Arben Mërkuri (Ibrahimi) i njohur me nofkën “Maneci” është ekzekutuar nga vrasës me pagesë, është përfundimi në të cilin ka dalë grupi i hetimit që është ngritur për të hetuar atentatin ku mbeti i vrarë 48-vjeçari mbrëmjen e së mërkurës në Sukth të Durrësit.
Sipas hetuesve, bazuar edhe te kamerat e sigurisë të instaluara në biznese e banesa përgjatë rrugës ku ndodhi krimi, për vrasjen e “Manecit” është përdorur një automjet luksoz “Benz GLE”, i pajisur me targa të vjedhura.
DINAMIKA E ATENTATIT
Makina ishte me xhama të zinj, ndërsa autorët (dy ndodheshin në makinë) mbanin në kokë kapele sportive. 48- vjeçari ndodhej në ambientet e jashtme të objektit ku po kryente disa punime te kati i parë (dyqan) dhe në momentin që ka pikasur që njëri prej autorëve, ka zbritur nga makina me armë në dorë, ka tentuar të futej në ambientet e brendshme për të shmangur ekzekutimin. Mirëpo, autori lëshoi disa breshëri të shkurtra kallashnikovi, ku dy plumba e kapën Arben Mërkurin. Më pas autori hipi në makinë dhe u largua në drejtim të superstradës Tiranë-Durrës, ku edhe humbën gjurmët në errësirë. Ishte pikërisht djali i viktimës që ndodhej aty pranë që ka shkuar i pari pranë Mërkurit që kishte marrë dy plumba dhe ishte i plagosur. I biri dhe një fqinj e kanë transportuar drejt spitalit të Durrësit por 48-vjeçari nuk u mbijetoi plagëve të marra duke ndërruar jetë pa mbërritur në duart e bluzave të bardha.
MOTIVI
Policia dhe Prokuroria e Durrësit po punon për të zbardhur krimin, por e kaluara e 48-vjeçarit ua bënë shumë të vështirë punën hetimore. Mësohet se Arben Mërkuri (Ibrahimi) është një personazh i njohur për policinë e Durrësit dhe jo vetëm pasi ka qenë i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Ndaj edhe policia ka ngritur disa pista hetimi që nga larja e hesapeve, deri tek prishja e pazareve për vepra të ndryshme kriminale. “Është një personazh që ka qenë i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale ndaj do të jetë e vështirë për të mësuar motivin për momentin. Neve po hetojmë dhe vërtetojmë çdo dyshim tonin, me qëllim që të seleksionojmë disa pista që kemi ngritur për tu përqendruar pastaj tek pista konkrete dhe motivi përse është vrarë Arbën Mërkuri”, thanë burime nga grupi hetimor për gazetën “Panorama”.
DYSHIMET
Mërkuri është një emër i njohur për policinë e qytetit dhe jo vetëm. Edhe pse nuk është arritur të dokumentohet përfshirja e tij në disa nga ngjarjet kriminale, Policia dyshon se “Maneci” ka dijeni për vrasjen e Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautajt, ngjarje e ndodhur në datën 25 prill 2017 në Sukth. Gjithashtu, Policia pak vite më parë e akuzoi si një nga tre personat që dhunuan barbarisht biznesmenin libanez Faadi Mitri, i cili do kryente një investim në bregdetin e Gjirit të Lalzit, ngjarje e ndodhur pranë kryqëzimit të Laknasit pasditen e 10 shtatorit 2016. Asokohe ai u arrestua bashkë me Landi Muharremin (Rrumi) dhe Skënder Krahja, por të tre arritën të liroheshin pasi akuzat nuk u provuan. Ngjarja e rëndë ndodhi teksa libanezi me pasaportë amerikane ishte i shoqëruar nga gruaja dhe fëmijët.
Por përveç kësaj ngjarjeje, ai dyshohet edhe si vrasës me pagesë, por që asnjëherë nuk u arrit të dokumentohej. Megjithëse asnjëherë i dënuar, 48-vjeçari u filmua nga një emision televiziv pasi akuzohej për groposjen e paligjshme të pulave të ngordhura. Në kamerën e fshehtë, ai i thotë gazetares se në Itali ka vrarë një prostitutë, duke theksuar se “deri dje i bëja femrat copa-copa” dhe se tani kishte ndryshuar pasi ka vetë një vajzë. Të paktën 20 persona janë shoqëruar, 10 prej tyre dëshmitarë okularë, të cilët kanë deklaruar përballë uniformave blu se kanë dëgjuar të shtënat me armë dhe përplasjen e dyerve të makinave, ku sipas tyre autorët kanë lëvizur me një makinë tip “Benz GLE” ngjyrë gri, e cila është larguar drejt autostradës.