Lufta në lindje të Ukrainës dhe ndërhyrja e Rusisë – viti 2014

March 10, 2022
min lexim

Lufta në Donbas të Ukrainës lindore filloimë 6.4.2014. Casus belli(shkas lufte) ishte refuzimi i një pjese të popullsisë së Ukrainës lindore për të pranuar pushtetin e lëvizjes Euromajdan dhe politikën e sajpër të hyrë në BE.Epilogu i luftës ishtemarrëveshjae paqës/konflikt i ngrirë, me incidente të kohëpaskohshme të armatosura Palë ndërluftueseishin Ukraina, në njërën anë dheNovorusia, Republika Popullore e Donjeckës, Republika Popullore e Luganskës, Rusia, në anën tjetër. Forcat luftarake: Ukraina, 64.000-69.000 ushtarë (2015); Novorusia,40.000-45.000 ushtarë dhe Rusia,9.000 -12.000 ushtarë. Viktimat dhe humbjet: Në anën e Ukrainës: 2.870 të vrarë, 9.000 të plagosur, 271 të zhdukur, 2.768 të zënë robë, 20.000 të dezertuar apo kanë kaluar në anën e kryengritësve. Në anën e kryengritësve dhe të rusëve: 2.081 të vdekur (prej tyre 400-500 ushtarë rusë), 1.765 të zënë robë. Gjithsej: 9.500 të vrarë(duke përfshirë 298 shtetas të huaj)

*   *   *

Lufta në lindje të Ukrainës apo konflikti i armatosur në lindje të Ukrainës është konflikt i armatosur që zhvillohet në viste lindore të Ukrainës që nga pranvera e vitit 2014, ndërmjet formacioneve ushtarake dhe paraushtarake ukrainase, në një anë dhe formacioneve paraushtarake separatiste pro-ruse të Republikës Popullore të Donjeckës dhe Republikës Popullore të Luganskës – të vetëshpallura (nga maji i vitit 2014, të bashkaura në Shtetin Federativ të Novorusisë), në anën tjetër. Konflikti shpërtheu pas rrëzimit të kryetarit të deriatëhershëm pro-rus të Ukrainës, Viktor Janukoviç (Viktor Janukovych, 1950-), në protestat proevropiane të lëvizjes Euromajdan. Pas rënies së Janukoviçit, u themelua qeveria e re properëndimore dhe proevropiane, me në krye kryetarin Oleksandër Turçinov(Oleksandr Turchynov, 1964-)dhekryeministritArseni Jacenjuk(Arseni Yatsenyuk, 1974-). Në pjesë të Ukrainës lindore, qeveria e re u konsiderua “puçiste” dhe ilegjitime, ndaj filluan të krijohen organet paralele të pushtetit me milicitë vetanake të armatosure. Kjo ishte një koincidencë me aneksimin e Krimesë Rusisë. Formalisht, konflikti filloi më 7 prill, kur Turçinovi shpallifillimin e “operacionit antiterrorist”, me qëllim që në Ukrainën lindore të vendoste “rendi kushtetues”. Kjo pati për pasojë një sërë incidentesh të armatosura të cilat relativisht shpejt u shkallëzuan në konflikte të armatosura përmasash të gjera. Me këtë rast, qeveria ukrainase kundër kryengritësve filloi t’i përdorë njësitë e blinduara, artilerinë dhe aviacionin luftarak. Forcat ukrainase, nga qershori deri në fillim të korrikut ia dolën t’i sprapsin kryengritësit prej disa pikëmbështetjeve të tyre të rëndësishme, siç janë porti Mariupoli dhe qytetet Slavjansk e Kramatorsk. Konflikti u shkallëzua edhe më shumë me rrëzimin e aeroplanit të udhëtarëve të Malajzisë, në korrik të vitit 2014, me ç’rast humbën jetë qindra shtetas të Bashkimit Evropian. Deri kah mesi i gushtit, forcat ukrainase iu afruan pikëmbështetjeve kryesore të kryengritësve – qyteteve Donjeck dhe Lugansk, por në gjysmën e dytë të gushtit, pas kundërofensivës së kryengritësve e cila i largoi nga kufiri i Rusisë, u detyruan të tërhiqen, kundrejt humbjeve të mëdha. Autoritetet ukrainase e interpretuan këtë si një ndërhyrje e hapur e forcave të armatosura të Rusisë fqinje në anën e kryengritësve. Më 05.09.2014, në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, u nënshkrua armëpushimi. Luftimet e mëdha pushuan, por në muajt në vijim përleshjet sporadike nuk u ndalën. Në janar 2015, forcat e Novorusisë, në luftime të ashpra e morën aeroportin e Donjeckës. Më 12 shkurt 2015, udhëheqësit e Rusisë, të Ukrainës, të Francës dhe të Gjermanisë nënshkruan marrëveshjen të njohur si Minsk II. Ajo parashikonte krijimin e parakushteve për zgjidhjen politike të konfliktit. Armëpushimi nuk i ndali luftimet e ashpra për nyjën hekurudhore Debalçevë. Autoritetet ukrainase fajësuan Moskën se me luftë dëshiron të krijojë Rusi të Madhe.

