Pasi talebanët vendosën mbylljen e universiteteve për vajzat, OKB ka reaguar duke i bërë thirrje vendeve islamike që të dënojnë këtë ligj.
I dërguari i posaçëm i OKB, Gordon Brown ka reaguar duke thënë se: “Kjo është një nga ditët më të trishtuara për ata që shqetësohen për të drejtat e vajzave dhe grave”, duke iu referuar vendimit të marrë nga Ministria e Arsimit të Lartë, e drejtuar nga talebanët.
Në një intervistë për mediat e huaja, Brown tha se ekonomia afgane do të dëmtohej në afat të gjatë nëse gratë nuk lejohen të trajnohen si mjeke, mësuese, studiuese, shkencëtarë dhe për profesione të tjera.
Ai shtoi se, vendimi mund të bëjë që gratë që janë mësuar të jenë “mendimtare të pavarura” ose do të përpiqen të largohen nga vendi ose t’u nënshtrohen këtyre rregullave, tha ai.
“Mënyra se si mund ta trajtojmë këtë, është që të gjithë liderët tanë në vendet myslimane të protestojnë dhe të thonë se Islami nuk e kërkon këtë,” shtoi Brwon.
Një numër vendesh myslimane e kanë dënuar tashmë ndalimin mbarëkombëtar.
Studentet femra afgane protestuan kundër ndalimit të premten në Kabul pasi personeli talebanë pengoi hyrjen e tyre në auditorë, por protestat u mbyllën shpejt nga zyrtarët e sigurisë duke arrestuar disa prej pjesëmarrëseve, bashkë më tre gazetarë.