U cilësua si blerja më e zgjuar e verës nga specialistët dhe kritikët e futbollit, transferimi i Sadio Manesë nga Liverpuli në drejtim të gjigantëve bavarezë. Së fundmi, sulmuesi senegalez ka rrëfyer për “RMC Sport”, përjetim kur mësoi se klubi i Bajernit interesohet për shërbimet e tij:
“Kur fillova të dëgjoj se Bayerni e kishte seriozisht interesimin ndaj meje, nuk e mendova dy herë dhe u përplasa me agjentin tim që kjo çështje të mbyllej sa më shpejt.
Jam krenar që iu bashkova një ndër klubeve më popullore dhe të suksesshme në botë. Në Mynih jam ndier si në shtëpinë time, pritja e tifozëve ishte fantastike.
E pranoj se eksperienca në Angli më ka ndihmuar në shumë drejtime, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë mental, pasi vetë Premier Liga ta imponon një gjë të tillë.
Këtu në Mynih gjithçka funksionon si një familje e vërtetë, duke filluar nga punonjësit më të thjeshtë e deri te bordi drejtues”, pohonte i emocionuar sulmuesi senegalez.
Ai nuk mund të linte mënjanë edhe marrëdhënien e krijuar me shokët e rinj në “Allianz Arena”: “Nuk kam fjalë për të përshkruar, janë më shumë sesa thjesht shokët e skuadrës për mua.
Është e vërtetë se ambientimi nuk është i thjeshtë, por në Bajern kam gjetur gjithçka, ashtu siç unë e imagjinova ditët e para, pasi dëgjova se ata ishin vënë në lëvizje mbi shërbimet e mia”, përfundoi “lojtari më i mirë i vitit në Afrikë”.
Sadio e ka nisur karrierën në terren “të thepisur”, si Metz në Francë, për të vazhduar me Salcburg. Por kalimi në Ishull në radhët e Sauthamptonit do t’i rriste kredencialet e senegalezit, aq sa edhe Jyrgen Klop do të mahnitej nga aftësitë e tij, madje duke u kthyer në “regjisor” të kalimit në “Anfield Road”.
Mane si “Reds”, korri sukses me fitimin e çdo trofeu të mundshëm, jo vetëm në tokën e “krijuesve” të futbollit, por edhe në arenën europiane. (Sadio Mane u transferua nga Liverpuli në Bajern për shifrën e 32 milionë eurove në këtë merkato).