Në maj 1996, ushtari i Ushtrisë Serbe të Bosnjës Drazen Erdemoviç u bë personi i parë që rrëfeu para gjyqtarëve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në Hagë se ai kishte marrë pjesë në vrasjet e burrave dhe djemve boshnjakë nga Srebrenica.
Erdemoviç i tha gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës se ai pranoi të qëllonte vetëm boshnjakët sepse ishte kërcënuar: “Kur nuk pranova ta bëja këtë, ata më thanë: ‘Nëse të vjen keq, qëndro aty pranë tyre, që të të vrasim edhe ty.’”
Erdemoviç ishte personi i parë që u dënua nga gjykata për përfshirjen në masakrat e Srebrenicës dhe u dënua me pesë vjet burg. Një vit pasi u burgos, atij iu dha lirimi i parakohshëm dhe ai më vonë dëshmoi në gjyqin e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç.
Pas mbylljes së GJPNJ-së në fund të vitit 2017, çështjet e mbetura nga kjo gjykatë, duke përfshirë apelet në gjyqet historike të udhëheqësve politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, u morën nga Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare.
Në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara disa orë pas vendimit përfundimtar që dënoi Mlladiçin me burg të përjetshëm, presidenti i MICT Carmel Agius tha se gjykata kishte ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të trajtuar mosndëshkimin për krimet e luftës.
“Dhënia e vendimit në gjykimin përfundimtar në çështjen kundër Mlladiç dërgon një mesazh të fortë për viktimat e mizorive të kryera në ish-Jugosllavi dhe gjetkë, se autorët e krimeve të tilla të tmerrshme do të nxirren para drejtësisë, pavarësisht nga pozicioni i tyre ose sa të fuqishëm dhe të paprekshëm ata e konsiderojnë veten”, tha Agius.
Më 30 qershor, MICT do të japë vendimin e shkallës së parë në gjyqin e saj të fundit për krime lufte në ish-Jugosllavi – çështja kundër ish-zyrtarëve të Sigurimit të Shtetit Serb Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç.
GJPNJ-ja dhe MICT kanë dënuar deri më tani 90 persona me një total prej 1,311 vjet burg, plus shtatë dënime me burgim të përjetshëm, për krime të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Por edhe pse ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndjekjen penale të disa prej krimeve më të këqija në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, të tillë si gjenocidi i Srebrenicës, dhe kontribuuan në krijimin e standardeve të reja ligjore, të tilla si ndjekja penale e përdhunimit gjatë kohës së luftës si një krim kundër njerëzimit, disa qeveri në ish-Jugosllavi vazhdojnë të refuzojnë t’i pranojnë gjykimet e tyre.
Liderët politikë në Serbi dhe entitetin e Republikës Srpska refuzojnë të pranojnë që masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid. Serbia po refuzon gjithashtu të arrestojë dy politikanë nacionalistë të cilët kërkohen nga gjykata nën pretendimin për shpërfillje të gjykatës.
Në disa vende, kriminelët e liruar të luftës janë mirëpritur në vend pasi kanë kryer dënimet e tyre me festime të sponsorizuara nga shteti dhe ndonjëherë janë kthyer edhe në poste të rëndësishme në jetën publike.
“Sot ne nuk po përballemi vetëm me moszbatimin e vendimeve, por edhe me mohimin shtetëror të krimeve dhe lavdërimin e kriminelëve”, paralajmëroi Amir Ahmiç, një oficer ndërlidhës për gjykatën.
Vendime historike: përdhunim dhe gjenocid
Në vendimin e saj që dënon ushtarët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës Dragoljub Kunaraç, Radomir Kovaç dhe Zoran Vukoviç në vitin 2001, gjykata u bë gjykata e parë ndërkombëtare me bazë në Evropë që përcaktoi se përdhunimi gjatë kohës së luftës përfaqësonte një krim kundër njerëzimit.
Kunaraç u dënua me 28 vjet burg për përdhunim të shumëfishtë dhe skllavërimin e dy grave në zonën e Focës gjatë konfliktit në Bosnje. “Provat treguan se përdhunimi u përdor nga anëtarët e forcave të armatosura serbe të Bosnjës si një instrument terrori”, thuhej në vendim.
