Nota mesatare të cilën nxënësit e shkollave të mesme e arritën në maturën shtetërore këtë vit është 3,25. Krahasuar me vitet e kaluara vërehet rënie (3,65 në vitin 2023, 3,78 në vitin 2022 dhe 3,61 në vitin 2021) që sipas Qendrës Shtetërore të Provimeve si institucion kompetent për realizimin e procesit është rezultat i masave më të rrepta që ishin ndërmarrë kësaj radhe gjatë mbajtjes së povimit.
Gjithsej 14,834 kandidatë të paraqitur, më 1 qershor iu nënshtruan provimit të jashtëm të detyrueshëm në gjuhën amtare, ndërsa më 8 qershor u mbajt lënda me zgjedhje, kurse testimi u realizua në sallat sportive dhe korridoret e shkollave, për shkak të shikueshmërisë dhe kontrollit më të madh të vëzhguesve mbi nxënësit.
Rezultati është, informoi drejtorja e Qendrës Shtetërore të Provimeve Biljana Mihajllovska – janë zbuluar 49 nxënës të cilët gjatë zgjidhjes së testeve kanë përdorur telefon celulari, ndërsa 4 nxënës janë kapur duke përshkruar zgjidhjet pasi kishin marrë më parë përgjigjet e pyetjeve të parashtruara. Gjatë vlerësimit të testeve, vlerësuesit zbuluan 175 nxënës që kopjuan testet, si dhe 22 plagjiaturë. 268 nxënësve të cilëve u është shqiptuar masa anulim i provimit do të mund t’i nënshtrohen provimit sërish në afatin e gushtit.
Siç theksoi Mihajllovska, numri më i madh i shkeljeve të rregullave në provimin e maturës shtetërore është konstatuar në ShMEJQSH “Arseni Jovkov” – Shkup, gjithsej 32, pastaj në ShMQSH “Dr.Pançe Karagjozov” – Shkup, ku janë shqiptuar 18 masa, në ShMK “8 Shtatori” – Tetovë janë shqiptuar 14 masa, nga 13 masa për shkelje të rregullave të testimit janë shqiptuar në ShMK “Metodija Mitevski – Brico” – Shkup dhe QAMO “28 Nëntori” – Dibër. Në ShMQSH “Cvetan Dimov” – Shkup janë shqiptuar 12 masa për largim nga procesi i nënshtrimit të maturës shtetërore.
Duke i përgëzuar nxënësit të cilët përfunduan me sukses maturën dhe e vërtetuan përvetësimin e njohurive të fituara në arsimin e mesëm, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska, potencoi se konform rregullave ligjore në vend, por edhe në shumë vende të tjera, diploma është parakusht për regjistrim në fakultet.
Për vitin e ardhshëm ajo premtoi dy risi që do të ndihmojnë në organizimin më të mirë të provimit të maturës shtetërore dhe siç theksoi ajo do të përpiqemi që të mos lejojmë kopjime dhe veprime të tjera të paligjshme, joetike dhe jomorale të nxënësve, të testuesve poashtu edhe dhe vëzhguesve.
„Do të insistoj procesi i provimit të maturës shtetërore të realizohet në amfiteatre dhe hapsira të tjera të fakulteteve publike ku ekzistojnë bllokues dhe teknologji të tjera që do të pengojnë përdorimin e pajisjeve të komunikimit gjatë provimit, sepse në shumicën e rasteve përshkrimet individuale dhe masive bëhen përmes përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve tjera që kanë të instaluara aplikacione për komunikim”, theksoi Janevska.
Masa e dytë i referohet ndryshimit të rregullores për nënshtrimin e provimit të maturës shtetërore, nga aspekti i ngritjes së përgjegjësive të personave të përfshirë në proces.
„ Patjetër duhet të ekzistojnë sanksione për vëzhguesit, testuesit dhe për të gjithë ata që ndajnë hapsirat me nxënësit që i nënshtrohen provimit, ndërsa bëjnë lëshime gjegjësisht shprehur në zhargon, mbyllin sytë para sjelljeve jokorrekte nga ana e nxënësve”, shtoi ministrja.
Burimi: shenja.tv