Nga lufta në Ukrainën lindore vdiqën rreth 10.000 vetë, numri i refugjatëve apo i të shpërngulurve arriti në rreth 2,3 milionë vetë, rreth 1,5 milionë vetë vuajtën pasojat e urisë. Objekte të popullsisë civile pësuan shkatërrime të mëdha. Kjo ishte lufta e tretë e Evropës së shekullit XXI në të cilën ishte përzier Federata Ruse. Konsiderohet konflikt i armatosur më i madh në Evropën moderne, pas luftërave në ish-Jugosllavi dhe luftës së parë dhe të dytë çeçene.

ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja mbështetën tërësinë e tokave të Ukrainës, duke i dhënë përkrahje morale, politike, diplomatike, në fund edhe ushtarake-logjistike. Mbështetja ruse për kryengritësit prorusë në Ukrainën lindore ishte shkas për sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë, të papara që nga koha eluftës së ftoftë.

*   *   *

Ukraina fitoi pavarësinë me shpërbërjen e BRSS-së në vitin 1991, por lidhjet me Moskën i ruajti. Sipas regjistrimit të vitit 2001, Ukraina ka pasur 48.457.100 banorë. Prej tyre, ukrainasit përbënin 77.8%, rusët 17.3%, bjellorusët 0,6%, ndërsa tartarët e Krimesë 0,5% të popullsisë. Rajoni i Donjeckës ka pasur 4.825.600 banorë. Prej tyre 56,9% ishin ukrainas, ndërsa 38,2% rusë. Rajoni i Luganskës ka pasur 2.540.200 banorë. Prej tyre, 58% ishe ukrainas, ndërsa 39 rusë. Mirëpo, një pjesë e madhe e popullsisë përdornin gjuhën ruse, kryesisht në lindje të Ukrainës. Sipas vlerësimeve, pothuajse gjysma e qytetarëve ukrainas përdorte rusishten si gjuhë kryesore.

