Kampionati i futbollit amator 9×9, “FSHF Sunday League” vazhdon të zhvillojë me sukses ndeshjet javë pas jave.
Ky kampionat i futbollit në Tiranë ka tërhequr shumë skuadra që janë bërë pjesë e tij e sakaq, edhe tifozë që mbështesin ekipet amatore. Kjo javë e 12-të ka prodhuar ashtu sikurse çdo javë gola e shumë emocione për skuadrat e grupeve A dhe B.
Në grupin A, Nova vijon të ruajë kryesimin, pasi mundi me shifrat 2-1 skuadrën e FB Passion, ndërsa ndiqet nga ekipi i Roamel që shpërtheu ndaj Barrikadës, duke marrë një fitore të thellë 6-0. Digi Print-i i vendit të tretë u ndal në barazimin 0-0 ndaj Ju Ar Plastit dhe gjendet në kuotën e 22 pikëve, po aq sa Homeland Patriots i vendit të katërt dhe Primo MFC i vendit të pestë.
Ndërkaq, në grupin B, Dajti i vendit të parë mundi me shifrat e thella 6-0 ekipin e Tirona Republic, duke konfirmuar kështu ecurinë pozitive në kampionat. Ndeshja më e fortë e kësaj jave, Prestige MFC – ATS është shtyrë për shkak të ndeshjeve gjysmëfinale të FSHF Cup që u zhvilluan të enjten e të premten. Këto dy skuadra janë në të njëjtën kuotë pikësh, teksa ndiqen nga Vila MFC që u mund nga ekipi i Friends Team.
Sakaq, në finalen e madhe të FSHF Cup kanë kaluar Prestige MFC dhe FC Dussel. Kjo sfidë do të zhvillohet më 21 shkurt në “Skënder Halili”, duke nisur nga ora 20:00.