Manchester United thuhet se ka vendosur të mos e shesë Anthony Martialin, pavarësisht interesimit nga Juventusi.
Sulmuesi francez ishte i huazuar nga janari te Sevilla, pasi nuk gjeti minuta te “Djajtë e Kuq” në gjysmën e parë të sezonit.
Pas kthimit në klub këtë verë, pritshmëria ishte që Martial të shitet përfundimisht, megjithatë duket se qëndrimi i klubit anglez ka ndryshuar.
Sipas “The Mirror”, paraqitjet e Martialit në ndeshjet para-sezonale, ku shënoi tri gola në katër ndeshje, e kanë bindur trajnerin, Erik ten Hag, për ta mbajtur në skuadër.
Ky qëndrim nga Manchester United padyshim se do e zhgënjejë Juventusin, pasi klubi italian synonte transferimin e 26-vjeçarit për ta zëvendësuar Alvaro Moratan, i cili është rikthyer te Atletico Madridi.
Anthony Martial me klubin nga “Old Trafford” ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024.