Në fillim të këtij viti, MICT refuzoi një kërkesë nga Kunaraç për lirim të parakohshëm, edhe pse ai e ka këtë të drejtë pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit të tij. Gjykatësi Agius përmendi “dështimin e Kunaraç për të demonstruar mjaftueshëm rehabilitim dhe peshën e lartë të krimeve të tij”.
Më shumë se një e treta e të pandehurve të cilët janë dënuar nga gjykata janë shpallur fajtorë për krime që përfshijnë dhunë seksuale, të cilën gjykata e sheh si një nga arritjet e saj kryesore. Ajo beson se gjykimet e saj për dhunën seksuale gjatë luftës kanë “hapur rrugën për një gjykim më të fuqishëm të krimeve të tilla në të gjithë botën”.
Vendimi i parë i gjykatës që vërtetoi se kundër boshnjakëve nga Srebrenica ishte kryer gjenocid ishte vendimi në çështjen kundër Radislav Krstiç, komandantit të kohës së luftës të Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës.
Gjykata vendosi se duke vrarë më shumë se 7,000 burra dhe djem nga Srebrenica në një seri vrasjesh masive në korrik 1995 dhe duke dëbuar gra dhe fëmijë, forcat serbe të Bosnjës kishin shfaqur qëllimin për të shkatërruar boshnjakët si një grup etnik në zonë, si një i tërë ose pjesërisht.
“Dhoma e quan masakrën e Srebrenicës me emrin e saj të duhur: gjenocid. Ata që janë përgjegjës do të mbajnë këtë stigmë dhe kjo do të shërbejë si një paralajmërim për ata që në të ardhme mund të mendojnë për kryerjen e një akti kaq të urryer”, tha gjykatësi Theodor Meron ndërsa shpalli vendimin përfundimtar në çështjen Krstiç në 2004.
Më pas, ish-liderët politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës Karaxhiç dhe Mlladiç, dhe ish-ushtarakë të tjerë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës u dënuan gjithashtu nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për përfshirje në gjenocidin e Srebrenicës.
Përveç gjenocidit, Karaxhiç dhe Mlladiç u dënuan për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin gjatë luftës, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara. Të dy burrat u dënuan me burgim të përjetshëm.
Gjyqi i gjeneralëve zemëron Kroacinë
Një poster i gjeneralit Ante Gotovina me sloganin “Krenaria e Kroacisë” në festimet për lirimin e tij nga akuzat në Zagreb në nëntor 2012. Foto: EPA/ANTONIO BAT.
Gjyqi më i rëndësishëm i GJPNJ-së për Kroacinë ishte çështja kundër gjeneralëve kroatë Ante Gotovina, Mladen Markaç dhe Ivan Cermak, të cilët u ndoqën penalisht për krime të kryera gjatë Operacionit Stuhia të Ushtrisë Kroate në vitin 1995.
Procesi u kthye në një dramë juridike dhe politike, duke tundur themelet e shtetit të ri kroat, i cili ishte ndërtuar mbi një narrativë të pastruar rreth një lufte të drejtë dhe mbrojtëse kundër Jugosllavisë dhe rebelëve serbë.
Aktakuza akuzoi të gjithë lidershipin politik dhe ushtarak të Kroacisë në atë kohë – duke përfshirë presidentin Franjo Tudjman – për planifikimin dhe organizimin e një fushate spastrimi etnik kundër serbëve si pjesë e një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Në vitin 2011, dhoma gjyqësore e GJPNJ-së e dënoi Gotovinën me 24 vjet burg dhe Markaçin me 18 vjet burg, ndërsa liroi nga akuzat Cermakun. Kjo shkaktoi një trazirë të madhe në shoqërinë kroate, veçanërisht midis elitave politike dhe grupeve të veteranëve të luftës.
Por vitin pasues, dhoma e apelit e GJPNJ-së liroi nga akuzat Gotovinën dhe Markaçin. Ndërsa ktheheshin në shtëpi, të dy burrave iu bashkua edhe publiku dhe politikanët e gëzuar – nga partia qeverisëse dhe e opozitës – në festimin e asaj që ata e panë si provën përfundimtare se roli i Kroacisë në luftë nuk ishte kriminal.
