Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, deklaroi nga Korça se kanë rezultate konkrete sa i takon masakrës në Dobraç të Shkodrës, ku 4 persona u vranë si pasojë e një atentati, dy prej tyre të pafajshëm.
Hoxha tha se Policia e Shtetit pritet të ketë së shpejti një deklaratë për media, ku do të japë detajet nga ngjarja e ndodhur dhe personat përgjegjës.
“Policia do të dalë së shpejti me një deklaratë për shtyp,” tha ministri Hoxha në fjalën e tij, duke shtuar se emrat e personave të implikuar do të behen publike nga policia.
“Kemi pasur raste dhe ngjarje kriminale me pasojë vdekjen. Policia, në bashkëpunim me prokurorinë e SPAK, po heton këto ngjarje. Dje, në Shkodër, u zhvilluan kontrolle, ndalime dhe shoqërime të personave të implikuar në ngjarje të rënda kriminale. Për emrat duhet të presim deklaratat shumë shpejt, edhe për emrat e implikuar në ngjarjen e Dobraçit,” u shpreh ministri.
ATENTATI
Atentati ndodhi në zonën e Dobracit, në rrugën Shkodër-Koplik, më datë 30 tetor, ku persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj një automjeti me targa kroate.
Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, u ekzekutua në vend, ndërsa Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për kryebashkiak, Xhemal Bushatit, ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes në spitalin e Shkodrës.
Ndërkohë dy kalimtarë, bashkëshortët Bashkim Basha dhe Flutura Basha humbën jetën pasi makine e viktimave u përplas me motorin që po udhëtonte çifti.
Burimi: botasot.info