Protesta e lëvizjes Euromajdan në Kiev, më 27.11.2013– Më 29.11.2013, për t’i përforcuar lidhjet tregtare me Rusinë, kryetari prorus i Ukrainës Viktor Janukoviç (Viktor Yanukovych, 1950-)refuzoi ta nënshkruajëmarrëveshjen për stabilizim dhe për bashkimin e vendit me BE-në. Ukraina u ballafaqua me krizë. Një pjesë e qytetarëve kërkonin lidhje më të forta me Perëndimin dhe me Evropën, ndërsa një pjesë tjetër – lidhje më të forta me Lindjen dhe me Rusinë. Kjo rezultoi me protesta midis ithtarëve të Viktor Janukoviçit dhe kundërshtarëve të tij. Lëvizja Euromajdan përfaqësonte aspiratën e rrymave proevropiane të Ukrainës. Natën e 30 nëntorit të vitit 2013, për herë të parë u përdor dhunë kundër protestave paqesore në sheshin Majdan në Kiev. Me këtë rast, 90 protestues u lënduan, ndërsa 35 të tjerë u arrestua. Përdorimi i tepërt i forcës nga policia speciale Berkut kundër protestuesve ndikoi radikalizimin e kësaj proteste. Më 16.01.2014, qeveria e Viktor Janukoviçit miratoiligj për ndalimin e protestave. Protestuesit antiqeveritarë morën disa ndërtesa qeveritare, midis tyre edhe Ministrinë e Drejtësisë. Protestat filluan të shtrihen në perëndim dhe në pjesën qendrore të Ukrainës. Protestat dhe trazirat që pasqyronin ndarjen e vendit, bëheshin gjithnjë më intensive. Më 18 dhe më 20 shkurt 2014, ato arritën kulmin e dhunës në Kiev. Deri në atë ditë ishin vrarë mbi 120 vetë. Prej tyre, 75% ishin protestues. Tre prej të vrarëve ishin femra. Më 22 shkurt 2014, Viktor Janukoviçi iku nga Ukraina për t’u vendosur në Rusi. Tani dhuna u përhap midis grupeve proruse dhe proevropiane të Ukrainës. Pushtetin e mori qeveria e përkohshme proevropiane e cila më 25 maj 2014 shpalli zgjedhje të reja. Më 23 shkurt 2014, koalicioni i ri i Ukrainës tentoi ta ndryshojë ligjin shtetëror, në mënyrë që gjuha ukrainase të bëhej e vetmja gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet. Një ligj të tillë, kryetari i ri i përkohshëm Oleksandër Turçinov (Oleksandr Turchynov, 1964-) refuzoi ta nënshkruajë. Ky amendament nuk kaloi. Megjithëkëtë, separatistët prorusë e morën këtë tendencë si pretekst për të ngritur akuza se kemi të bëjmë me një “synim armiqësor ndaj pakicës ruse”. Kryetari i Rusisë Vlladimir Putin(1952-)miratoi dërgimin e fshehur të ushtarëve të Rusisë në Krime. Pas kësaj u paraqitën ushtarë të maskuar të cilët i morën ndërtesat lokale njërën pas tjetrës dhe i vunë nën kontrollin rus. Me ndihmën e popullsisë lokale ruse organizuan referendum për bashkëngjitjen e Krimesë – Rusisë. Rusia refuzoi ta njohë qeverinë e re të Ukrainës, ngulte këmbë se Viktor Janukoviçi ende është kryetar dhe se e ka marrë parasysh kinse kërkesën e tij për ndërhyrjen e autoriteteve ruse.

Deri kah mesi i muajit të tretë, në disa qytete, kryesisht në Donjeck dhe në Lugansk, grupe të armatosuraqë dikur quheshin “njësi të vetëmbrojtjes”, filluan t’i marrin ndërtesat administrative, njërën pas tjetrës. Kërkesat e tyre ishin të ndryshme. Disa kërkonin që Ukraina të bëhet federatë, të tjerë kërkonin që këto rajone t’i bashkëngjiten Rusisë, sipas shembullit të aneksimit të Krimesë – Rusisë.

Më 6 prill 2014, njësitë e armatosura proruse e morën ndërtesën administrative lokale në Donjeckdhe shpallën “Republikën Popullore të Donjeckës”. Më 12 prill 2014, njerëz të maskuar me uniforma, pa emblema, të armatosur me kallashnikovë, morën ndërtesën lokale të policisë dhe ndërtesën administrative në Slavjansk, duke kumtuar njëherazi se qyteti është nën kontrollin e “Republikës Popullore të Donjeckës”.Qeveria e përkohshme në Kiev konstatoi se kemi të bëjmë me të njëjtin skenar sipas të cilit u mor Krimeja. Protestat dhe trazirat u shtrinë nëpër jug të Ukrainës, duke shkaktuar tensione. Pasuan trazirat në Odesë, me ç’rast, në rrethana të paqarta, në zjarrin që e përfshiu ndërtesën e sindikatës ku ishin strehuar, humbën jetën 46 protestues prorusë. Më 10 korrik 2014 u arrestuan dy persona, njëri prej të cilëve shtetas i Rusisë, me akuzën se bashkë me 50 vetë të tjerë, kishin tentuar të organizojnë një ngjarje në të cilën do të shpallnin “Republikën Popullore të Odesës”.

