maraj ne diten e forces fsk ja eshte me e pergatitur se kurre por kosova po humb unitetin 6b09e3a41ce86

Maraj në Ditën e Forcës: FSK-ja është më e përgatitur se kurrë, por Kosova po humb unitetin

November 27, 2026
min lexim

Forca e Sigurisë së Kosovës shënon sot, më 27 nëntor, Ditën e Forcës, një datë që simbolizon rrugëtimin dhe zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Me këtë rast, një nga komandantët e njohur të Betejës së Koshares, Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për zhvillimin e strukturave të sigurisë, kapacitetet aktuale të FSK-së, bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë, por edhe për sfidat që, sipas tij, lidhen me mungesën e unitetit kombëtar dhe gjendjen shoqërore në Kosovë.

Maraj vlerëson se Forca e Sigurisë së Kosovës ka shënuar përparim të madh në aspektin profesional, logjistik, intelektual dhe fizik, ndërsa thekson se vendi nuk ka pasur kurrë më parë armatim kaq modern.

Megjithatë, ai nënvizon se përgatitja ushtarake nuk mjafton pa moral kombëtar, edukim dhe unitet shoqëror.

Image

Milazim Maraj

Duke folur për historikun e transformimit të strukturave të sigurisë, Maraj ka kujtuar se pas përfundimit të luftës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u transformua në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, ndërsa më pas u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Më 27 Nëntor është Dita e Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës. Në vitin 1999, pas përfundimit të luftës, u bë transformimi i UÇK-së në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK). Pastaj u bë edhe një transformim nga TMK-ja në Forcat e Sigurisë së Republikës së Kosovës (FSK). Pastaj, nga ky transformim, kaloi edhe një hap më tutje drejt objektivit të natyrshëm, mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Maraj është ndalur edhe te dallimi ndërmjet strukturave të mëparshme dhe institucioneve aktuale të mbrojtjes, duke theksuar se UÇK-ja i përket historisë, ndërsa përgjegjësia për mbrojtjen e vendit tashmë u takon institucioneve të Republikës së Kosovës.

“UÇK-ja në luftë ishte me flamurin kombëtar, FSK-ja ka një flamur tjetër që ka standarde të NATO-s. Por shoqata OVL-UÇK krijoi një flamur të UÇK-së. Nga kjo tregohet se nuk jemi mjaftueshëm të gatshëm t’i respektojmë institucionet tona. UÇK-ja tani i takon historisë sonë. Në skenë për mbrojtje nuk është UÇK-ja, as TMK-ja. Mbrojtja e Republikës së Kosovës tani është kompetencë e FSK-së, Policisë dhe komponentëve të tjera. Andaj, dalja e UÇK-së në skenë si forcë që mbron dhe orienton Kosovën krijon përçarje, që është një çarmatosje morale shumë e rrezikshme”, është shprehur Maraj.

Maraj vlerëson përgatitjen dhe kapacitetet e FSK-së

Duke folur për gjendjen aktuale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Maraj ka vlerësuar se ajo është një forcë e avancuar dhe e përgatitur, ndërsa ka veçuar specializimet e oficerëve jashtë vendit, trajnimet e vazhdueshme dhe modernizimin e armatimit.

“Forcat e Sigurisë së Kosovës janë forcë mbrojtjeje mjaft e avancuar dhe e përgatitur. Oficerët tanë kanë specializime jashtë vendit, në ushtritë më të përgatitura në botë. Në dhënien e provimeve kanë treguar rezultate të shkëlqyera. Armatimi tani është i standardeve moderne, që janë zhvilluar në hap me kohën. Faleminderit SHBA-së dhe aleatëve tanë”, ka deklaruar ai.

Tutje, Maraj ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe bashkëpunimin me KFOR-in, duke i konsideruar këto marrëdhënie të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit.

“Marrëveshja Shqipëri-Kosovë-Kroaci është hap i shkëlqyeshëm. Bondsteeli dhe bashkëpunimi me KFOR-in po ashtu janë në nivel”, ka thënë ai.

Sipas Marajt, pjesëmarrja e pjesëtarëve të FSK-së në ushtrime të përbashkëta me ushtritë e shteteve të tjera ka dëshmuar nivelin e përgatitjes së tyre, ndërsa ka përmendur edhe vlerësimet dhe medaljet e fituara gjatë këtyre aktiviteteve.

“Në ushtrime të përbashkëta me ushtritë e shteteve moderne dhe me logjistikë të fjalës së fundit, pjesëmarrësit e FSK-së në këto ushtrime janë dekoruar me medalje të arta. Armatim Kosova nuk ka pasur kurrë më shumë dhe më të përshtatshëm sesa që e ka tani. Kemi armatim modern dhe ekspertë për përdorimin e tij. Ushtrimet dhe trajnimet janë të pandërprera dhe mjaft efikase. Janë të vlerësuara jo vetëm nga eprorët tanë, por edhe nga ekspertët e aleatëve tanë”, ka theksuar Maraj.

Ai ka shtuar se përgatitja e FSK-së nuk kufizohet vetëm në pajisjet ushtarake, por përfshin edhe aspektin profesional, intelektual, fizik dhe logjistik.

“FSK-ja është mjaft e përgatitur në planin logjistik, atë intelektual, profesional dhe fizik, më mirë sesa që e kemi pasur ndonjëherë, por kjo nuk mjafton. Armatimi kryesor është ai me moral kombëtar”, është shprehur ai.

