Kontrolle të pandërprera në të gjithë territorin e qarkut, për kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”.
Shkon 54 numri i shtetasve të vënë në pranga si rezultat i këtij megaoperacioni.
Të akuzuar nga Gjykata, si pjesëtarë të një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim.
Shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe ato të Komisariatit të Policisë Elbasan kanë vijuar të ushtrojnë kontrolle në të gjithë qarkun, për të kapur dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”.
Si rezultat, u ndaluan shtetasit M. B., 35 vjeç dhe M. K., 34 vjeç, të dy banues në Elbasan. Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Të dy këta shtetas akuzohen se janë pjesëtarë të një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave, veprimtari kriminale e cila u godit nga Policia e Elbasanit, më datë 29 qershor 2023, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”.
Për këtë megaoperacion janë vënë në pranga 54 shtetas në total, si dhe janë sekuestruar sasi dhe doza të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme.
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.