Maqedoni: Gjithëpërfshirja e fëmijëve “garantohet vetëm në letër”

February 4, 2022
min lexim

Rasti i Ëmbla Ademit, 11-vjeçares me nevoja të veçanta, e cila vjen nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut, ka nxitur reagime dhe debate në mediat sociale, nëse institucionet në Maqedoninë e Veriut kanë mekanizma adekuatë për kujdes ndaj kësaj kategorie të shoqërisë.

Ditë më parë, Ëmbla nuk u pranua në klasë nga nxënësit e tjerë të një shkolle në Gostivar.

Ata e bojkotuan mësimin, të nxitur nga prindërit, të cilët, siç është marrë vesh, kanë bërë një peticion, duke kërkuar që Ëmbla të mos jetë pjesë e klasës, për shkak të sëmundjes së saj dhe çrregullimeve që, sipas tyre, i ka shkaktuar më herët në ndjekjen e procesit mësimor.

Emsha Ferati, e cila ka një djalë me nevoja të veçanta, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut “është mospërfillës sa i përket përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta”.

Sipas saj, gjithëpërfshirja “garantohet në letër, por jo edhe në praktikë”.

Emsha kujton se djali i saj është refuzuar disa herë të pranohet me fëmijët e tjerë në kopshtin për fëmijë.

“Arsyetimet ishin se nuk kemi kuadër të mjaftueshëm. Nuk më thoshin se prindërit ankohen, edhe pse më duhet të them se djali im nuk ishte agresiv, por thjesht iu pengonte edukatoreve me sjelljet e tij”.

“Kisha luftë me drejtoreshat e kopshtit. Sa herë ndërroheshin drejtoreshat në kopshtin ku shkonte djali im, isha, të them kushtimisht, ‘e detyruar t’i kërcënoj’ se do t’i sjell mediat apo përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit që më pas në kopsht ta pranonin djalin”, tregon Emsha.

Por, ajo thotë se nuk ka mundur t’i bëjë ballë kësaj lufte dhe djalin, pastaj, e ka dërguar në një shkollë speciale për t’i ndjekur mësimet.

Emsha Ferati thotë se shoqëria në Maqedoninë e Veriut reagon “në mënyrë stihike” dhe “me vrull”, kur paraqitet një rast i shkeljes së të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta, porse, më pas, sipas saj, gjithçka harrohet. Dhe më e keqja, shprehet ajo, institucionet nuk reagojnë.

“Çka do të bësh me ata prindër që kanë bërë peticionin? Thelbi është tek institucioni shkollë, drejtoria, mësimdhënësit që e kanë lejuar këtë gjë”.

“Edhe po të kishin kërkuar prindërit [që Ëmbla të largohet nga klasa], shkolla këtë gjë nuk duhej ta lejonte, por duhej t’u kishte thënë prindërve të tjerë: më falni, po unë e kam këtë nxënës dhe nuk mund ta pranoj një peticion të tillë”, thotë Emsha.

Se si ka reaguar shkolla ndaj peticionit në fjalë, zyrtarisht nuk është e qartë.

Në bazë të Ligjit për Arsim Fillor në Maqedoninë e Veriut, të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta kanë të drejtë të ndjekin procesin e rregullt arsimor në të gjitha institucionet arsimore të vendit.

Neni 11 i këtij ligji thotë se “arsimi inkluziv përfshin ndryshime dhe përshtatje të përmbajtjes mësimore, qasjes, strukturave dhe strategjive për nxënësit me aftësi të kufizuara, me vizion dhe bindje të përbashkët se shteti e ka obligim të sigurojë arsim për të gjithë fëmijët”.

Autoritetet arsimore, me ligj, obligohen që të sigurojnë asistentë që do t’i shoqërojnë këta fëmijë gjatë mbajtjes së procesit arsimor.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se dikasteri që drejton, tashmë është duke punuar në mbledhjen dhe analizën e dokumenteve ekzistuese për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në rastin e Ëmblës.

“Inspektoratit Arsimor i kam kërkuar të dalë në vendngjarje, për ta parë nga afër këtë rast dhe raportin e parë që do ta marr… pastaj mund të kërkojmë raport plotësues nga Inspektorati Arsimor, në qoftë se vlerësojmë se diçka nuk është përfshirë në raport ose nuk është analizuar në mënyrë të detajuar”.

“Këtu duhet parë se a janë respektuar procedurat e inkluzionit në shkollën në fjalë – flas për procedurat. Nëse konstatohen shkelje, nuk mund të mos ketë përgjegjësi”, thotë Shaqiri.

Fatjona Geci, e cila drejton Qendrën për fëmijët me nevoja të veçanta në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka shumë faktorë se përse fëmijët me nevoja të veçanta mbeten të përjashtuar, sipas saj, jo vetëm nga institucionet arsimore, por edhe nga shoqëria, pavarësisht garancisë ligjore.

“Mendoj se duhet punuar me të dyja palët e prindërve, me ata që kanë fëmijë me nevoja të veçanta, por edhe me ata që refuzojnë që fëmijët e tyre të mësojnë me këtë kategori të fëmijëve. Njëherësh duhet punuar në ngritjen e vetëdijes, jo vetëm në raste të caktuara, siç është rasti i vajzës nga Gostivari… Ne e bëjmë temë diskutimi të një dite dhe pastaj e heshtim”, thotë Geci.

“Këto fenomene kërkojnë guxim, kërkojnë punë të përditshme, kërkojnë angazhim çdo ditë, angazhim në ngritjen e vetëdijes. Këtu pozitivisht mund të ndikojnë mediat, por edhe puna që duhet të bëjnë institucionet, duke hartuar politika në mbështetje të kësaj kategorie të fëmijëve”, shton Geci.

Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut ka të angazhuar rreth 500 asistentë për shoqërimin e fëmijëve me nevoja të veçanta gjatë ndjekjes së procesit arsimor.

Numri i fëmijëve që kanë nevojë për përkujdesje të tillë institucionale besohet se është shumë më i lartë.

Nga Ministria e Arsimit thonë se kërkesat nga shkollat vijnë me vonesë, sepse prindërit i njoftojnë shkollat me vonesë. Prindërit, në anën tjetër, ankohen se shkollat janë ato që refuzojnë t’i përfshijnë fëmijët me nevoja të veçanta, me arsyetimin se nuk kanë kuadër të mjaftueshëm.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

“O Viso, çoji dy paketa”/ Avokati i Tahirit kërkon cigare për ish-ministrin pas dënimit me burg

Story i radhës

Марјан Ѓорчев: Да им веруваме на нашите историчари, ама не гледам како ќе постигнеме прогрес

Të fundit nga

ShkoLartë