Përsëri janë thyer barrierat e sportit tonë, ku atletika ka arritur të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Botëror të Sallës, që po zhvillohet në Beograd të Serbisë.
Atletja Gresa Bakraqi përfaqësoi Kosovën me inicialet “KOS” në fanellë, ashtu sikurse të gjitha pjesëmarrëset e tjera, përcjell KosovaPress.
Por, shkaku i Kosovës, organizatori i kësaj gare së bashku me Federatën Ndërkombëtare të Atletikës, u vendos që asnjë flamur i ndonjë shteti pjesëmarrës të mos shfaqet në stadium.
Diskriminimi i vetëm erdhi nga regjia serbe, e cila nuk shfaqi flamurin e Kosovës tek emri i garueses, por vetëm shkurtesën “KOS”, duke dëshmuar edhe një herë se politika serbe ende përfshihet në sport, gjë kjo që është e papranueshme.
Si pasojë e kësaj, KOK-u së bashku me Federatën Atletike të Kosovës kanë paraqitur menjëherë ankesë në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Gresa garoi në 1500 metra dhe doli e 17-ta nga 19 garuese, me kohë 4 minutë e 28.40 sekonda.
Pas garës, Bakraqi tregoi përvojën e saj në këtë garë dhe presionet e ndryshme që kishte nga organizatorët.
“Vazhdimisht organizatori është munduar të ma mbulojë fanellën ku shkruante Kosova. Jam ndier e diskriminuar dhe asesi nuk kam pranuar të garojë, derisa të jem e barabartë me garueset tjera. Në fund, kanë lëshuar pe dhe kam garuar me shkurtesën KOS”, tha Bakraqi.
“Gazetarët vazhdimisht kërkonin të merrnin intervistë nga unë, kurse sigurimi dhe policia serbe, që më përcllinin në çdo hap nuk i lejonin. Madje, gazetarët serbë më quanin ‘heroina’”, shtoi më tej atletja kosovare.
Sa i përket rezultatit, Gresa shtoi se ka pritur paraqitje edhe më të mirë, por stresi i krijuar para garës e bëri të veten, ndërsa sporti i atletikës ishte përfaqësuar javë më parë edhe në Kampionatin Ballkanik, të mbajtur po ashtu në Beograd.