“Mehmet Shehu, rreth orës 22:00 pa majtas e djathtas, më pas u fut brenda dhe kyçi derën”- Dëshmia e ish-komandantit

December 22, 2024
min lexim

Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra  dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË FATBARDHA SHYTI SHEHU, NUSJA E DJALIT TË MADH TË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

Proces-verbal

(Dëshmie)

Tiranë më 20 Dhjetor 1981

Pyetje: Na tregoni dëshmitare, nëse mbas vajtjes për në dhomën tuaj të fjetjes, gjatë kohës që keni rënë për të fjetur me burrin tuaj, Vladimir Shehun, keni dëgjuar ndonjë zhurmë që do ju zgjonte nga gjumi?!

Përgjigje: Gjatë gjithë kohës që kam qëndruar në dhomën time, pa fjetur, deri në orën 00.30 të datës 18 Dhjetor 1981, dhe gjatë gjithë kohës që kam qenë duke fjetur, derisa jam zgjuar në orën 06.30, të po kësaj date, nuk kam dëgjuar absolutisht asnjë lloj zhurme, sikur isha zgjuar, ashtu edhe kur flija.

Sqaroj se dhoma e gjumit ku flija unë, është në pjesën e vjetër të ndërtesës, në fundin e saj dhe për të ardhur deri në korridorin ku janë dhomat e gjumit të Mehmet e Fiqrete Shehut, duhet të kalosh dy-tre dhoma të tjera, përveç korridorit, që të nxjerr në pjesën e re të ndërtesës.

Gjithashtu dua të sqaroj se kufomën e Mehmet Shehut, e kam parë me fytyrën e zverdhur, të shtrirë në krevat, dhe nuk mbaj mënd nëse ishte i mbuluar apo i zbuluar, mbasi siç thashë, unë kam dalë menjëherë nga dhoma dhe nuk qëndrova gjatë aty. Ndonjë gjë tjetër, nuk kam për të thënë. Procesverbalin mbasi e lexova, pashë se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos.

Dëshmitarja Hetuesi

Fatbardha Shehu Koço Josifi

Asistoi

Elham Gjika

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË FIQRET SHEHU, BASHKËSHORTJA E MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

PROCES-VERBAL (DËSHMIE)

TIRANE, ME 18 DHJETOR 1981

Unë, Koço Josifi, hetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, pyeta me cilësinë e dëshmitarit, shoqen Fiqirete Shehu.

Mbasi u pyet lidhur me çështjen, tregoi:

Mbrëmë, më tha; nesër në mëngjes më zgjo, në orën 8.00. Sot më datë 18 dhjetor 1981, rreth orës 7.55, erdhi në dhomën time djali, Vladimir Shehu. Në dhomë më gjeti së bashku me gruan e tija, Fatbardha Shehu. Mbasi erdhi Vladimiri në dhomën time, unë shkova në dhomën e gjumit tija, për t’a zgjuar, kur shkova atje pashë se ishte i zverdhur dhe sipër këmishës, kishte gjak.

Dola dhe shkova në dhomën time, ku i thashë Vladimirit dhe nuses Fatbardhës, që babaj ka vdekur. Këto u ngritën dhe shkuan menjëherë në dhomën e tij, ku lajmëruan mjekët dhe shokët e tjerë. Mbasi ishte i qetë, më tha të iki, se në mbrëmje do qëndrojë vonë, prandaj nesër, më zgjo në orën 8.00.

Dëshmitari Hetuesi
Fiqirete Shehu Koço Josifi

Asistoi

Elham Gjika

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË ALI ÇENO, KOMANDANT I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

Proces-verbal

(Dëshmije)

Në Tiranë, më 18 dhjetor 1981

Unë, Koço Josifi, hetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta me cilësinë e dëshmitarit Ali Çeno, i biri i Shemsedinit dhe i Qamiles, i dtl., 1943, lindur e banues në Tiranë, me arsim të lartë, banues në lagjen Nr.2, “Rruga Luigj Gurakuqi”, Pallati Nr.4, Apartamenti 13, anëtar Partie.

