Të paktën 16 persona kanë humbur jetën, mes tyre pesë efektivë policie, pasi një automjet i ngarkuar me eksploziv është përplasur me një xhami në veriperëndim të Pakistanit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në distriktin Kohat, në provincën Khyber Pakhtunkhwa. Sipas një zyrtari të lartë të policisë në Peshawar, automjeti i mbushur me eksploziv është drejtuar drejt xhamisë, duke shkaktuar një shpërthim me pasoja të rënda, shkruan BBC.
Pas shpërthimit ka nisur një përplasje e armatosur mes autorëve të sulmit dhe forcave të sigurisë. Sipas autoriteteve, luftimet vijojnë ende në zonën e ngjarjes.
Një prej sulmuesve raportohet se është vrarë, ndërsa forcat e sigurisë dhe ekipet e shpëtimit po vijojnë operacionin në terren.
Autoritetet kanë nisur gjithashtu një operacion kërkimi dhe shpëtimi, ndërsa ende nuk ka një bilanc përfundimtar të viktimave dhe të plagosurve.
Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, ka shprehur ngushëllimet për viktimat dhe urimet për shërim të shpejtë për personat e plagosur nga shpërthimi.
Hetimet për sulmin dhe identifikimin e autorëve vijojnë.
Burimi: botasot.info


