(VIDEO) Presidenti i falë 8 muaj burg Feta Alimit, gëzohet Sela

I burgosuri Abdylfeta Alimi, është gjetur në listën e personave që presidenti Stevo Pendarosvki e ka falur pjesërisht, gjegjësisht 8 muaj. I pari i shtetit ka marrë vendim për faljen e pjesshme të 5 personave të dënuar, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe emri i Abdylfeta Alimit, anëtar i sigurimit parlamentar, i dënuar për ngjarjet e 27 prillit, për të cilin lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela thoshte se i kishte shpëtuar jetën. Lista që kishte nënshkruar Pendarovski është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare.

Katër personat e tjerë që janë falur janë,  Aleksandar Petrovski, i cili është liruar plotësisht burgU. Nga vuajtja e dënimit me burg janë liruar pjesërisht Nexhmedin Matoshi (4 muaj), Dimitar Mishkov (3 muaj) dhe Xhafer Nebija (5 muaj).

Menjëherë pas këtij vendimi, reagoi lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela.

Ziadin Sela, kryetar i ASH-së

“U gëzova pa masë Feta, pa çka se tetë muaj falje s’janë asgjë në krahasim me shtatë vite padrejtësisht i dënuar. Ti duhet të jesh i lirë dhe jo i falur miku im. Falë teje jam, e falë të qofsha”.

Alimit, tashmë i mbeten edhe rreth një vit e gjysëm për të vuajtur denim.

Para tre ditësh ai kishte shkruar që për 43 muaj sa po qëndron padrejtësisht në burg, ka kaluar shumë vështirësi, por nuk është ligshtuar.

Feta Alimi

“36 muaj nga denimi i padrejt që mu shqiptua!! 43 muaj burg efektiv! Edhe pse me shumë vështirësi, po besoj që nuk u ligshtova asnje ditë të vetme fal Zotit! Ja që po e kalojmë bashk me familjen e miqt e vërtet edhe kët sfid të jetës! Zoti jau lehtësoft gjithë shokëve të burgut vuajtjet! Përshendetje pêr gjith dashamirët!! Feta Alimi nga Burgu idrizoves”.

Përndryshe, Abdylfeta Alimi e kishte shpëtuar nga vdekja kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të 2017.

Për ngjarjet e përgjakshme në Kuvend, procesi gjyqësor nisi kundër 33 të akuzuarve, të cilët ishin autorë  të sulmit  në Parlament dhe të sulmeve ndaj deputetëve të pushtetit aktual. Por, pas sjelljes së ligjit për amnisti ishin falur 15 persona. Më 15 mars 2019 Abdylfeta Alimi ishte dënuar me 7 vite burg. Pastaj, më 12 shkurt të vitit 2021, Gjykata e Apelit uli dënimet me burg për të akuzuarit në rastin “27 Prilli” dhe Feta Alimit dënimi i ishte ulur për 1 vit, gjegjësisht prapa grilave do të qëndronte për gjashtë vjet.

Emine Ismaili /SHENJA/

Story i mëparshëm

A i ka plotësuar Alimi kushtet e parashikuara për amnisti? Përgjigjet kabineti i Pendarovskit

Story i radhës

Me inicialet “KOS” në mes të Beogradit, atletja Bakraqi përfaqëson Kosovën në Kampionatin Botëror në Serbi

Të fundit nga