Memorandumi i ASHAK-së dhe raporti me të vërtetën!

min lexim

Një memorandum i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i publikuar kohët e fundit, ka trazuar shumë ujëra në Kosovë dhe jo vetëm. Memorandumi titullohet “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”. Ka për objekt diversionet dhe politikat serbe. Megjithatë kalemxhinj me titull profesorësh dhe mediatikë janë mobilizuar që ta atakojnë e madje ta linçojnë memorandumin në fjalë, çka dëshmon se shoqëria shqiptare ka një raport të zhdrejtë me të vërtetën! Reagimet e deritashme nuk janë substanciale, nuk lidhen me thelbin e pohimeve dhe rekomandimeve të ASHAK-ut, por thjesht me hamendësimet e “anësimeve politike të kësaj akademie”!

Memorandumi nuk bën kompromis

Kundërshtitë fokusohen te pozicionet politike dhe jo te raporti i këtij memorandumi me të vërtetën. Të vjen keq që edhe profesorët dhe njerëzit e dijes me ndikim në opinionin publik nuk dëshirojnë të ruajnë raportin minimal me të vërtetën. Ky është një nga dobësitë e shoqërisë shqiptare dhe derisa ta njohim këtë e dobësi të tjera si kjo, ne nuk mund të bëhemi pjesë e kombeve të qytetëruara. Ndërkohë memorandumi në fjalë nuk bën kompromis. As me politikën, as me Serbinë, as me Rusinë, as me lojacakët e medias, politikës dhe të ashtuquajturve intelektualë të Kosovës apo të Shqipërisë.

Në vend të replikës dhe refleksionit për të saktësuar raportin me të vërtetën, kritikët e memorandumit merren me biografitë e hamendësuara të akademikëve të Kosovës. Në vend të ballafaqimit të fakteve, shoh se ata merren me atë se kush politikan përfiton dhe kush atakohet me konstatimet e këtij memorandumi. Të gjithë këta kundërshtarë të së vërtetës kërkojnë kompromis me fjalën e deri me Serbinë dhe tradhtinë! Memorandumi i kundërvihet pikërisht këtij kompromisi.

Dy janë mospajtimet kryesore të kundërshtarëve të memorandumit të ASHAK-ut: Së pari, atakohet më së shumti konstatimi se ish-kryeministri dhe ish-presidenti, Hashim Thaçi, u përfshi në projektin serb të ndarjes së Kosovës. Por, historinë nuk mund ta ndryshojnë ithtarët e Thaçit. Mjafton që të kujtohet deklarata e zotit Thaçi në Alpbach të Austrisë në gushtin e vitit 2018 dhe të bindesh se ai u përfshi në projektin serb të ndarjes së Kosovës. Madje kërkoi edhe rol protagonisti në këtë projekt, aq sa i tërhoqi vëmendjen presidenti Vuçiq, kur i tha “Mos i thuaj të gjitha”! Memorandumi thotë se ndarjen e Kosovës e kishin projektuar e rekomanduar akademikë serbë prej Çubrilloviçit e deri të Qosiqi. Le ta provojnë kundërshtarët që janë hedhur si hiena në të kundërtën e kësaj.

Ky dokument i ASHAK-ut shkruan se këtë projekt e përkrahu Hashim Thaçi, por ka fakte plot për atë se atë e ka përkrahur akoma më shumë Edi Rama. Këtë e pohojnë plot personalitete dhe aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë, të cilët janë angazhuar në këtë proces vendimmarrjeje midis Thaçit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me dakordësinë e Ramës. E thotë John Bolton. Madje ai përmend edhe emrin e Tony Blair, personazh simpatik i luftës në Kosovë, e më pas këshilltar i kripur i presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë. Bolton thotë se Thaçi dhe Vuçiqi ishin të gatshëm të provojnë zgjidhjen me ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Të njëjtën gjë po thotë vazhdimisht i ngarkuari i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ish-ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell. Askush nuk po i kundërshton dhe revokon këto deklarime dhe prova publike. Çfarë po bën më shumë memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës?! Pse këta kritikë të këtij institucioni prestigjioz të Kosovës nuk janë marrë asnjë minutë me demantimin e deklaratave të Boltonit ose të Grenellit? Sepse kanë frikë nga e vërteta!

