Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën me dije se në seancën e sotme të qeverisë është marrë vendim që të pranohet propozimi i Komisionit për Sëmundje Infektive për zbutjen e disa masave anti Kovid19 që zbatoheshin për nxënësit e shkollave fillore.
“Nxënësit e shkollave fillore do të mund të vijojnë mësimin me prezencë fizike pa mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse. Vendimi hyn në fuqi nesër dhe është i vlefshëm deri në paraqitjen e një propozimi të ri nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive. Ata nxënës që dëshirojnë, mund të vazhdojnë të mbajnë maskë mbrojtëse gjatë qëndrimit të tyre në objektin e shkollës”, thuhet në kumtesë.
Ministria apelon për respektim të vazhdueshëm të të gjitha masave të tjera për përballimin e pandemisë që janë në fuqi dhe sjellje të përgjegjshme jo vetëm në shkolla por edhe jashtë tyre, në mënyrë që të vijohet mësimi me prezencë fizike si opsion që është në interes të nxënësve.