Mesazhi i Ramës për deputetët e PD dhe dy precedentët e zgjedhjes së presidentit

April 21, 2022
min lexim

Dy fjalimet relativisht të shkurtra në krahasim me standardet e fjalimeve që Edi Rama mban sa herë merr foltoren e Kuvendit u përqendruan në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend te një mesazh i vetëm drejtuar deputetëve të Partisë Demokratike.

Mesazhi i kryeministrit për ta ishte i qartë: të shkëputen nga Sali Berisha për t’u bërë pjesë e negociatave për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Kjo është çështje e juaja. Është mirë që gjërat të thuhen hapur dhe drejtpërdrejt: nëse ju doni të keni Saliun në krye, është zgjedhja juaj. Por nëse ju vendosni të drejtoheni nga një i vdekur, ne shkëpusim çdo marrëdhënie”, iu drejtua ai.

Arsyet se pse nuk do të negociojë me Sali Berishën nuk i lidhi vetëm me faktin që ish-kryeministri është shpallur ‘non grata’ nga SHBA, por edhe me dy procese të zgjedhjes së presidentit në 2007 dhe 2012.

Rama tregoi disa prapaskena të negociatave të dështuara të 2007-s, që çuan në zgjedhjen e njëanshme të Bamir Topit.

“Arriti puna që një kandidat për president e kërkuam në Golem. I doli emri dhe dikush tha, po ai ka ikur në Greqi. Pastaj u mor në telefon Fatos Beja që e njihte kandidatin dhe tha, në Greqi është por ka dhe shtëpi në Golem. U nis një makinë në Golem për të gjetur presidentin e për t’i thënë a e pranon detyrë.

Kur ai nuk u gjet në Golem, Saliu tha epo Fatosi na çorienton se është vetë latent. Kjo kulmoi me propozimin e Nard Ndokës për të bërë Ismail Kadarenë president dhe iu ngarkua atij të flasë me Kadarenë, por ai nuk i hapi telefonin”, deklaroi ai.

Për të vijuar, kryeministri tha se ishte gjetur një ushtarak që kishte dakordësinë e PS-së në atë kohë, por qe Berisha e kishte kushtëzuar zgjedhjen e tij me largimin e Theodhori Sollakut.

“Teatri u prish kur doli kandidati për president që nuk e njihte askush, një ushtarak dhe u ra dakord të riktheheshim në sallën e shfaqjes pasi të komunikonim me partitë përkatëse, por ushtaraku kishte rënë rrugës pasi i gjori Sali kërkoi kokën e Dhori Sallakut. Ne nuk kishim një kokë për t’i dhënë dhe këtu mbaroi”, deklaroi Rama.

Në 2007, PD nuk i kishte votat për ta zgjedhur president Bamir Topin dhe në ndihmë i erdhën 7 deputetë socialistë, 6 prej të cilëve Rama i përjashtoi më pas nga grupi parlamentar.

Rasti i dytë që iu referua Rama është zgjedhja e Bujar Nishanit në 2012. Mes kandidaturave që u përfolën para Nishanit ishte edhe analisti Artan Hoxha.

“Aty ishte më thjeshtë sepse PD i kishte votat. Si pasojë e një aksidenti rrugor, erdhi një president tjetër pastaj kur doli nuk ishte më se i kishte dalë një hije në radiografi. Procese qesharake. Procesi më normal që prodhoi presidentin më anormal u bë kur ju nuk ishit këtu se ishit në revolucion permanent”, deklaroi Rama.

Gjithsesi, në fjalën e tij Rama tha se PS do t’i shfrytëzojë 3 raundet e para për të gjetur një emër konsensual me opozitën. Ai shpjegoi edhe arsyen se përse PS dorëzoi emrat me zarf.

“Ne të 3 raundet e para do synojmë një president që të marrë edhe votat e opozitës. Nëse do kishim kandidaturë që të na bindte plotësisht, ne do e bënim publike dhe nuk do ju pyesnim fare, por nuk e kemi, ndaj po ju pyesim, nëse doni, jepni kontribut.

Vini merreni me zarfat e një procesi konfidencial dhe na tregoni hipokrizinë kur ju nxorët 5 mijë veta në 2 mijë karrige”, tha Rama.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Lajçak, pas dështimit të marrëveshjes: Ftoj negociatorët për t’u takuar sërish

Story i radhës

SHBA-ja hedh poshtë pretendimet e Rusisë për Mariupolin

Të fundit nga

ShkoLartë