Shpërthimi i konfliktit të armatosur–Më 27 prill 2014, njësitë e armatosura në Lugansk shpallën “Republikë Popullore të Luganskës”. Midis prillit dhe qershorit, njësitë paramilitare vendosën disa pika kontrolli që mbikëqyrnin hyrjen në Slavjansk dhe daljen prej tij, duke iu kundërvënë kontrollit të qeverisë ukrainase. Ata morën kontrollin mbi rrugët që çojnë në fshatrat Semjonovsk dhe Seëezhnjovk. Pas kësaj, kryengritësit prorusë vendosën një sërë pikash kontrolli dhe prani ushtarake në qytetet përreth në lindje të Ukrainës, siç janë Mariupol, Kramatorsk, Jampol dhe Kirovsk. Komandant i kryengritësve ka qenë Igor Girkin(alias Igor Ivanoviç Strelkov, 1970-), shtetas i Rusisë. Në lindje të Ukrainës, kryengritësit i morën edhe stacionet televizive dhe filluan të transmetojnë programe ruse.

Pas shumë ngurrimesh, qeveria kalimtare ukrainase, deri në zgjidhjet presidenciale të 25 majit të vitit 2014, ndërmori kundërsulm në lindje të vendit që e quajti “operacion antiterrorist”. Forcat qeveritare (ukrainase) vendosën pushtetin në disa qytete të zbrazura, siç janë Mariupol, Kirovsk dhe Jampol.

Më 11 maj 2014, grupet proruse organizuan referendum për shkëputjen e Donjeckës dhe të Luganskës nga Ukraina. Ata shpallën pavarësi ngase, sipas tyre, mbi 90% e votuesve paskëshin votuar “për” shkëputje. BE-ja e shpalli referendumin të paligjshëm. Kryetari i Rusisë Putini paraprakisht u bëri thirrje kryengritësve ta shtyjnë referendumin dhe të kërkojnë marrëveshje me autoritetet në Kiev, por kryengritësit prorusë e refuzuan një gjë të tillë.

Me rastin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, përfaqësuesit e Republikës Popullore të Donjeckës dhe tëRepublikës Popullore Luganskës – të vetëshpallura, miratuan do dispozita me të cilat “e ndalojnë votimin” në këto rajone, duke u kanosur se do të likuidojnë çdokënd që do të marrë pjesë në këto zgjedhje. Disa javë para zgjedhjeve, kryengritësit në këto rajone i shtinë në dorë zyrta e votimit, asgjësuan pajisjet dhe dokumentet, rrëmbyen anëtarët e këshillave zgjedhore dhe iu kanosën atyre.

Më 24 maj 2014, dy rajonet e Ukrainës, Donjeck dhe Luganskshpallën bashkim dhe krijimin e shtetit të ri, Nova Rusisë (Rusisë së Re). Qëllimi përfundimtar i zgjerimit të këtij parashteti të ri, mbeti i panjohur.

Komandanti i forcave amerikane dhe të NATO-së në Evropë, gjenerali Filip M. Bredllov (Philip M. Breedlove, 1955-) deklaroi se Putini mbase pretendon të krijojë korridor tokësor deri edhe te një shtetet tjetër kukull,Transnistri në Moldavi, 480 km në perëndim, gjë që Ukrainën do ta shkëpuste plotësisht nga deti. Ndërkaq, lideri i vrarë i opozitës ruse Boris Njemcov pohonte se qëllimi i Putinit është krijimi i korridorit tokësor rus deri në Krime.