Edhe pse Gjykata vendosi se ishin kryer krime në shkallë të gjerë dhe i kërkoi Kroacisë t’i ndiqte ata penalisht, gjykatat shtetërore arritën të merrnin vetëm një vendim të formës së prerë dhe një vendim dënues të shkallës së parë për krimet e kryera gjatë operacionit.
Zarko Puhovski, një profesor në pension i cili ka qenë një vëzhgues i hershëm i punës së GJPNJ-së, tha se lirimi nga akuzat i gjeneralëve ishte i rëndësishëm për shtetin kroat pasi konfirmoi se “askush nuk u dënua për krime të kryera nga trupat kroate në territorin kroat”.
Ai shpjegoi se politikanët kroatë kontribuuan në një pikëpamje shumë kritike të GJPNJ-së në vend sepse ata do ta vlerësonin ose dënonin atë në varësi të faktit nëse ajo dënonte të dyshuar kroatë.
“Kjo tregon standardet e dyfishta të pranishme në politikën kroate, në të cilën presidenti kroat Zoran Milanoviç e sheh GJPNJ-në si një organizatë luftarake. Megjithatë, në të njëjtën kohë, presidenti mbështet vendimin për Mlladiçin ndërsa dënon konceptin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale si “anti-kroate”, megjithëse Mlladiç nuk do të ishte dënuar në këtë mënyrë pa këtë koncept”, tha ai.
Të pandehur kyç ndërrojnë jetë para vendimeve
Sllobodan Milloseviç në Gjykatën e Hagës në shkurt 2002.
Si president i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç ishte kreu i parë i shtetit i akuzuar për krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare. Por ai nuk jetoi për të dëgjuar vendimin, pasi ndërroi jetë nga një infarkt në zemër në paraburgim në Hagë në mars 2006 para përfundimit të gjyqit të tij.
Millosheviçi u akuzua për mbajtjen e përgjegjësisë për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë të Kosovës dhe dëbimin e rreth 800,000 të tjerëve gjatë luftës në Kosovë, vrasjet dhe arrestimet e civilëve kroatë gjatë luftës në Kroaci dhe vrasjet dhe arrestimet e civilëve boshnjakë dhe të tjerë jo-serbë gjatë luftës në Bosnjë, ndër shumë krime të tjera të pretenduara.
Trashëgimia e tij nga vitet e luftës së viteve 1990 ende hedh një hije mbi Serbinë. Dy vjet pas vdekjes së tij, Partia e tij Socialiste u bë partner në koalicionin qeverisës të Serbisë dhe mbetet e tillë deri më sot.
Në vitin 2018, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili ishte ministër informacioni në një nga qeveritë e Millosheviçit në vitet 1990, e përshkroi atë si “një udhëheqës të madh serb” “qëllimet e mira” të të cilit nuk përputheshin me rezultatet e tyre.
Pas arrestimit të Millosheviçit në 2001, Serbia kaloi një dekadë duke u përpjekur të arrestonte të gjithë të dyshuarit e tjerë për krime lufte të kërkuar nga Gjykata e Hagës të cilët ishin fshehur në vend. I fundit që u ndalua ishte Goran Haxhiç, lideri rebel serb i Kroacisë i kohës së luftës, i cili u akuzua për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në Kroaci nga 1991 në 1993.
Por Haxhiç gjithashtu vdiq para vendimit në gjyqin e tij, në korrik 2016. Përfaqësuesit e viktimave të luftës shprehën keqardhje që as Millosheviçi dhe as Haxhiç nuk jetuan aq sa të dënoheshin.
Manda Patko nga shoqata e viktimave të luftës “Nënat e Vukovarit” tha për BIRN pas vdekjes së Haxhiçit se ai “vdiq pa dënimin që meriton … Për ne, ai është një kriminel lufte. Ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë i tillë.”
Dënimet e Kosovës për zyrtarët serbë
Policë serbë në protestë në Beograd në tetor 2003 kundër akuzave të prokurorisë së Hagës kundër gjeneralëve të policisë dhe ushtrisë serbe. Foto: EPA/SASA STANKOVIC.
Shumica e zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe policorë të Serbisë u burgosën nga gjykata për krime kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës në Kosovë, në një gjyq që zbuloi jo vetëm shkallën e mizorive që ishin kryer, por edhe shkallën e operacioneve të ndërmarra për të fshehur trupat e viktimave në varre masive sekrete.
