​Mediat greke: “Antonov” zbarkoi dy herë “misteriozisht” në Kretë një muaj më parë

July 20, 2022
min lexim

Me urdhër të Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, ambasadori i Greqisë në Beograd i bëri një demarsh palës serbe lidhur me nevojën që pala greke të informohej më herët për natyrën e ngarkesës së aeroplanit “Antonov” i cili u rrëzua të shtunën në veri të Greqisë, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Janis Oikonomou në një konferencë për shtyp në Athinë, transmeton Beta.

Në të njëjtën kohë, sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Temistoklis Demiris, vizitoi ambasadorin ukrainas në Athinë për shkak të nevojës për të informuar palën greke për natyrën e ngarkesës së aeroplanit ukrainas, njoftoi sot Ambasada greke në Beograd, raportojnë mediat serbe.

Oikonomu tha se menjëherë pas rrëzimit të aeroplanit me mallra “Antonov” në mes të vendbanimeve Antifilipi dhe Paleohori, për hetim kanë mbërritur 15 zjarrfikës me shtatë automjete dhe më pas forca shtesë zjarrfikëse, përfshirë ekipe speciale me dy mjete speciale për grumbullimin e lëndëve të rrezikshme.

Rrëzimi i aeroplanit ukrainas “Antonov” në Greqi është një nga temat kryesore të mediave greke, të cilat ndër të tjera shkruajnë se i gjithë rasti “më shumë i ngjan një filmi spiun se sa realitetit” dhe se ka shumë “ pjesë të dyshimta”.

Sipas mediave greke, duke iu referuar burimeve diplomatike, thuhet se me urdhër të Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, sekretari i Përgjithshëm Themistocles Demiris është takuar me ambasadorin ukrainas në Athinë, të cilit i është kërkuar të informojë palën greke për natyrën e ngarkesës së aeroplanit ukrainas, shkruante ditë më parë një portal grek.

Kështu, kjo media raporton se qëndrimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nuk kishte dijeni se Ministria e Punëve të Jashtme greke do të protestonte në Ambasadën e Serbisë në Greqi, është të paktën misterioz, duke shtuar se “gjithçka ishte e pastër si loti.”

Është e çuditshme që për një kohë të gjatë ka pasur thashetheme të pakonfirmuara se armët që Perëndimi i dërgon Ukrainës nuk shkojnë në front, por rishiten jashtë Ukrainës. Nuk ka asnjë agjenci specifike që mund të kontrollojë saktësisht transferimin e armëve në tregun e zi. Në fund të fundit, nuk është rastësi që Interpoli të mërkurën e kaluar përsëri shprehu shqetësimin serioz për dërgimin e armëve të vogla, të mesme dhe të rënda në Ukrainë që mund të përfundojnë në duart e kriminelëve në Evropë dhe Lindjen e Mesme, thekson në të njëjtin tekst mediumi grek.

Gazeta greke “News 24/7” shkruan se aeroplani ukrainas Antonov-12, i cili u rrëzua mbrëmjen e së shtunës, është ulur dy herë në muajin e fundit në aeroportin grek në Kretë, siç raporton kjo media, sipas bazës së të dhënave të web faqes “fliradar24. com”.

“Arsyeja e zbarkimit në Kretë nuk dihet, si dhe ngarkesa e saj. Është interesant fakti se të dyja herë ka qëndruar rreth një orë në aeroport, i cili me sa duket ka qenë një stacion tranziti për të, por të dyja herët humbet pista e fluturimit, si pasojë e së cilës rruga e tij, para dhe pas kalimit nëpër Greqi, është jo e qartë. Për herë të parë ky aeroplan u ul në aeroportin e Kretës më 7 qershor të këtij viti, ndërsa më parë, duke gjykuar nga rruga e fluturimit, ishte mbi kufirin e Algjerisë dhe Tunizisë, por pa asnjë tregues se nga cili aeroport u ngrit”, sipas mediave greke.

Hera e dytë që Antonov u pa në Greqi ishte më 17 qershor, ku aeroporti i Kretës ishte ndalesa e tij. Një orë më vonë ai u kthye në ajër, duke fluturuar në juglindje, dhe pika e fundit, ndryshe nga hera e parë që u ul në Tel Aviv, ishte mbi detin Libian, diku midis Kretës dhe bregdetit të Afrikës së Veriut.

“News 24/7” ka tentuar të marrë përgjigje nga kompania “Meridian” në Kiev, e cila thuhet se është pronare e aeroplanit të rrëzuar, por pa sukses. Ata janë pyetur edhe për arsyen e pranisë së aeroplanit të tyre në Kretë, si dhe se çfarë transportonte në atë moment.

Ajo që vë në pikëpyetje “News 24/7” janë informatat nga të dhënat e publikuara më parë që tregojnë se aeroplanët nuk i përkasin kompanisë ukrainase, por dyshohet se i operon duke i dhënë me qira afatgjatë nga kompania qipriote “DS Air Cyprus”. Ata arrijnë në përfundimin se aeroplani nuk ishte zyrtarisht i panjohur për autoritetet greke.

Gjithashtu tërheqin vëmendjen pretendimet e pakonfirmuara se armët që Perëndimi i dërgon Ukrainës nuk shkojnë në front, por rishiten jashtë Ukrainës, sipas mediave greke.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Artisja e njohur suedese Liza sjell në jetë princin e dytë

Story i radhës

Bytyqi paralajmëron inspektime në magazinat e peletave

Të fundit nga

ShkoLartë