Në kuadër të vizitës së parë të punës në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, realizoi takim me zëvendësministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Emigracionit, Ajman Safadi.
Siç njoftoi MPJ-ja, në fokus të bisedimeve ishin temat lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Jordanisë në nivel bilateral dhe multilateral, si dhe mënyrat për avancimin e mëtejmë në periudhën që vijon. E një rëndësie të veçantë ishte nënshkrimi i Protokollit për Bashkëpunim ndërmjet dy Ministrive të Punëve të Jashtme, që lehtëson dhe inkurajon bashkëpunimin dhe komunikimin e drejtpërdrejtë në politikë, ekonomi, shkencë, kulturë dhe në fusha të tjera me interes.
“Vizita e sotme paraqet konfirmim të zotimeve të përbashkëta për intensifikimin e marrëdhënieve, veçanërisht në pjesën e ekonomisë, relacioneve të biznesit dhe lidhjeve kulturore. Sinqerisht, pres që niveli i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit, të intensifikohet me rritje të dinamikës, pasi që e ndajmë përkushtimin e njejtë për paqe dhe stabilitet si në rajon ashtu edhe në botë”, theksoi Osmani.
Në takim, siç njofton MPJ-ja u bë fjalë edhe për interesimin e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Union, me ç’rast Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e pahamendshme të Jordanisë për realizimin e këtij qëllimi.
“Anëtarësimi i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut në Unionin, për Mesdheun do të sigurojë rrjetëzim dhe integrim më të ngushtë në strukturat evropiane që punojnë me rajonin e Mesdheut dhe ndërveprim më të mirë me fqinjin jugor të Bashkimit Evropian. Më tej, do të kontribuojë për bashkëpunimin më të ngushtë mes vendeve tona për të forcuar rajonin e Mesdheut dhe për të krijuar mundësi të reja për projekte të reja në drejtim të krijimit të një rajoni më të fortë dhe më gjithëpërfshirës”, konkludoi Osmani.