Përveç Millosheviçit, i cili vdiq para vendimit të tij, i pandehuri i vetëm që shmangu dënimin ishte presidenti serb i kohës së luftës Milan Milutinoviç.
Ata që u burgosën përfshinin shefin e shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Dragoljub Ojdaniç, zv/kryeministrin jugosllav Nikola Sainoviç, gjeneralët e Ushtrisë Jugosllave Nebojsa Pavkoviç dhe Vladimir Lazareviç dhe gjeneralin e policisë serbe Sreten Lukiç.
Ojdaniç i pranoi krimet në janar 2013, por tetë muaj më vonë, kur u la i lirë pasi vuajti dy të tretat e dënimit të tij, ai e tërhoqi pas rrëfimin e tij.
Pas lirimit të tyre, Sainoviç dhe Lazareviç u mirëpritën në Serbi si heronj dhe iu dha kohë e mjaftueshme mediatike për të mohuar faktet e përcaktuara nga gjykata për krimet e kryera kundër shqiptarëve të Kosovës.
Në anën tjetër në luftën e Kosovës 1998-1999, dy guerilasit më të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paditur nga gjykata, komandantët e kohës së luftës Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, u liruan të dy nga akuzat.
Vetëm një luftëtar i rangut më të ulët i UÇK-së, Haradin Bala, u dënua me 13 vjet burg për kryerjen e krimeve të luftës kundër serbëve dhe shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet jugosllave.
Si shumë ish-komandantë të tjerë të UÇK-së, liderë politikë në Kosovë pas luftës dhe kishin shërbyer si ministra.
Gjyqet e tyre u shoqëruan me pretendime për kanosje të dëshmitarëve. Në vendimin për Ramush Haradinaj, gjykata vuri në dukje se kishte hasur “vështirësi të konsiderueshme” në marrjen e një numri të madh dëshmitarësh për të dëshmuar. “Shumë dëshmitarë përmendën frikën si një arsye të dukshme për të mos pranuar të paraqiteshin para trupit gjykues për të dhënë prova”, shpjegoi ajo.
Dëshmitarë të shumtë i ndryshuan dëshmitë e tyre gjatë të dy gjyqeve, ndërsa disa të tjerë vdiqën në rrethana misterioze dhe pati dënime për ndërhyrje te dëshmitarët në të dy rastet.
Në një tregues të seriozitetit të problemeve të vazhdueshme me mbrojtjen e dëshmitarëve në çështjet e lidhura me luftën e Kosovës, Dhomat e Specializuara të Kosovës të themeluara së fundmi në Hagë, që pritet të gjykojë ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe figura të tjera të larta të UÇK-së për krime të dyshuara të lufte, ka paralajmëruar tashmë se është përballur me përpjekje nga brenda Kosovës për ta minuar atë, gjë që mund të vërë në rrezik jetën e dëshmitarëve.
Helm në sallën e gjyqit
Homazhe për gjeneralin kroat të Bosnjes Slobodan Praljak në Zagreb në dhjetor 2017 pasi kreu vetëvrasje në sallën e gjyqit në Hagë.
Në vendimin e fundit të dhënë nga GJPNJ-ja në nëntor 2017, dhoma e apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë që dënon gjashtë zyrtarë politikë dhe ushtarakë të shtetit të vetëshpallur të udhëhequr nga Kroacia të Herceg-Bosnjës me një 111 vjet burg për krime kundër boshnjakëve nga viti 1992 deri në 1994.
Gjykata gjeti se të pandehurit – Jadranko Prliç, Bruno Stojiç, Slobodan Praljak, Milivoj Petkoviç, Valentin Coriç dhe Berislav Pusiç – morën pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga autoritetet në Zagreb me qëllim krijimin e një entiteti kroat në Bosnjë dhe Hercegovinë e cila synohej të bëhej pjesë e një “Kroacie të madhe”.
