Mali i Zi, arrestohet ish drejtori i policisë

July 24, 2023
min lexim

Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi konfirmoi të hënën arrestimin e ish drejtorit të policisë malazeze Veselin Veloviç, nën dyshimet për përfshirje në “krijimin e një organizate kriminale, shpërdorim të pozitës zyrtare dhe kontrabandë”.

Prokurori i shtetit Vukash Radonjiç tha se bashkë me ish drejtorin Veloviç, janë arrestuar edhe dy persona tjerë.

Dëshmitë kundër tyre janë mbledhur në bashkëpunim me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Zbatimin e Ligjit – EUROPOL”, tha prokurori Radonjiç, duke theksuar se operacioni i Prokurorisë së Posaçme të Shtetit dhe policisë lidhur me këtë rast do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiç, tha se “nuk ka individë të paprekshëm dhe bastione të pathyeshme mafioze dhe se shteti po fiton”.

Ndërkaq, kryeministri në largim, Dritan Abazoviq theksoi se “dora e drejtësisë më në fund ka arritur Veselin Veloviçin”.

Veselin Veloviç ishte drejtor i Administratës së Policisë, pas pavarësisë së Malit të Zi, nga viti 2007 deri në vitin 2011 dhe nga mesi i vitit 2018 deri në fund të vitit 2020, drejtor i policisë.

Ndërmjet këtyre dy mandateve ai shërbeu si këshilltar i presidentit të atëhershëm të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa nga viti 2014 ishte sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Nga fundi i vitit 2020, pas ndryshimit të qeverisë në Mal të Zi, ai ishte këshilltar për siguri dhe mbrojtje i ish-presidentit Milo Gjukanoviç, një post në të cilin shërbeu deri më 20 maj të këtij viti.

Mediat dhe shoqëria civile e kanë theksuar prej kohësh rolin e tij në përndjekjen e boshnjakëve nga forcat paraushtarake serbe në fillim të viteve 1990 në fshatin Bukovicë, në veri të Malit të Zi, në kuptimin që policia malazeze nuk mbrojti popullatën vendase. Ai i hodhi poshtë pretendimet duke pohuar se policia bëri të mundur paqen në atë rajon.

Veloviç është përmendur për lidhje me një sërë aferash me tendera në ekonomi në të cilat merrte pjesë policia.

Në prill të vitit të kaluar u arrestua ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica, nën dyshimet për krijim të organizatës kriminale dhe ndikim të paligjshëm.

Arrestimi i saj ndodhi pasi mediat publikuan transkriptet e mesazheve të shkëmbyera mes djalit të saj, Milosh Medenica dhe oficerit të policisë Darko Laloviç, në të cilat ata organizonin blerjen e kokainës dhe cigareve të kontrabanduara në portin e Tivarit. Në transkriptet e bisedave në një aplikacion të koduar të mesazheve, Milosh Medenica pretendonte se nëna e tij ishte në dijeni të biznesit të tyre të paligjshëm dhe se ajo do t’i mbronte.

Ndërkaq, menjëherë pas saj, në maj, u arrestua kryetari i Gjykatës Ekonomike, Blazho Jovaniç dhe disa persona të tjerë nën dyshimin për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, shoqëria civile dhe disa media malazeze, për një kohë të gjatë, kanë tërhequr vëmendjen se “në Mal të Zi ekziston e ashtuquajtura “mafia e falimentimit”, e cila përbëhet nga një rrjet gjyqtarësh të korruptuar dhe administratorësh të falimentimit…”./VOA

Burimi: GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Tetovari sulmohet fizikisht në Teplicë të Gostivarit

Story i radhës

Rita Ora: Gjuha shqipe është folur gjithmonë në shtëpinë tonë, nuk e di me përsosmëri – por mund të shkruaj dhe të lexoj shqip

Të fundit nga

ShkoLartë