Kundërsulmi i Ukrainës– Në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë fitoi Petro Poroshenko me 54% të votave. Ky mori qëndrim proevropian. Publikisht premtoi se nuk do të lejojë që “lindja e Ukrainës të bëhet Somali”. Pas kësaj, forcat ukrainase ndërmorën një kundërsulm të hapur. Më 27. 06. 2014 Poroshenko nënshkroi atë që Janukoviçi, më 29.11.2013, refuzoi ta nënshkruante: Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia nënshkruan bashkërisht marrëveshje përbashkim ekonomik me Bashkimin Evropian. Këto tri shtete të cilat dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, me këtë akt bënë një hap ekonomik dhe politik që i afronte me Perëndimin. Këtë veprim të Ukrainës, Rusia e vlerësoi negativisht. Putinideklaroi se “përcaktimi i Ukrainës për rrugën evropiane, e ka ndarë këtë vend në dy pjesë dhe e çon atë drejt një konflikti të dhimbshëm”.

            Më 05.05.2014, forcat ukrainase sulmuan disa pika kontrolli të kryengritësve në afërsi të Slavjanskës. Pasoi shkëmbimi i zjarrit me minahedhës. Me sistemin tokë-ajër, kryengritësit prorusë rrëzuan një helikopter ushtarak. Më 09.05.2014, rreth 40 vetë u plagosën, ndërsa të paktën shtatë të tjerë u vranë në Mariupol, kur forcat ukrainase tentuan t’i largojnë kryengritësit të cilët e kishin marrë stacionin e policisë. Më 16.05.2014 luftimet u shkallëzuan kur kryengritësit, të armatosur me mollotov-koktej dhe me mitraloza, sulmuan kazermën lokale. Më 22.05.2014, kryengritësit sulmuan nga prita pikën e kontrollit të ushtrisë ukrainase në Blahodat, me ç’rast vranë 15 ushtarë. Për ta ndalur dhunën dhe për t’i konstatuar faktet në një kohë propagande luftarake gjithnjë më të fuqishme nga të dyja palët, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) dërgoi në lindje të Ukrainës qindra vëzhgues. Por, ndërkohë kryengritësit rrëmbyen 13 vëzhgues ushtarakë – tetë të huaj dhe pesë ukrainas. Pas zhvillimit të bisedimeve, vëzhguesit u liruan. Më 26.05.2014, kryengritësit morën përkohësisht kontrollin mbi aeroportin e Donjeckës. Kur ushtria ukrainase, me një kundërsulm e riktheu aeroportin, u vranë shumë vetë. Më 28.05.2014 kryengritësit në Slavjansk rrëzuan një helikopter ushtarak ukrainas, duke vrarë në të 14 ushtarë. Në orët e hershme të mëngjesit të datës 02.06.2014, pas luftimeve intensive që zgjatë nëntë orë, kryengritësit morën kontrollin mbi pikën e rojës kufitare në Lugansk. Po atë ditë, aeroplani ushtarak ukrainas gjuajti ndaj predhës së padirigjuar tokë-ajër në ndërtesën administrative në Lugansk, që e mbanin kryengritësit. Me këtë rast u vranë disa persona që ndodheshin në ndërtesë. Më 14.06.2014, kryengritësit në Lugansk hapën zjarr ndaj aeroplanit ushtarak ukrainas dhe e rrëzuan. Me këtë rast humbën jetën të 49 vetë – 9 anëtarë të ekuipazhit dhe 40 ushtarë.

            Më 20.06.2014, PetroPoroshenko(1965-)shpalli një armëpushim 10-ditor, me qëllim që kryengritësve që nuk kishin marrë pjesë në krime, të çarmatoseshin dhe të përfshiheshin në procesin paqësor. Kjo do të përfshinte edhe amnistinë dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e reja. Megjithëkëtë, armëpushimi kinse ishte shkelur 108 herë, me ç’rast ishin vrarë 27 ushtarë ukrainas dhe 9 civilë. Pas fajësimeve për shkelje të armëpushimit nga të dyja palët,më 30.06.2014 armëpushimi përfundoi. Si pasojë, qeveria e Ukrainës ndërmori një kundërsulm intensiv. Asnjëra nga palët nuk shfaqi vullnet publik për t’u takuar me palën tjetër, për të biseduar për paqen. Megjithëkëtë, PetroPoroshenko shprehu gatishmëri për armëpushim, po qe se do të plotësoheshin tre kushte: të liroheshin të gjithë pengjet; qeveria përsëri ta marrë kontrollin e kufirit me Rusinë, ndërsa grupet e armatosura të çarmatoseshin. Më 02.07.2014, qeveria e Ukrainës propozoi amendamente për Kushtetutën që do t’u lejonin rajoneve autonomi më të madhe dhe përdorimin e gjuhës vetanake.

