Tahiri sipas gjykatës ka lejuar dhe ka ndihmuar përmes njohjeve grupin Habilaj, duke i lehtësuar atyre trafikun e drogës drejt Italisë në këmbim të përfitimeve monetare.