Këngëtari i njohur Mentor Haziri ka reaguar ndaj gjendjes së këngëtares Parashqevi Simaku, duke kritikuar ashpër trajtimin që u bëhet artistëve në Kosovë dhe Shqipëri.
Në emisionin “Ora Shtatë”, Haziri shprehu se shoqëria dhe institucionet shpeshherë i harrojnë figurat e mëdha të artit, duke i lënë në harresë dhe pa mbështetje.
“Ne e kemi një ushtri të keqe të mediave sociale që vetëm shajnë dhe paragjykojnë. Kosova dhe Shqipëria i varrosin të gjallë artistët e vet.Shembull e kemi Nexhmije Pagarushën, që ndërroi jetë në një banesë të vogël dhe e mori një pension të vonuar nga shteti”, tha këngëtari.
Ai po ashtu theksoi se paragjykimet dhe presioni social mund të kenë ndikuar në largimin e Simakut nga jeta publike, por është i bindur se ajo mund të rikthehet në skenë.
“Ajo ka buzëqeshjen, por mund të jetë emocionalisht e rënduar. Paragjykimet që nuk bëri asgjë pas rikthimit në Shqipëri mund ta kenë ndikuar, por unë mendoj se tani është koha që ajo të rikthehet me një koncert të madh në Shqipëri. Duhet ta rikthejmë në jetë këtë ikonë të muzikës që e kemi pasur”, tha Haziri.
Burimi: botasot.info