Më 13.04.2014 kryengritësit prorusë sulmuan qytetin Kramatorsk, që ndodhet në veri të Donjeckës. Më 12.04.2014, militantët tentuan ta marrin ndërtesën administrative në Horlivci. Më 13.04.2014, veprimtarët e “Republikës së Donjeckës” morën ndërtesën administrative të Mariupolit. Në maj të viti 2014 konfliktet midis forcave ukrainase dhe atyre proruse u shkallëzuan.

Kalimi i konfliktit në Rusi– Më 13.07.2014, minahedhësit nga ana e Ukrainës kaluan kufirin dhe ranë në rajonin e afërt Rostov.

Rënia e Slavjanskës– Më 12.04.2014, kryengritësit morën qytetin Slavjansk. Të nesërmen filloi kundërsulmi ukrainas.Slavjanska u bëvatër e fuqishme e separatistëve në Ukrainën lindore dhe bazë e ministrit të vetëshpallur të mbrojtjes të Republikës Popullore të Donjeckës – të vetëshpallur,Girkov.

Rrëzimi i aeroplanit të Malajzisë H17– Aeroplani malajzian i udhëtarëve me 280 udhëtarë dhe 15 anëtarë të ekuipazhit fluturonte në relacioni Amsterdam – Kuala Lumpur, u rrëzua në afërsi të fshatit Hrabovë në rajonin Shahtar të Donjeckës, zonë në lindje të Ukrainës, që në atë kohë ndodhej nën kontrollin e kryengritësve prorusë. Të gjithë udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit humbën jetën. Për rrëzimin e aeroplanit, palët ndërluftuese fajësonin njëra-tjetrën. Emisari i OKB-së për të drejta të njeriut deklaroi: “mbase bëhet fjalë për krim lufte” dhe kërkoi hetim ndërkombëtar. Rusia ishte i vetmi shtet që votoi kundër hetimit të rrethanave të rrëzimit të aeroplanit. Me rastin e votimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, më 28.07.2015, për themelimin e tribunalit ndërkombëtar që do t’i gjykonte personat përgjegjës për këtë krim, Rusia ushtroi veton.

Ofensiva e Ukrainës në Lugansk dhe në Donjeck – Pas marrjes së Slavjanskës dhe të Kramatorskës, vazhduan ofensivën me qëllim që ta marrin qytetin me rreth 425.000 banorë Luganskën dhe qytetin me rreth një milion banorë, Donjeckën – vatra kryesore të separatistëve. Më 25.08.2014, separatistë prorusë ndërmorën kundërsulm dhe rimorën prej forcave ukrainase pjesë të mëdha të territoreve.

Marrëveshja për ndërprerjen e zjarrit- Më 05.09.2014 u nënshkrua në Minsk marrëveshja e armëpushimit e cila përmban 12 pika. E nënshkruan përfaqësuesit e qeverisë ukrainase, të qeverisë ruse, të OSBE-së, si dhe të Republikës Popullore të Donjeckës dhe të Republikës Popullore të Luganskës. Më 06.09.2014 parashikohej të filloni bisedimet për të arritur zgjidhjen politike të përhershme të konfliktit.

Kryetari i Ukrainës, Petro Poroshenko, deklaroi se është i gatshëm t’u ofrojë kryengritëse “status special” për pjesët e rajonit të Donjeckës dhe të Luganskës si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës ruse. Por, përfaqësuesit e RPL thanë se do të insistojnë për pavarësi të plotë nga Ukraina. Më 28.09.2014 autoritetet ukrainase rrëzuan përmendoren e Leninit (Vladimir Iliç Lenin, 1870-1924) në Harkiv.

