“Çonju shqiptar prej gjumit çonju,
Të gjithë si vëllazën me nji besë shtrëngonju,
Mos shikoni kisha e xhamija,
Feja e shqiptarit asht Shqiptaria!”
Pashko Vasa
Këto vargje lapidare dhe brilante të rilindësitë të madh Pashko Vasa, që kanë ngritur në këmbë një popull të tërë nëpër dekada, natyrisht që tingëllojnë aktuale edhe sot kur shikojmë se ka tentativa dhe përpjekje për të ringjallur disa tradita të mykura të së kaluarës, që janë përzier në veshjen dhe mentalitetin e shqiptarit si imponim dikur nga të huajt për të na mbajtur të shtypur dhe të nënshtruar. Një përpjekje kjo dikur e osmanëve, të cilët impononin këto veshje dhe detyruan popujt në shekujt e pushtimit që t`i shndërronin ato veshje në gjoja zakone dhe tradita të mira.
Mbaj mend në vitet 70-të, në Drenicë, disa hoxhallarë na mallkonin kur shkonim në shkollë, “haram, të mësojë dhe të këndojë vajza”; “femra që shkon në shkollë, është e pamoralshme!”; “ajo e ka vendin brenda mureve të shtëpisë, të mos i dëgjohet zëri, të mos e shikoj dritën e diellit, fëmijët e saj të mos e mësojnë gjuhën e nënës, ajo të vishet me ferexhe, të mbulohet…!”
Këto i kam përjetuar vetë, dhe s`mund të duroj sot që, dukuri të tilla të ringjallen dhe të zënë vend në jetën e femrës shqiptare. Veçse duhet të përballemi me këto trysni, kërkohet forcë dhe guxim nga e gjithë shoqëria jonë e, në radhë të parë nga vet ne femrat. Kështu guxuan dikur motrat Qiriazi, Marigoja… Edhe ne duhet të ecim në shembullin e tyre, rruga jonë të jetë e ndritshme, sepse jemi pjesë e Evropës moderne. Armiqtë e zinj të Shqipërisë kanë ndjekur mbi ne politikën “përça e sundo!” Kështu na përçanë e na copëtuan në disa shtete dhe në disa fe të ndryshme, duke na kundërvënë ndaj njëri- tjetrit. Prandaj tingëllojnë edhe sot aktuale vargjet e Pashko Vasës, që citova në hyrje të këtij artikulli. Ndaj them të mos lodhemi asnjëherë, por të tregojmë me vendosëmri rrënjët tona ilire, të mos nënshtrohemi nga presionet e rrymave të vjetra dhe të prapambetura që shfaqen si rrebeshet në kohë me diell, të mos biem viktima të mentaliteteve të mykura!
Shqiptarët, pasardhës të pellazgve dhe të ilirve, natyrisht siç rrëfehet në historiografi dhe në libra, në dokumentet e kohëve, kanë qenë vazhdimisht modern edhe në veshje. Mjaftojnë të kujtojmë këtu edhe pikturat e mjeshtrave të mëdhenj botërorë, Veroneze, Lir, Koro, Zherom, Pusen, Durer, Delakrua që e kanë përshkruar atdhetarizmin shqiptar dhe bukurinë e vajzave dhe grave shqiptare, por edhe bukurinë e veshjeve; më pas le të sjellim në kujtesë personalitete, studiues, historianë, filozofë, albanologë, që kanë shkruar historikisht për shqiptarët dhe veshjet e tyre tradicionale, duke veçuar në ato veshje xhubletën dhe plisin, por edhe duke dalluar në ato veshje ndikimet që kanë ardhur si rezultat i atavizmave, mbeturina të trashëguara nga e kaluara, gjurmët e së vjetrës, por edhe si pasojë e ndikimeve pushtuese.