“Ministria e Mbrojtjes nuk mund ta mbrojë vendin pa armatosjen morale të popullit”

Duke u ndalur te dimensioni shoqëror i mbrojtjes së vendit, Maraj ka theksuar se siguria nuk mund të mbështetet vetëm në kapacitetet ushtarake dhe armatimin modern. Sipas tij, rëndësi të veçantë kanë edhe arsimi, kultura, edukimi dhe zhvillimi i vetëdijes kombëtare.

Ai ka vlerësuar se institucionet përgjegjëse për arsimin dhe kulturën duhet të kenë rol më të madh në forcimin e vlerave kombëtare dhe kultivimin e dashurisë për atdheun.

“Ministria e Mbrojtjes nuk mund ta mbrojë vendin nëse Ministria e Arsimit dhe e Kulturës nuk zhvillojnë armatosjen morale të popullit të vet. Nuk zhvillojnë kulturë kombëtare dhe njohje të vlerave të kombit të vet. Nuk zhvillohet dashuria për atdheun e tyre dhe vëllezërve të vet në Kosovë apo kudo që ata janë. Nuk zhvillohet uniteti kombëtar, por i hapet hapësirë të depërtojnë interesat e huaja mbi interesat kombëtare shqiptare, në forma që deri tani nuk i kemi parë kurrë”, ka deklaruar Maraj.

Ai ka shprehur shqetësimin për atë që e konsideron rënie në arsim dhe edukim, duke përmendur edhe pakujdesinë ndaj gjuhës shqipe dhe ndikimin e kulturave të huaja.

“Në këtë plan kemi një rënie në planin e arsimit dhe edukimit, madje rënie drastike. Kemi një pakujdesi ndaj gjuhës dhe e mbushim gjuhën me fjalë të huaja në vend të fjalëve të ëmbla të gjuhës sonë amtare. Kemi një ndërhyrje të pakontrolluar të kulturave të huaja me norma të padurueshme për popullatën tonë. Kemi krime në familje që nuk kanë ekzistuar më parë”, ka thënë ai.

Sipas Marajt, modernizimi i ushtrisë dhe zhvillimi i teknologjisë ushtarake, përfshirë robotikën, duhet të shoqërohen me një qëllim të qartë dhe me një shoqëri të fortë.

“Armatimi më i suksesshëm do të ishte të zhvillohet kulturë dhe respekt për veten tonë, do të thotë për njëri-tjetrin, dhe të krijohet një unitet i domosdoshëm demokratik. Robotika në mbrojtje është e rëndësishme, por kjo duhet të ketë arsyen për përdorim. Nëse shpërngulja kështu vazhdon, armët, sado moderne të jenë, nuk kanë arsyen e përdorimit të tyre”, ka deklaruar Maraj.

Maraj: Përçarja është armiku ynë i përbetuar

Një pjesë të rëndësishme të prononcimit të tij, Maraj ia ka kushtuar mungesës së unitetit në shoqërinë e Kosovës. Ai ka vlerësuar se përçarjet në institucione, parti politike, mes religjioneve, familjeve dhe grupeve të ndryshme shoqërore janë shqetësuese dhe mund të ndikojnë në të ardhmen e vendit.

“Përçarja është armiku ynë i përbetuar, kjo është evidente. Nuk kemi pasur kurrë përçarje më të thellë dhe më të madhe sesa që kemi tani. Përçarje në institucione, përçarje në parti dhe brenda tyre, përçarje në mes të religjioneve, përçarje në mes të civilizimeve, përçarje në familje. Në këto përçarje, kush kujt i beson? Si hyhet në luftë me këto përçarje? Si besohet se kush për kë do të luftojë? Kjo gjendje është mjaft e pakëndshme”, ka theksuar ai.

Maraj ka rikujtuar edhe organizimin e pajtimit të gjaqeve para luftës në Kosovë, duke e krahasuar atë periudhë me gjendjen aktuale dhe duke bërë thirrje për një angazhim të ri në ndërtimin e unitetit.

“Para luftës në Kosovë u organizua pajtimi i gjaqeve. Tani uniteti po shkatërrohet edhe brenda familjeve. Para së gjithash duhet të ndërtojmë dhe riparojmë unitetin në mes të shqiptarëve. Kur kemi unitet në mes veti, do të kemi bashkëpunim me aleatët tanë të natyrshëm. Përndryshe, kështu të përçarë, askujt nuk i duhemi, askush nuk na beson”, ka deklaruar Maraj.

Në mesazhin e tij për Ditën e Forcës, Maraj ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim në shumë fusha, por mungesa e unitetit mbetet shqetësimi i tij kryesor.

“Kosova të gjitha të tjerat i ka më mirë se kurdoherë në historinë e saj, përveç unitetit që e ka më keq se kurdoherë. Të fillojmë duke thirrur arsyen për ndihmë”, ka përfunduar Maraj në prononcimin për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

maraj ne diten e forces fsk ja eshte me e pergatitur se kurre por kosova po humb unitetin 6b09e3a400c19
Lajmi i mëparshëm

Maraj në Ditën e Forcës: FSK-ja është më e përgatitur se kurrë, por Kosova po humb unitetin

maraj ne diten e forces fsk ja eshte me e pergatitur se kurre por kosova po humb unitetin 6b09e3a3d680e
Lajmi i radhës

Maraj në Ditën e Forcës: FSK-ja është më e përgatitur se kurrë, por Kosova po humb unitetin

Të fundit nga

ShkoLartë