-Mora njoftim mbi përgjegjësinë që kam sipas nenit 202, në rast se bëj dëshmi të rreme.

Dëshmitari Ali Çeno:

Më datën 17 dhjetor 1981, rreth orës 20.30, unë pasi rregullova shërbimin në grup, jam lajmëruar për në shtëpi. Mbasi shkova në shtëpi, më mori në telefon mjeku Llesh Rroku dhe më tha në telefon, se isha në zyrë tek Mehmet Shehu dhe më pyeti se kush nga oficerët, është sonte me shërbim, më tha Lleshi, që i thashë se; sonte është Pëllumbi dhe Aliu, ai e kishte pyetur se aty është Aliu, Lleshi i ishte përgjigjur se po, dhe Lleshi më tha mua, se është mirë të vish këtu edhe ti, që edhe unë mos dalë me gënjeshtër.

Kështu unë, mbasi hëngra darkë në shtëpi, u nisa dhe erdha në grup, rreth orës 23.00 dhe atë natë fjeta aty. Gjatë natës, Mehmet Shehu nuk më kërkoi.

Në mëngjesin e datës 18.12.1981, rreth orës 8.00, kur unë isha së bashku me shokët e tjerë në dhomën e shërbimit, më njofton djali i tia, Vladimir Shehu, me sterjofoni, që të shkoja lart në katin e dytë, tek dhoma e fjetjes së Mehmet Shehut.

Kur shkova lart në korridor, para dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, gjeta aty Fiqirete Shehun, së bashku me Vladimir Shehun dhe gruan e tija, Farbardha Shehu, duke qarë, në këtë kohë Vladimiri më thotë; shko në dhomë dhe shihe babanë, unë hyra në dhomë dhe e pashë Mehmet Shehun, të shtrirë në krevat, të verdhë dhe kur e kapa nga dora, i ftohur, kur unë hyra, ishte i mbuluar me kuvertë dhe çarçaf, ashtu siç ishte kur erdhi grupi hetimor.

Nuk para pashë gjak, në anën e majtë të gjoksit dhe në krah të djathtë të trupit, një pistoletë, kuptova se ishte vet-vrarë dhe në çast njoftova mjekët Milto Kostaqin dhe Llesh Rrokun, të cilët erdhën menjëherë aty, pas kësaj njoftova shokët e Partisë.

Kur unë njoftova për herë të dytë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, ku kishin ardhur aty edhe mjekët Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, pashë mbi komodinën e majtë të krevatit, një gëzhojë pistolete, u thashë mjekëve; po kjo këtu, si ka mundur të ketë qëndruar në këtë formë, Milto Kostaqi tha se; gëzhoja qe poshtë anës së krevatit, e shkeli Llesh Rroku me këmbë dhe e mori e vendosi mbi komodinë.

Dua të sqaroj se, kur hyra unë në dhomë, duart e Mehmet Shehut, ishin brenda kuvertës, të mbështetura në gjoks, në gjendje të ngurtë dhe të mbuluar deri afër mjekrës, me çarçaf e kuvertë. Unë për t’i parë pulsin, e zbulova pak kuvertën, sa i zbulova dorën, i pashë pulsin dhe konstatova se pulsi nuk punonte, ndërsa në krahun e majtë, afër zemrës, i vura re që kishte një njollë gjaku. Mbas kësaj, unë përsëri e mbulova, siç ishte më parë.

Në grup atë natë që kemi fjetur në vendin e shërbimit, kemi qenë; unë, mjekët Milto Kostaqi e Llesh Rroku, oficeri shërbimit Dashamir Rrapaj, Pëllumb Rustaj, shofer Astrit Mitaj, ndërsa me shërbim, deri tek dera e jashtme e oborrit, prej orës 20.00, deri në orën 02.00, të datës 18.12.1981, ka qenë Astrit Veliaj, ndërsa nga ora 02.00, e datës 18.12.1981, deri në orën 7.00, ka qenë Asim Beja.