Zgjedhjet në Ukrainë– Më 26.10.2014 Ukraina mbajti zgjedhje parlamentare në të cilat fituan Petro Poroshenko, përfaqësuesit proevropianë dhe nacionalistë. Ithtarët e Janukoviçit dhe partitë komunistepësuan disfatë. Në anën tjetër, më 02.11.2014 u mbajtën zgjedhje edhe në rajonet kryengritëse në lindje të Ukrainës, në të cilat fitoi Aleksandar Zaharçenko. Sekretari i lartë i OKB-së, Ban Ki-moon(1944-), zgjedhjet e kryengritësve i quajti “shkelje të kushtetutës dhe të të së drejtës kombëtare” për arsye se “e rrezikojnë armëpushimin dhe marrëveshjen e Minskut”. Ai kërkoi ruajtjen e tërësisë tokësore të Ukrainës.

Më 25.12.2014 Parlamenti i Ukrainës miratoi ligj të ri me të cilin ky vend e ndërpret statusin e shtetit asnjanës (neutral). Këtë akt, autoritetet ruse e interpretuan si një hap kah aderimi në NATO.

Viti 2015– Pasoi shkallëzimi i ri dhunës. Udhëheqësi i zonës së kozakëvetë Donit nga Antraciti, Nikollaj Kozicin, deklaroi se territori i grupit të tij që e kontrollon Republika Popullore e Luganskës, është bërë pjesë e “Perandorisë Ruse” dhe se Putini është sundimtar i tij.

Më 21.01.2015 Petro Poroshenko deklaroi se Rusia përsëri ka dërguar përforcime për t’i shpëtuar separatistët prorusë. Sipas tij, Rusia ka dërguar në Donbas9.000 ushtarë dhe 500 tanke.Bisedime të reja paqeje – Më 02.02.2015, qeveria amerikane deklaroi se ka ndërmend t’i dërgojë armë qeverisë së Ukrainës në mënyrë që të ndalet ekspansionizmi i kryengritësve prorusë. Sekretari shtetëror i ShBA-së, Xhon Keri (John Kerry, 1943-) u nis për në Kiev për të biseduar për këtë me autoritetet ukrainase. Për ta parandaluar shkallëzimin e mëtejmë të luftës, kancelarja gjermane Angela Merkel (1954-) dhe presidenti francez Fransua Oland (François Hollande, 1954-) ndërmorën një nismë të re paqeje me bisedimet me Petro Poroshenkon dhe me Putinin.Oland paralajmëroi se ky është rasti i fundit për t’u shmangur një “luftë e madhe”. Rusia u paralajmërua se, po qe se e refuzon edhe këtë ofertë, atëherë do t’i vihen sanksione edhe më të rënda. Pasoi marrëveshja e re e paqes që hyri në fuqi më 15.02.2015. Sipas marrëveshjes, rajonet proruse do të fitonin autonomi më të madhe, forcat ukrainase do të merrnin kontrollin mbi kufirin ruso-ukrainas, ndërsa armatimi i rëndë do të largohej nga zona e konfliktit. Përkundër armëpushimit, luftimet nuk u ndalën.

Përkundër qetësimit të situatës pas armëpushimit në Minsk, në luftime të ndryshme në lindje të Ukrainës, prej 15.02. 2015 deri në 15.08.2015 humbën jetën 165 civilë dhe 410 të tjerë u plagosën. Republika Popullore (e papranuar) e Donjeckës, në territorin që ka qenë nën kontrollin e sa, paskësh filluar të vë në përdorim pasaporta. Në dhjetor 2015, emisari i lartë për të drejta të njeriut i OKB-së publikoi raportin e dymbëdhjetë për gjendjen në Ukrainë. Aty thuhet se gjendja është kritike për shkak të hyrjes së municioneve, të armëve dhe të luftëtarëve nga Federata Ruse, në territorin që është nën kontrollin e kryengritësve prorusë në lindje të Ukrainës. Në territorin e “Nova Rusisë” (“Rusisë së Re”), fraksionet e armatosura kanë ngritur “struktura administrative” paralele.

