Menaxheri i njohur Mario Cenolli foli në një lidhje live nga Anglia për emisionin MAX Sport në Euronews Albania, ku diskutoi mbi të ardhmen e sulmuesit shqiptar, Edon Zhegrova.
Cenolli lavdëroi paraqitjet e jashtëzakonshme të Zhegrovës, duke e cilësuar atë si një lojtar kyç për ekipin e Lille në Francë.
Në përgjigje të pyetjes së moderatorit Altin Sulçe në lidhje me mundësitë e kalimit të Zhegrovës në një ekip tjetër, Mario Cenolli bëri të ditur se sulmuesi shqiptar ka mbi 10 oferta të ndryshme nga klube të njohura europiane. Ai nënvizoi se 3 prej këtyre ofertave vijnë nga klube të Premier League në Angli.
“Besoj se ai do të zgjedhë mundësinë më të mirë për karrierën e tij. Ai ka mbi 10 oferta nga ekipet më të mira të Evropës, dhe vetëm nga Anglia ka tre oferta. Dy prej tyre janë nga klube të La Liga në Spanjë, Juventusi është i interesuar dhe Milani ka treguar gjithashtu interesim për të. Newcastle ka bërë një ofertë, Arsenal ka kërkuar informacione dhe është në radarët e tij, ndërsa West Ham ka bërë gjithashtu një propozim”, tha Cenolli.
Duke folur për karrierën e ardhshme të Zhegrovës, Mario Cenolli theksoi se kalimi në një kampionat si ai anglez mund të përbënte një hap të madh për të, duke pasur parasysh shpejtësinë dhe stilin e lojës që karakterizojnë sulmuesin shqiptar.
“Zhegrova ka një menaxher dhe nuk mund të flas në emrin e tij, por mendoj se Premier League do të ishte një mundësi shumë e mirë për të, duke marrë parasysh karakteristikat e tij si lojtar”, tha Mario Cenolli.
Edon Zhegrova është një nga lojtarët më të kërkuar të momentit, dhe me formën e tij të shkëlqyer, ai po tërheq vëmendjen e disa klubeve të mëdha të Evropës.
Burimi: botasot.info