Unë atë natë kam rënë për të fjetur në dhomën time, rreth orës 11.30, në dhomë me mua nuk ka fjetur njeri tjetër dhe jam zgjuar rreth orës 6.45, të datës 18.12.1981. Gjatë gjithë natës, nuk jam zgjuar ndonjëherë, nuk kam dëgjuar ndonjë lloj zhurme dhe nuk më kanë njoftuar shokët, për ndonjë nevojë ose shqetësim në shërbim.

Edhe njëherë sqaroj se, mbas lajmërimit që më bëri Vladimir Shehu, për të shkuar shpejt lart, në katin e dytë në dhomën ku flinte Mehmet Shehu, në korridorin para derës së kësaj dhome, gjeta Fiqrete Shehun, Vladimir Shehun dhe Fatbardha Shehun, që po bërtisnin dhe qanin, bile Fiqretja me Fatbardhën, u nisën në drejtim të dhomës së gjumit Fiqretes, ndërsa Vladimiri më tha mua; “shko shiko babanë”.

Unë hyra vetëm në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut dhe e gjeta në pozicionin shtrirë, në anën e majtë të krevatit, me fytyrë nga tavani, syzet që mbante për punë me skelet metalik, i kishte të vura, i mbuluar me çarçaf e batanije, deri poshtë mjekrës, krevati nuk kishte asnjë lloj çrregullimi, sytë dhe gojën, Mehmet Shehu i kishte të mbyllura, duart dhe pjesën tjetër të trupit, i kishte të mbuluara me çarçaf e kuvertë.

Unë sa ju afrova krevatit të tij, ngrita pak kuvertën (batanijen dhe çarçafin) dhe me dorën time, i kapa dorën e majtë, ku kishte dhe sahatin, për të parë nëse i punonte ose jo pulsi. Pulsi nuk i punonte, dora ishte e ngrirë e ngurosur dhe e ftohtë. Në këto momente, duke patur batanijen dhe çarçafin pjesërisht të ngritura, nga unë, vura re që Mehmet Shehu, në krahun e majtë afër zemrës, kishte një njollë të kuqe gjaku dhe thashë me vete, se; paska vrarë veten.

Të dy duart e tia, ishin të përthyera e mbështetura në gjoks dhe të mbuluara me batanije e çarçaf. Mbas kësaj, unë kam thirrur menjëherë në sterjofoni mjekët, duke u thënë që të vinin shpejt në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Sqaroj se, kur unë dallova njollën e gjakut në trupin e Mehmet Shehut, afër zemrës, vura re se mbi krevat, sipër batanijes, në krahun e djathtë të trupit Mehmet Shehut, pothuajse në mesin e krevatit, pashë pistoletën e tipit “Makarov”, kalibri 9 mm., që unë e dija se Mehmet Shehu, e mbante në kasafortën e tija, në shtëpi.

Veç sa sipër, dua të them se më datën 19 dhjetor 1981, mbasi Mehmet Shehu kishte vrarë veten, oficer Astrit Velia, që natën e datës 17 dhjetor 1981, duke u gdhirë data 18 dhjetor 1981, kur ai ishte me shërbim përpara shtëpisë banimit Mehmet Shehut, tek porta në hyrje të oborrit, kishte vënë re, që Mehmet Shehu, rreth orës 22.00, të datës 17 dhjetor 1981, kishte hapur portën e hyrjes së ndërtesës dhe duke nxjerrë gjysmën e trupit jashtë derës, kishte parë majtas e djathtas dhe përpara në oborr, mbas një kohe shumë të shkurtër, u fut brenda dhe mbylli përsëri derën me çelës.

Gjithashtu dua të them se, më ka bërë përshtypje një rast me Mehmet Shehun, që konkretisht ka ndodhur kështu: rreth 5-6 ditë përpara se Mehmet Shehu të vriste veten, më duket ka qenë ditë e diel, në darkë, Mehmet Shehu së bashku me Fiqrete Shehun, ishte në Shtëpinë e Pritjes, në Qytetin “Stalin” dhe rrinin vetëm të dy, në dhomat e Shtëpisë së Pritjes, njeri tjetër nuk kishte.

