Cilit shtet afrikan, aziatik apo latino-amerikan i përket kryeministri, i cili në samitin e NATO-s në mars 2022 ka shprehur përkrahje për Serbinë, (pohim publik i presidentit serb Vuçiç), dhe nuk ka shprehur në samit përkrahje për kërkesën e Kosovës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO?
Cilit shtet afrikan, aziatik apo latino-amerikan i takon kryeministri, i cili nën hijen e frikës nga Serbia, në vend të kërkojë në samitin e NATO-s në 28 qershor 2022 anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës, del e kërkon një status të njejtë bashkëpunimi atlantik për Kosovën, që e ka edhe Serbia. Është nonsens diplomatik, (nuk po themi patriotik, sepse është fjalë jashtë mode në Tiranë), të kërkosh pjesëmarrjen e Kosovës në “Partneritetin për Paqe”, në një kohë kur qeveria e Prishtinës ka kërkuar anëtarësim të përshpejtuar, sepse në Europë po bën luftë Rusia.
Në kohë lufte nuk vlejnë më rregullat e vjetra dhe format e kapërxyera të integrimit. Është kjo luftë, e cila po zhvillohet në Europë, që e detyroi samitin e BE në 24 qershor 2022 të marrë vendimin e guximshëm për t’i dhënë Ukrainës statusin e shtetit kandidat për në BE, pra një shteti gjysëm të pushtuar nga ushtria ruse dhe të cilit Kremlini po i vë në diskutim ekzistencën si shtet.
Ndaj emergjencat e luftës së re ruse sugjerojnë ritme të shpejtuara dhe forma të reja të integrimit atlantik.
Por Tirana në samitin e NATO-s në 28 qershor 2022 kërkoi për Kosovën të njejtin status, të cilin e ka në NATO edhe Serbia, e cila është anëtare e programit “Partneritet për paqe” qysh në vitin 2006 dhe as ka ndërmend të hyjë në NATO, madje e urren NATO-n njësoj siç e urren Rusia. Në kalendarin zyrtar të presidentit të Serbisë figuron edhe celebrimi i përvitshëm i “Ditës AntiNATO”.
Madje statusin atlantik, që marshalli socialist e kërkoi për Kosovën në samitin e NATO-s, e ka edhe Rusia, që është anëtare e “Partneritetit për Paqe” që në vitin 1994. E ka edhe Bjellorusia, anëtare që nga viti 1995.
Menjëherë pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe konfliktit të ri midis NATO-s dhe Rusisë, Kosova ka kërkuar zyrtarisht anëtarësimin e përshpejtuar në NATO. Presidentja e Kosovës në një letër të posaçme ia ka paraqitur këtë kërkesë edhe presidentit amerikan Bajden.
Turqia, një nga anëtaret më të rëndësishme të NATO-s, e ka përkrahur menjëherë zyrtarisht në nivel presidencial kërkesën e Kosovës për anëtarësim të përshpejtuar në Aleancën Atlantike.
Shqipëria, që duhet të ishte e para që të këmbëngulte për pranimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, ngrihet dhe i ofron Kosovës statusin, që në NATO e kanë edhe Serbia, edhe Rusia.
Ndaj Serbia dhe Rusia nuk u ndjenë dhe ishin të kënaqura me ofertën antike të Tiranës në samit për Kosovën. Më e pakta, që mund të thuhet, është se Shqipëria po bën diplomaci me kokën në qiell./Dita