Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, sot gjatë një vizite në Kaçanik, tha se është shqetësuese që komunat e Kosovës në përgjithësi, e ato që udhëhiqen nga opozita në veçanti, janë duke u neglizhuar dhe penalizuar nga Qeveria Kurti.
Ai pas takimit me kryetarin e Kaçanikut Besim Ilazi, tha se një neglizhencë të tillë po e vërejnë nga vizitat e rregullta që po iu bëjnë komunave të ndryshme.
“Kaçaniku është nga shembujt jo të mirë të Qeverisë, e cila si komunë po hyn në vitin e katërt që asnjë projekt nuk e ka marrë nga niveli qendror. Unë besoj që kryeministri Kurti dhe ministrat e tij duhet ta ndërrojnë këtë qasje. Zgjedhjet kanë përfunduar dhe kryetarët në detyrë janë kryetarë të të gjithë qytetarëve. Prandaj, kjo neglizhencë e tij duhet të merr fund. Përndryshe, Albin Kurti është duke e mbajtur vetëm një premtim, atë që i ftonte qytetarët të votonin për kandidatët e tij, sepse, nëse fitojnë kandidatët tjerë, ai si kryeministër nuk do t’u ndihmoj. E kjo po shihet qartazi tanimë”, tha Krasniqi.
Ndërsa, kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi falënderoi Memli Krasniqin për vizitën dhe mbështetjen në të gjitha projektet që po realizohen në të mirë të qytetarëve.
“Komuna jonë, nuk e ka mbështetjen e nivelit qendror. Po hyjmë në vitin e katërt që nuk e kemi asnjë projekt të ri nga niveli qendror dhe tashmë ky është një shqetësim edhe i qytetarëve”, ka thënë Ilazi.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Krasniqi vizitoi palestrën e re sportive, sallën e edukatës fizike në shkollën “7 shtatori”, trotuarin në Stagovë dhe projekte të tjera që po ndodhin aktualisht nga buxheti komunal.
Vizita e sotme në Kaçanik është në kuadër të vizitave që kryetari i PDK-së po zhvillon nëpër komunat e Kosovës, për të mbështetur të gjithë kryetarët në implementimin e projekteve në të mirë të qytetit dhe qytetarëve pa dallim.