Rilindja e Edi Ramës si trashëgimtare e PKSH-së

Së dyti, ky memorandum zbulon një të vërtetë tjetër të madhe, të varrosur për më shumë se një shekull, madje për qëllime politike. Zbulon faktin se politika shqiptare dhe sidomos Partia Komuniste e Partia Socialiste e kanë keqpërdorur Kosovën për interesat e pushtetit në Shqipëri. Kjo e vërtetë dhemb shumë. Eshtë e dhimbshme sidomos për të gjithë ata që janë mësuar të jetojnë me gënjeshtrat propagandistike enveriste dhe të Edi Ramës. Por e zeza është e shkruar në të bardhë:

– Ishte PKSH-ja ajo që lejoi masakrën e Tivarit. Aty Serbia masakroi dhe i betonizoi mijëra të rinj shqiptarë. Gjithçka u krye me dijeninë e shtetit shqiptar, madje nën përkujdesjen e tij. Mjeranët ende besojnë se kjo ishte vepër e Koçi Xoxes dhe jo e Enver Hoxhës. Por kjo nuk e ndryshon të vërtetën. Në emër të vëllazërim-bashkimit brigadat partizane shqiptare ushtruan dhunë, burgosën, dhunuan e asgjësuan plot shqiptarë që e kundërshtonin këtë formulë hipokrite serbe. Ndërkohë që deri në minutën e fundit të jetës së vet diktatura komuniste shkatërroi jetën e mbi 90 për qind të emigrantëve nga Kosova që erdhën në Shqipëri me besimin te qeveria e komunistëve të Tiranës. Madje u varrosën për së gjalli! Kjo e vërtetë e dhimbshme dhe e pashembullt zbulohet në memorandum, por kundërshtohet nga filoserbët e Kosovës dhe jo vetëm!

– Është Rilindja e Edi Ramës si trashëgimtare e PKSH-së, ajo që iu vu si barrierë pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës në kohët e sotme. Këtë të vërtetë nuk e zbulon, por thjesht e përmend memorandumi i ASHAK. Ndërkaq kjo e vërtetë trajtohet në mënyrë folklorike nga anatemuesit në Kosovë e në Shqipëri. Thonë se kjo akademi po i kundërvihet Shqipërisë. Nëse do të ishte e identifikuar politika me Shqipërinë, ky vend nuk do të ishte edhe pas 110 viteve pavarësi njësoj i përçarë dhe i injoruar në skutën e vet, si në fillimet e shtetësisë! Por politika, e sidomos politika majtiste, siç thuhet në memorandum, ishte dhe mbetet një politikë më së shumti pro-serbe e për pasojë edhe anti-shqiptare. Sidomos anti-kosovare!

– Memorandumi kritikon ashpër iniciativën serbe e pro-serbe të Open Balkanit. Ve në dukje se ajo iniciativë i kundërvihet integrimeve europiane. Nuk e di ku është spekulimi dhe mungesa e të vërtetës në këtë konstatim! A mos duhet që akademikët e ASHAK-ut në Kosovë të besojnë propagandën partiake filo-serbe të Edi Ramës, Abazoviçi dhe viçave të tjerë për “dobitë e Ballkanit të Hapur”?! Absurdi te ne shqiptarët nuk njeh kufij. Diçka që shfaqet hapur si projekt në shërbim të Serbisë së Madhe shihet si instrument prosperiteti për shqiptarët. Në fakt thyerja e embargos ndaj Rusisë nga ana e Ramës dhe Abazoviçit e bën këtë iniciativë të jetë gjithashtu kriminale. Por, nuk janë dakord me këtë kritikë “dijetarët” e mëdhenj të “elitës” alternative shqiptare. Ndaj dhe kjo elitë nga pozitat e filoserbisë e akuzon akademinë si “agjente” të Beogradit!

Të pranosh të vërtetën, ta thuash atë, ta elaborosh madje në memorandum dhe dokumente të një autoriteti shkencor siç është Akademia, sigurisht që të bën me shumë kundërshtarë. Sidomos në ambientet e dy katundeve tona shqiptare, kur interesi dhe verbëria e militantizmit politik i çon jo pak njerëz në drejtim të Beogradit ose qendrave të tjera anti-shqiptare. Kjo është arsyeja pse në Kosovë fajësojnë shtetin, qeverinë, për krizën dhe konfliktin në veri të vendit, kur dihet mirëfilli se fajtor dhe përgjegjës për atë situatë është Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq. Kur është fjala për zhvillimet në Kosovë këta kritikë anti-shkencë e kundër të së vërtetës menjëherë fajësojnë qeverinë, presidenten dhe kryeministrin për povokimet e Serbisë. Kur kritikohen veprimet e një qeverie apo partie në Shqipëri kalojnë në anën tjetër të bregut dhe thonë se “Nuk bën të shahet Shqipëria”! Ndaj them se këta janë akademikë, profesorë dhe njerëz mediatikë manipulatorë!

Sa kohë që ne nuk do të vendosim një standard në raportet tona me të vërtetën, aq kohë do të “shijë lamë” Serbia në Shqipëri, Kosovë e kudo ku ka shqiptarë, që duke anashkaluar pikërisht vërtetësinë e zhvillimeve ndër ne, përçajnë spektrin politik dhe publikun shqiptar!

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

Story i mëparshëm

Të rreme edhe alarmet e sotme për bomba në shkollat në Shkup

Story i radhës

Werghost sqaron përplasjen me Messin:

Të fundit nga