Qytetarët u mblodhën pasditen e kësaj të hëne, për të 79-tën ditë radhazi, duke kërkuar sërish largimin e Kryeministrit Edi Rama, qeverisë së tij dhe klasës politike.
Sikurse e kanë bërë ‘traditë’, ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë, të cilin e kanë “shndërruar” në sheshin e tyre të betejës ndaj Ramës, ndërsa thonë se nuk do të largohen deri në dorëheqjen e tij.
“Edi Rama jepe dorëheqjen”, “Arrestoni Ramën”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Arrestoni Belindën” ishin thirrjet që dominuan edhe sot protestën.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj, në fjalën e saj, deklaroi se qytetarët për 79 ditë me radhë i kanë thënë klasës politike se ka marrë fund.
“Për 78 ditë, ky shesh është bërë sheshi i bashkimit të të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve për të kërkuar një jetë të dinjitetshme, që të mos qeverisemi më as nga hajdutë, autokratë apo deputetë të inkriminuar.”, tha ajo.
Aktivistja dhe banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj ironizoi kryeministrin Edi Rama për sulmet e tij të vazhdueshme ndaj protestuesve, i cili ka pretenduar se tashmë në shesh kanë mbetur vetëm ‘sorrat’ sepse flamengot kanë ikur.
“Thanë që erdhën sorrat, me vjen shumë keq por flamingot janë mes nesh dhe do të vazhdojnë të jenë derisa të shpëtojnë Shqipërinë. Ne jemi flamingot që vijmë në shesh me fëmijët tanë”, u shpreh mes të tjerash ajo.
Një protestues tjetër shpërtheu edhe ndaj ish zëvendës kryeministres Belinda Balluku, teksa përmendi 300 apartamentet e saj.
“300 apartamente Balluku. Unë bashkë me prindërit e mi jetojmë me qira në Tiranë. Unë dhe shumë të tjerë si unë.”, tha ai.
Nuk munguan as mesazhet përmes pankartave.
“79 ditë, një ditë më afër”, “Hajdutët në zyra prokurorojnë, rinia në emigrim”, “Gjykatat në aheng me Ramën, kush mbron popullin”, shkruhej në disa pankarta.
Burimi: botasot.info


