Mehmeti dëmtohet

November 20, 2024
min lexim

Ndërprerja e kampionatit i ka vlejtur Partizanit sa i përket riaftësimit të futbollistëve të dëmtuar, por duhet pranuar se pushimi erdhi në momentin më të mirë të “demave”.

Pas fitores në derbi me Dinamon, të kuqtë kryesojnë Superioren me 24 pikë, dy më shumë se Vllaznia dhe tani kërkohet ruajtja e ritmit. Nga Partizani kërkohet vazhdimësi rezultatesh, por për ta arritur këtë gjë skuadra e trajnerit Veselinoviç duhet të thyej “tersin”.

“Demat” e kanë vuajtur në këtë sezon arritjen e një serie fitoresh, kështu që shpresohet që kjo “tabu” të thyhet nga ndeshja e së dielës me Laçin e në vazhdim. Deri më tani ka pasur një kombinim të njëpasnjëshëm barazimesh dhe fitoresh. Ecuria më e mirë e Partizanit është dy fitore radhazi dhe për ta thyer këtë duhen fituar dy ndeshjet e radhës, kundër Laçit dhe derbin me Tiranën.

DËMTIMET- Trajneri Aleksandar Veselinoviç nuk do ta ketë të plotë grupin as për ndeshjen me Laçin, ndonëse kemi një lehtësim të problematikës së të dëmtuarve. Andi Hadroj, i cili sot kthehet në ekip nga grumbullimi me Kombëtaren, është gati për të qenë titullar në të djathtë të mbrojtjes ndaj kurbinasve.

Gjithashtu kjo javë stërvitore ka nisur me lajme pozitive sa i përket mbrojtësit Altin Bytyçi, i cili pësoi një kontraktim në rrëzat e kofshëve ndaj Teutës dhe luajti i sforcuar në derbin me Dinamon. “Panorama Sport” mëson se Bytyçi e ka lënë pas lëndimin dhe tani është i gatshëm për stafin për të kontribuar ndaj Laçit. Adnard Mehemti nuk ia del për këtë fundjavë dhe mesfushori kosovar konsiderohet mungesë e sigurtë për duelin me kurbinasit.

Mehmeti vuan një shqetësim muskulor në pjesën e kofshës dhe 23-vjeçarit i duhet ende kohë për të qenë 100% gati. Redon Ismaili është në “luftë” me kohën, pasi mesfushori ende nuk është riaftësuar plotësisht. Ai ka dhënë sinjale rikthimi, por stafi nuk do të rrezikojë me aktivizimin e tij pa qenë të sigurt. Ismaili do të jetë nën monitorim deri ditën e ndeshjes dhe më pas do të vendoset edhe fati i tij. Ismaili ka probleme me muskujt e barkut dhe po ndiqet me kujdes nga stafi mjekësor i të kuqve.

GJERGJI KOTE- Në pikun e dëmtimeve në mesfushë, stafi teknik i Partizanit e ka gjetur zgjidhjen te një lojtar i ri dhe perspektivës, Gjergji Kote. 20-vjeçari ka fituar besimin e trajnerit Veselinoviç, i cili tashmë ka bindjen e plotë te Kote dhe mund ta përdorë si titullar. Pas grumbullimit dhe aktivizimit me Kombëtaren U-21 në dy miqësoret me Moldavinë, dje Kote i është bashkuar skuadrës së kuqe në stërvitje.

Lojtari është kthyer në gjendje të mirë dhe kjo e ka gëzuar më shumë trajnerin serb. Veselinoviç e ka përgëzuar mesfushorin para fillimit të seancës së djeshme për paraqitjen e bërë me kuqezinjtë. Gjergji Kote ia ka lehtësuar “dhimbjet e kokës” trajnerit për mungesat në mesfushë, kështu që ndaj Laçit pritet që të jetë titullar.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Çka po i mungon Rovenës brenda shtëpisë?

Story i radhës

Google lançon versionin e parë të Android 16

Të fundit nga

ShkoLartë