Dy herë brenda pak ditësh, kryeministri Albin Kurti ka folur për mundësinë e fillimit të një lufte të re në Kosovë, nisur nga provokimet serbe. Fillimisht e tha për gazetën italiane “La Repubblica”, e më pas edhe për “Reuters”. Sipas shefit të ekzekutivit, është e papërgjegjshme që të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve.
Tanimë s’ka asnjë dyshim se Serbia ëndërron të kthehet në Kosovë, e gjitha që e frenon është NATO-ja në Kosovë, konkretisht SHBA-ja. Deklarata kërcënuese për Kosovën kanë dhënë duke nisur nga presidenti serb Vuçiq e deri tek të tjerët në rang më të ulët. Në veçanti kur Kosova ka synuar të shtrijë sovranitetin në veri, pothuajse çdo herë ka pasur deklarata kërcënuese se “jemi gati të mbrojmë serbët në veri”, apo edhe të tipit “një ditë do të kthehemi në Kosovë”, etj.
Natyrisht se Serbia, përkundër mbështetjes së Rusisë nuk guxon të ndërhyjë në Kosovë, derisa SHBA-ja është këtu. Mirëpo, nëse çmendet Vuçiqi dhe nis forcat serbe në Kosovë, jam i bindur se ka shumë qytetarë që do i dalin në mbrojtje vendit, kemi këtu edhe FSK-në. Mirëpo, shtrohet pyetja a do të dalin ta mbrojnë vendin ata që na kanë lodhur qe 20 vjet duke thënë “kam luftuar, kam luftuar…”, soji i Hashimit (ky gjendet në Hagë, por edhe po të ishte këtu a do të nisej i pari për te “Rogneri”), ata mbi 60 mijë veteranë a do ta tregojnë veten?!
Dyshoj shumë, pavarësisht se kjo është një gjendje hipotetike, megjithatë Kosova duhet të jetë çdoherë e gatshme për të mbrojtur vendin e saj. Askush nuk lufton për vendin më me zemër se ai që është lindur dhe rritur këtu, ka gjakun dhe baltën e këtij vendi në secilën pjesë të trupit. Jam thellësisht i bindur, ata që flasin nuk kanë vepra, ata që përmendin luftën ditë e natë, janë po ata që janë fshehur skutave e në banjo kur ka pasur beteja, luftëtarët e vërtetë janë ata që publiku nuk i njeh, ata rrinë të heshtur, janë po ata atdhetarët e vërtetë, janë ata që në secilën situatë i dalin vendit në mbrojte, ata nuk luftojnë për famë, pasuri e pozita, luftojnë për vendin, atdheun.
Të tillë s’kanë qenë në pozita, ata nuk janë shfaqur në emisione, në media, janë të fshehur, çdoherë kur vendi ka nevojë ata janë aty .Të tillë njerëz i duhen vendit, me të tillë vendi mbrohet dhe nderohet. Serbia, kot krekoset, nuk është më Kosova e vitit 1998, tanimë kemi ushtrinë tonë, pa anashkaluar KFOR-in. Po imagjinoj për një moment, Hashimin, Kadriun, Samiun, Fatmirin, Xhavitin, plumbi i parë që do të shkrepej, do të iknin drejt e në “Rogner”, nga ku do bënin thirrje “për fonde, atdheu ka nevojë”.
Paralajmërimi i Albinit nuk është i pabazë, ka indikacione që shpien tek kjo gjë. E në rast se ndodh, a thua ku do të jenë komandantët, në front apo në Rogner?!