Bjellorusia do të përgjigjet menjëherë nëse Ukraina dhe vendet baltike apo Polonia veprojnë në mënyrë agresive kundër saj, deklaroi të enjten presidenti Alexander Lukashenko, transmeton Anadolu.
“Mund të ketë vetëm një kërcënim: agresion kundër vendit tonë. Nëse agresioni fillon madje edhe nga ana e Ukrainës, nga ana e Polonisë, Lituanisë, Letonisë, ne do të përgjigjemi menjëherë me gjithçka që kemi”, citoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS të ketë thënë Lukashenko në një intervistë me gazetaren ukrainase Diana Panchenko të publikuar në kanalin e saj në YouTube.
“Ne nuk po garojmë me ta. Megjithatë ne do t’u japim një goditje të frikshme atyre dhe do të përfundojnë me humbje dhe dëme të mëdha”, tha ai.
Lukashenko nënvizoi se pavarësisht se kryeqyteti ukrainas ishte i rrethuar nga trupat ruse në një moment gjatë luftës, Rusia nuk sulmoi Kievin sepse kjo do të kishte shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve, raportoi TASS.
“Ne patëm një bisedë me (presidentin rus Vladimir) Putin në lidhje me këtë. Unë i thashë: ‘Në mënyrë që të përfundojë lufta, natyrisht, duhet të merret kryeqyteti. Ai më tha: ‘E di, kjo mund të bëhet menjëherë, në çast, por një numër i madh njerëzish do të vdesin’”, shtoi ai.
Lukashenko paralajmëroi se Ukraina mund të humbasë të gjithë territorin e saj nëse vazhdon aktivitetet e saj ushtarake dhe tha se negociatat midis Kievit dhe Moskës duhet të fillojnë “pa asnjë parakusht” dhe se ai nuk përjashtoi mundësinë e përfshirjes së Bjellorusisë në procesin e negociatave.
Marrëdhëniet midis Kievit dhe Moskës mund të rindërtohen, tha ai, duke shtuar: “Hapi i parë që duhet të bëhet është vendosja e paqes”.
Ai vazhdoi duke thënë se “mosgatishmëria” e politikanëve ukrainas për të zhvilluar bisedime me Rusinë mund të çojë në një grusht shteti ushtarak, duke shtuar se Perëndimi ka filluar të kuptojë se edhe me mbështetjen e saj, Ukraina “nuk do të jetë në gjendje t’i rezistojë” Rusisë.