Pas lajmit të plasuar ekskluzivisht në indeks.mk për marrjen e ingerencave të Kasamit nga MASH, për gjimnazin e Tetovës, ka reaguar koordinatori i këshilltarëve të BDI-së në Tetovë, Liridon Disha.
Nëpërmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, Disha ka thënë se vendimi i marrë nga MASH është hap i duhur. Sipas Dishës, Kasami duke mos i lëshuar mjetet e destinuara (bllokdotacionet) Gjimnazit në fjalë, me vetëdije të plotë shkeli ligjin.
” E kemi lutur në disa seanca të Këshillit Komunal që t’ia lëshojë mjetet e destinuara Gjimnazit të Tetovës për arsye se këtu nuk bëhet fjalë për inate personale, por për një institucion që është brend i qytetit dhe për të cilin kanë luftuar e flijuar qindra arsimtarë dhe qytetarë të Tetovës. Ia kemi sqaruar se bllokimi i Gjimnazit “Kiril Pejqinoviq” shkon në dëm të nxënësve dhe arsimtarëve dhe bllokon direkt mbarvajtjen e punëve në këtë institucion. Edhe përkundër kësaj, Kryetari i Komunës e shkeli ligjin me të dyja këmbët e tij duke e zhytur Gjimnazin në borxhe marramendëse për shkak të mungesës së mjeteve për pagesat e rregullta mujore”, ka shkruar fillimisht Disha.
Thotë se këshilltarët e BDI-së në Tetovë përshëndesin këtë akt të MASH dhe vlerësojnë se se është i duhuri sepse e shpëton Gjimnazin “Kiril Pejqinoviq” nga inatet e politikanëve të vegjël me ambicie të mëdha.
“Jemi zotuar se do t’i dalim zot çdo institucioni ku tentohet të denigrohet ose ndërpritet procesi edukativo-arsimor dhe jo vetëm kaq, do t’i dalim zot kauzës sonë të shenjtë kombëtare!”, ka përfunduar Disha./indeks.mk/