Në fund të gushtit të nxehtë, si për të shpërndarë të nxehtin edhe tek politika u kujdes deputetja Doarsa Kica. Largimi saj nga partia “Guxo” zgjoi shumë reagime, pasi Doarsa ishte ndër figurat më të rëndësishme në lëvizjen e themeluar nga Vjosa Osmani.
Në simbolikën e 7 shtatorit, Doarsa zyrtarizoi kalimin tek LDK-ja, partia amë nga e cila edhe buron “Guxo”. Flitet se rrugën e Doarsës mund ta ndjekin edhe disa figura të tjera, ndonëse deri tani s’ka diçka zyrtare. Doarsa vjen nga një parti e re, që realisht nuk është e lehtë të krijosh një parti sot në vendin tonë, flas jo në kuptimin teknikë të saj, por në të rezistuarit e kohës dhe sfidave, përgjithësisht me një shoqëri konservatore që nuk i kapërdin edhe kollaj gjërat e reja, pavarësisht se në heshtje i përqafon. Kur kihet parasysh se “Guxo” buron nga një parti e madhe, rëndom partitë e ndara nga ato të mëdhatë nuk i kanë rezistuar kohës, kjo s`do të thotë se edhe “Guxo” do ta ketë fatin e saj, gjithsesi kjo duhet të jetë rëndesë për të frenuar në të bërit më të mirë të mundshëm.
Largimi i Doarsës duhet të bëjë që “Guxo”, përqendrimin duhet ta ketë tek masa e madhe që nuk voton, janë mbi 60 % të qytetarëve që nuk votojnë, eksplorimi tek kjo pjesë do të ishte mjaft produktiv gjë që mund t’i garantojë partisë së re bazë të fortë. Akoma nuk e dimë bazën e “Guxo”, ajo hyri me VV-në në zgjedhje, e kuptueshme për një Listë që nuk kishte struktura, e formuar pak para zgjedhjeve. Në zgjedhjet e ardhshme, pritet të shihet forca e “Guxo”, sa mund të jetë ajo e vetme, pa dikë mbrapa saj. “Guxo” nuk mund dhe nuk guxon të fshihet pas dikujt më të fortë, të formojë strukturat, degët e saja dhe të fillojë të synojë e vetme zgjedhjet, duke dëshmuar guxim, seriozitet dhe mbi të gjitha konsistencë në qëndrimet e tyre. Mungesa e Vjosës e penalizon partinë “Guxo”. Vjosa është sinonim i kësaj partie e nisur si Listë, të cilën e pret rrugë e vështirë. Do të ketë sfida dhe vështirësi të veta, në fund mbetet të shihet sa do të arrijë tu bëjë ballë. Duke u drejtuar nga dy persona, dy kryetarë, “Guxo” po ndjek shembullin e disa vendeve skandinave për të mëtuar të sjellë model të ri. Koha do e vërtetojë sa mund të funksionojë kjo gjë. Disa parti të tjera para saj, kanë dështuar, nuk arritën të ruajnë mbështetjen që kishin në fillim, kjo gjë mund t’i ndodhë dhe “Guxo”-s, nëse nuk do të mund tu mbijetojnë sfidave. Hapja e partisë për të rinjtë, dhe jo vetëm, duhet të jetë katalizatori kryesor për këtë parti, e cila s’duhet tu përngjajë të tjerave, të jetë unike, e besës dhe punës, vetëm kështu mund të mbijetojë në një skenë politikë mjaft të egër, shpesh edhe deri në degjenerim. Doarsa është vetëm një person, ndonëse deputete me votat e marra nën frymën e ndryshimit të madh, kjo gjë ‘duhet të shërbejë si arsye që partia “Guxo” të reflektojë për hapat e ardhshëm për t’u rritur, dhe jo tkurrur.