Mbyllja e mediave në Hong Kong, një prirje shqetësuese

Udhëheqësit e medias dhe gazetarët e Hong Kongut po përpiqen të përshtaten me mjedisin sfidues të krijuar nga ligji i sigurisë kombëtare i miratuar nga Pekini. Një numër mediash janë mbyllur dhe një numër gazetarësh janë ndaluar pas hyrjes në fuqi të këtij ligjit, një prirje që po shqetëson banorët e Hong Kongut dhe grupet e mbrotjes së gazetarëve.

“Apple Daily” dhe themeluesi i saj, Jimmy Lai u bënë viktimat e para të ligjit të sigurisë kombëtare në qershor të vitit 2021. Gazeta që mbështeti lëvizjen pro-demokratike të Hong Kongut në vitin 2019, urrehej nga udhëheqja e Pekinit.

Pas ngritjes së akuzave bazuar në ligjin e sigurisë kombëtare, llogaritë e gazetës u ngrinë. Gazetari Lai, një kritik i hapur i partisë komuniste kineze, tani është në burg.

Për shumë banorë të Hong Kongut, rënia e gazetës ishte një mesazh i frikshëm.

“Është si vdekja, sepse Hong Kongu supozohej të kishte lirinë e shtypit dhe fjalës. Nëse organizata e fundit që flet në mbështetje të Hong Kongut zhduket, unë nuk do të doja të jetoja më këtu”, thotë Steven Liu, banor i Hong Kongut.

“Apple Daily” nuk ishte media e fundit që u mbyll. Në fund të dhjetorit, policia e sigurisë kombëtare bastisi portalin pro-demokracisë “Stand News”. Pasuritë e saj u ngrinë dhe kompjuterët, telefonat dhe materialet gazetareske, u morën nga selia me karroca.

Turmat u shfaqën në mbështetje të dy redaktorëve, që ishin akuzuar për nxitje të kryengritjes. Arrestimet e tyre erdhën edhe pasi gazeta kishte njoftuar se do t’i ndërpriste operacionet.

Rreziku i padive po ndryshon mënyrën se si mendojnë mediat, thotë Ronson Chan, ish-gazetar i portalit “Stand News” që udhëheq Shoqatën e Gazetarëve të Hong Kongut. Policia shpenzoi pesë orë duke kontrolluar banesën e tij të vogël. Zoti Chan foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“Askush nuk mund të shpëtojë nga ligji i sigurisë kombëtare, kështu që ju mund të jeni në rrezik shumë të lartë, nëse bëni diçka shumë të ndjeshme. Ndihem shumë i trishtuar për të ardhmen e gazetarisë në Hong Kong”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Një javë më vonë, “Citizen News” njoftoi mbylljen.

“Nuk jam e sigurt nëse një histori, një lajm apo një fjali do të shkelë një ligj të ri në mjedisin në ndryshim të medias. Nëse nuk mund t’i lë gazetarët e mi të vazhdojnë punën si më parë, atëherë duhet të ndalem. Si udhëheqëse e tyre, në fund të fundit jam përgjegjëse për gazetarët”, thotë ish-redaktorja e rrjetit “Citizen News”.

Ajo shtoi se gazetarët duhet të ndihen të sigurt në punën e tyre.

Udhëheqësja e Hong-ut, Carrie Lam thotë se qeveritë perëndimore, kritike ndaj mbylljes së mediave, nuk e kuptojnë ligjin e Hong Kongut. Gazetarët po respektohen, por ata duhet ta ushtrojnë siç duhet profesionin e tyre, thotë ajo.

“Nëse ju shkelni ligjin, por e paraqisni veten si praktikues të shtypit, atëherë ne duhet ta shohim këtë, të jemi në gjendje të tregojmë se çfarë po ndodh në të vërtetë dhe departamenti i zbatimit të ligjit duhet të marrë masa”, thotë ajo.

Aktivistët e Mbrojtjes së lirisë së shtypit thonë se është një kohë e pasigurtë për gazetarët në Hong Kong.

“Unë mendoj se këtu në Hong Kong për momentin gazetarët janë të shqetësuar, të frikësuar dhe të dëshpëruar. Megjithatë, ata po përpiqen të vazhdojnë punën e tyre me mundësitë që kanë. Është një kohë e vështirë, duke patur parasysh se dikur Hong Kongu ishte rajoni më i lirë për shtypin në Azi, në këtë pjesë të botës”, thotë Keith Richburg, drejtor i Qendrës së Gazetarisë dhe Studimit të Medias në Universitetin e Hong Kongut.

Tani, me mbylljen e mediave pro-demokratike dhe me ligjet që i bëjnë gazetarët të kujdesshëm ndaj mbulimit të zhvillimeve politike, kjo liri është e kufizuar./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Grevë e përgjithshme e LSM-së në qendër të Shkupit

Story i radhës

Përgjigjja e Ceferinit për ndërhyrjen e Veliajt

Të fundit nga