Rreth orës 20.30, ka marrë në telefon centralistja e Beratit dhe më ka thënë, se njeri nga telefonat e Shtëpisë së Pritjes të Qytetit “Stalin”, ai me numër inter-urban, të mbyllet, pasi jep sinjal në central, që është hapur. Unë i thashë centralistes së Beratit, mirë dhe thirra punëtoren e Shtëpisë së Pritjes dhe i thashë që të shkonte në dhomën ku rrinte Mehmet Shehu me Fiqirete Shehun dhe t’u thoshte të vendosnin mirë dorezën e telefonit, që ishte vendosur në dhomën ku ishin ata, sepse qëndronte hapur dhe jepte sinjale.

Punëtorja shkoi në dhomën e tyre dhe ja u tha këtë gjë, por mbas pak Mehmet Shehu, më kërkoi mua, për t’i shkuar në dhomë. Unë shkova në dhomën e tyre dhe si Mehmeti, ashtu dhe Fiqretja, me nervozizëm filluan të më bërtisnin mua, duke më thënë se; kush të lajmëroj ty, që telefoni ishte i hapur, i thashë se më lajmëroi kontrolli i telefonave, të centralit të Beratit.

Mehmet Shehu më tha mua; po nga e di, që ishte kontrolli i telefonave të Beratit, unë i thashë se fola vetë me kontrollin e Beratit, në telefon. Mehmet Shehu më tha; jo, ky është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe na kanë dëgjuar të gjitha bisedat, që unë kam bërë me Fiqreten, unë i thashë se; ky nuk është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por është inter-urban, me tre numra. Mehmet Shehu insistonte, se ky është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më kanë dëgjuar bisedat që bëra me Fiqreten.

Unë i thashë se; ky numër telefoni, nuk është i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe u mata t’i nxirrja numëratorin, duke i thënë përsëri, se Ministria e Punëve të Brendshme, nuk ka telefon këtu, ai më bërtiti, duke u shprehur; ik mbushu, se nuk di gjë ti. Mbas kësaj, unë kam dalë nga dhoma e tyre dhe vajta tek vendi i shërbimit.

Nuk kaloi shumë kohë dhe më thirrën përsëri, Mehmet Shehu me Fiqrete Shehun, në dhomën ku rrinin dhe më thoshin se; kush më ka përgjuar bisedën që kemi bërë, kush e la hapur telefonin, ky duhet të jetë telefoni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ç’masa keni marrë juve, për telefonat. Unë përpiqesha t’i sqaroja, ashtu siç shpjegova më lart, por ata nuk bindeshin.

Kështu që për këtë problem, atë natë Mehmet dhe Fiqrete Shehu, më thirrën 5-6 herë dhe më pyesnin, duke u shprehur se ata mendonin, që telefoni ishte i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe bisedat që kishin bërë bashkërisht në dhomë, ishin dëgjuar.

Kjo punë ka vazhduar, deri rreth orës 21.15, pastaj nuk më thirrën dhe shkuam për të fjetur. Ato më thirrën vetëm mua, për këtë çështje, ndërsa nga oficerët e tjerë, nuk thirrën njeri. Të nesërmen e kthyem në Tiranë dhe as Mehmet Shehu e, as Fiqrete Shehu, nuk më kanë pyetur më për këtë çështje.

Ndonjë gjë tjetër nuk kam për të thënë.

Procesin mbasi e lexova, thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos. Memorie.al

Dëshmitari Hetuesi

Ali Çeno Koço Josifi

Asistoi

Elham Gjika

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

“TikTok” mbyllet për një vit në Shqipëri! “The Guardian”, jehonë vendimit të qeverisë: Rama fajëson rrjetet sociale për nxitjen e dhunës

Të fundit nga

Flick me fjalë të mëdha për Pedrin

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick nuk kurseu fjalët e mira për yllin e tij, Pedrin. Ndonëse humbën në derbi ndaj Atletico Madridit, Pedri kishte shënuar gol dhe Flick lavdëroi spanjollin për paraqitjen
ShkoLartë