Dënimet mbetën në hije për shkak të dramës që ndodhi në sallën e gjyqit, kur Praljak piu helm ndërsa gjykatësi po lexonte vendimin e tij dhe vdiq jo shumë më vonë në spital. Pas vdekjes së tij, ngjarjet përkujtimore të mbajtura në kujtim të tij në Kroaci ngritën përsëri shqetësime se kriminelët e luftës po lartësoheshin njësoj si të ishin figura heroike.
Vetëvrasja e Praljak e shndërroi atë në “një martir popullor” në Kroaci, tha Zarko Puhovski.
Megjithëse vdekja e Praljak zuri titujt kryesorë të lajmeve, vendimi për Herceg-Bosnjën ishte një vendim mjaft domethënës, sepse arriti në përfundimin se Kroacia ishte e përfshirë drejtpërdrejt në luftën e Bosnjës. Vendimi i ardhshëm në çështjen kundër zyrtarëve të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Serb Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç gjithashtu mund të konkludojë se Serbia luajti një rol të drejtpërdrejtë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë.
Ahmiç tha megjithatë se ai beson se elitat politike nacionaliste në Serbi dhe Kroaci nuk do të pranojnë kurrë vendime që thonë se vendet e tyre ishin përfshirë në konflikte ndërkombëtare në vitet 1990.
“Kjo është arsyeja pse nuk është bërë asnjë progres i madh në ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin”, argumentoi ai.
Filip Svarm, kryeredaktor i revistës së lajmeve Vreme me qendër në Beograd, tha se tani ka pak interes në gjykime të tilla midis publikut serb dhe se vendimi i gjykatës në çështjen e saj të fundit – gjyqi i zyrtarëve serbë Stanisiç dhe Simatoviç – nuk do të bëjë ndonjë ndryshim të madh.
“Në Serbi, njerëzit flasin për gjithçka përveç viteve 1990”, tha Svarm. “Unë mendoj se kemi amnezi kolektive. Sapo të përfundojë e gjithë kjo, amnezia thjesht do të thellohet.”
Pas gjykatës
Arkivi i Gjykatës së Hagës.
Arkivat e dokumenteve dhe provave të Gjykatës së Hagës, si dhe faktet që ajo vërtetoi, lënë pas një grup të pasur materialesh për studiuesit.
Por mbetet e paqartë nëse trashëgimia e saj për të kërkuar drejtësi do të mbështetet nga gjykatat vendase në ish-Jugosllavi.
Iva Vukusic, një historiane në Universitetin Utrecht në Holandë, tha ndërsa gjykata përfundon punën e saj, nuk ka presion të mjaftueshëm mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë dhe Serbinë për të garantuar që të gjitha krimet e luftës të mbetura të pandëshkuara nga konfliktet e viteve 1990 të ndiqen penalisht siç duhet.
Vukusic argumentoi se publiku duhet t’i bëjë presion autoriteteve në mënyrë që të shohë të vihet drejtësi. “Ne nuk duam të jetojmë të rrethuar nga kriminelë lufte”, tha ajo.
Megjithatë, nëse gjykata duhet të kishte bërë apo jo më shumë për të ushqyer pajtimin pas luftës mbetet një çështje debati intensiv – veçanërisht pasi liderët politikë nacionalistë vazhdojnë para me axhendat e tyre përçarëse etnike në të gjithë Ballkanin.
Por Ahmiç vuri në dukje se presidentët e gjykatës gjithmonë kanë theksuar se ajo “nuk ishte e mandatuar për të vendosur pajtim dhe paqe”.
Nevenka Tromp, e cila ishte studiuese kryesor në ekipin që ndoqi penalisht Sllobodan Millosheviçin në Hagë, gjithashtu theksoi se ishte e pazakontë që të filloheshin procese të tilla kaq të mëdha.
“Pas konflikteve dhe luftërave, zakonisht nuk e keni mundësinë e një gjykate ndërkombëtare penale që merret me ato çështje”, tha Tromp.
Pavarësisht mangësive të gjykatës, Puhovski pranoi se nëse kjo gjë do të ishte lënë në duart e gjykatave vendore në vendet e kriminelëve të luftës, ata nuk do të ishin sjellë kurrë para drejtësisë.
Pa gjykatën, ai tha, “do të kishte qenë e pamundur të gjykoheshin ato që mund t’i quani ‘krimet tona të luftës’ para gjykatave në Zagreb, Beograd dhe Sarajevë”.
…