Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka prezantuar rezultatet e punës për muajin maj dhe dy javët e para të qershorit, ku janë evidentuar 1.436 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 1.331 ose 92.6%.
Sipas drejtorit të Policisë Vendore Tiranë, Oliger Torba, gjatë kësaj periudhe janë identifikuar 1.376 autorë të dyshuar, ku 247 janë arrestuar, 1.055 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 60 janë shpallur në kërkim.
“Gjatë muajit maj janë finalizuar 58 operacione policore në fusha të ndryshme si narkotikët, armëmbajtja pa leje, krimet ekonomike, trafikimet dhe krimet kundër personit e pronës. Në operacionet më të rëndësishme janë përfshirë: Operacioni “Zonat”, ku janë sekuestruar mbi 2.7 kg kokainë dhe heroinë, si dhe shuma parash; Operacioni “Rrjeti”, ku janë sekuestruar 17 armë zjarri, municion luftarak, 6 granata dhe rreth 1 kg lëndë plasëse; Operacioni “Wrong Transaction”, me 11 masa sigurie ndaj punonjësve bankarë të dyshuar për përvetësim të mbi 400 mijë eurove; Operacioni “Falsifikatorët”, ku u goditën dy baza falsifikimi dokumentesh dhe u arrestuan 4 persona”, tha ai.
Sipas tij, janë kapur 46 persona në kërkim kombëtar dhe 6 në kërkim ndërkombëtar.
Në fushën e vjedhjeve, Torba tha se janë evidentuar 205 raste, me 82% të zbuluara, ndërsa për krimin ekonomik janë evidentuar 168 raste me 197 autorë.
“Policia ka zhvilluar edhe operacione kundër lojërave të fatit, prostitucionit dhe trafikimit të automjeteve të vjedhura, ku janë sekuestruar automjete me vlerë deri në 500 mijë euro. Në fushën e krimeve mjedisore janë goditur 123 raste, ndërsa janë asgjësuar mbi 1.400 bimë dhe fidanë kanabisi. Sa i përket sigurisë publike, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 2.156 konflikte, përfshirë 90 raste në familje, duke parandaluar përshkallëzimin e tyre. Në aspektin e sigurisë rrugore, janë evidentuar 6.214 shkelje, 53 aksidente rrugore dhe 3 humbje jete. Policia ka intensifikuar monitorimin me mjete inteligjente dhe kontrolle në terren”, tha ai.
Burimi: botasot.info