Shote Galica
Ne femrat shqiptare kemi një veshje të veçantë, veshjen tonë kombëtare të trashëguar nga ilirët. Ne jemi këtu në trojet tona shumë shekuj përpara sllavëve, të cilët mund të them se kanë nxitur tek ne zakonet e veshjeve të rënda arabe e osmane. Ata kanë dashur të na diskretitojnë, si për të ma thënë se ‘ju shqiptarët e keni vendin në Turqi e në Arabi”, ndërkohë që origjina, traditat e zakonet tona të lashta dëshmojnë origjinalitetin e kulturës sonë ilire. Mjafton që gjithkush të shikojë veshjen e Teutës, mbretëreshës sonë ilire; veshjet arbërore të Norës së Kelmendit, të Tringës, të Shotës, të Ganimetes, të Xhevës me plis në kokë. Ato nuk janë të mbuluara, as me shami dhe as me ferexhe, përkundrazi veshja e tyre shqiptare, xhubleta e famshme ilire dhe kostumi ynë ka si zbukurim të parë shqiponjën dhe plisin e bardhë në kokë dhe jo korbin që ndjell zi e mallkim. Ne vajzat dhe gratë shqiptare kemi mundësinë të marrim shembullin dhe të bëhemi si Mailinda Kelmendi, si Rita Ora, Bebe Rexha, Inva Mula, Dua Lipa… Historiografia jonë ka vend të rëndësishëm, që të çelë më shumë horizonte dhe të përcjellë tek e gjithë rinia dhe veçanërisht tek ne femrat shqiptare vlerat dhe arritjet më të mira të shqiptarizmës. Të mos i lejojmë duart e zeza të punojnë kundër ne shqiptarëve; të mos i lejojmë të bëjnë me ne si të duan! Të krenohemi gjithnjë me kulturën dhe traditat tona, duke i shndërruar ato në stilin dhe mënyrën tonë të jetesës!
Edhe këto kohë në Kosovë kanë shpërthyer debate dhe diskutime rreth mbajtes së shamisë në shkolla dhe një projektligji të qeverisë së Kosovës. Duket qartaz një përpjekje e fesë për të ndërhyrë në aspekte të jetës sociale të njerëzve dhe veçanërisht të rinisë. Duket se ka një sfond social-poltik-fetar kjo çështje, por dhe një veprimtari aktive për të jetësuar simbole të fesë islame, duke shfrytëzuar dëshirën për besim, ashtu dhe injorancën e hapur të disa njerëzve me ndikim të dukshëm në popull. Kjo ka qenë dhe duket se mbetet aktualisht një dëshirë e fuqive dikur pushtuese ndaj popullit shqiptar. Për fat, duke pasur një avanguardë përparimtare si, rilindësit tanë të shquar, por dhe duke u afruar gjithnjë me prirjet moderne evropiane, populli shqiptar përgjithësisht i ka hequr këto simbole, duke jetuar kohët e reja dhe duke afirmuar përherë e më shumë personalitetin dhe dinjitetin e vajzave dhe të grave shqiptare.
Ky zakon i mbajtjes së shamisë, bëhet shqetësues kur imponohet apo ku mbështetet nga segmente të qeverisë dhe politikës, madje po tentohet të futet deri edhe në shkolla. Mua më duket më i rëndë rreziku që këto tendenca të institucionalizohen, pra të mbështeten me ligje edhe nga qeveritë që aspirojnë të futen në institucionet evropiane, gjë që është dukshëm në kundërshtim me opinionin përparimtar shqiptar dhe evropian. Populli ynë e ka treguar qëndrimin e tij, jo vetëm në kohën e rilindësve, por e ka treguar atë qëndrim edhe me veprimet protestuese, sidomos edhe në shekullin tonë, të zhvilluara në Kosovë kundër mbajtjes së shamisë së kokës. Na dalka që vajzat e reja, me orientim, duhet të shkojnë në shkollë me shamia në kokë? Absurditet!
Njerëz të caktuar, mund të them ekstremistë fetarë, kërkojnë që ta quajnë një veprim të mirë mbajtjen e shamisë nga fëmijët në jetën e përditshme dhe në shkolla, duke shkelur kështu haptazi dhe padrejtësisht të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve. Duket se shkolla duhet të bëj më shumë punë bindëse për kuptueshmërinë e përmbajtjes së thënive të rilindësve, por dhe të opinionit të gjerë evropian mbi këto çështje të mprehta dhe delikate, por që duhen mënjanuar me më shumë guxim, sidomos nga intelktualët, nga mësuesit dhe, akoma më shumë nga institucionet e shtetit. Këto janë çështje që nuk zbatohen me urdhra, por me bindje, duke përqafuar dhe propoganduar përparimin dhe jo kthimin në mentalitete mesjetare. Shamia e kokës, ashtu si dhe veshjet e rënda që përdoreshin dendur dikur, le t`u mbeten muzeve!