Akuza për krime lufte– Human Rights Watch (HRW) paralajmëroi se në konflikt, që të dyja palët kanë përdorur minahedhës. Sipas raportit të OKB-së, në dy muajt e parë të kundërofensivës ukrainase, kanë humbur jetën 257 civilë, 14 prej të cilëve – fëmijë. Akuza bëri edhe Amnesty International (AI).

Në Raportin për gjendjen në Ukrainë, të OKB-së, të datës 15.11.2014, në territorin e rajoneve separatiste proruse në lindje të Ukrainës, janë shkelur të drejtat e njeriut: ndalimi i lirisë së fjalës, torturimi, burgosja e paligjshme, ekzekutime, punë e detyrueshme, dhunë seksuale, shkatërrim dhe konfiskim pasurie. HRW ka prova se në rajonin që është nën kontrollin e kryengritësve, njerëzit që e kanë mbështetur qeverinë ukrainase janë rrëmbyer, janë sulmuar, janë torturuar dhe janë keqtrajtuar. HRW thekson se Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) ka mandat të hetojë dhe të ngre aktakuzë për krime lufte të kryera pas datës 01.07.2002. Por, as Ukraina, as Rusia nuk janë anëtare të Statutit të Romës, kështu që GJPN do të kishte kompetencë ndaj këtij konflikti po qe se qeveritë e këtyre dy vendeve do ta ratifikonin statutin apo po qe se Këshilli i Sigurimit i OKB-së këtë situatë ia përcjell gjykatës.

Roli i Rusisëdhe sanksionet ndërkombëtare kundër saj, 2014 – “Të sigurojmë të drejtat dhe interesat e juglindjes ruse. Novorusia, Harkivi, Luganska, Donjecka, Odesa në kohën e carit nuk kanë qenë pjesë e Ukrainës. Pjesë të saj janë bërë jo më parë se në vitin 1920. Duhet t’i trimërojmë banorët që jetojnë atje për të gjetur zjgidhje”, deklaron Vlladimir Putini më 17.04.2014, 25 ditë para shpalljes së Novorusisë. ShBA-ja dhe BE-ja fajësuan Rusinëpër ndihmën që ua jep kryengritësve rusë në Ukrainë. Është dëshmuar se kundër forcave ukrainase kanë luftuar edhe luftëtarët çeçenë. Udhëheqësit e rebelimit separatist në Ukrainë, si Aleksander Borodaj, Vlladimir Anjufejev dhe Igor Girkin, janë shtetas të Rusisë. Sipas vlerësimeve, mbi 50% e kryengritësve prorusë në Ukrainë, kanë qenë qytetarë të Rusisë. Për këtë arsye, më 17.07.2014, ndaj Rusisë u vendosën sanksione shtesë. Më 16.08.2014, udhëheqësi i kryengritësve prorusë Aleksandar Zaharçenko pohon se ka mbërritur përforcimi ushtarak nga Rusia. Human Rights Watch thekson në raportin e vet se Rusia i mbështet forcat kryengritëse.

Roli i Amerikës– Qeveria amerikane e ka mbështetur tërësinë e tokave të Ukrainës, ndaj e ka ftuar Rusinë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri i Ukrainës. Më 14.04.2014, Kievin e vizitoi drejtori i CIA-s Xhon O. Brenan (John Owen Brennan, 1955-). Më 09.05.2014, NATO-ja i akordoi një ndihmë Ukrainës në vlerë prej 15 milionë eurosh.

Lloji i luftës – Human Rights Watch (HRW), në raportin e datës 01.07.2014 thotë se lufta në Ukrainën lindore është “konflikt i armatosur i brendshëm”. HRWthotë se ushtria e Rusisë, duke vënë Krimenë nën kontrollin e vet, “e ka zbatuar ligjin ndërkombëtar të pushtimit të atij territori”. “Megjithëkëtë – thotë HRW – Rusia nuk është përfshirë në konflikt në lindje të Ukrainës, ndaj nuk bëhet fjalë për një konflikt ndërkombëtar midis Ukrainës dhe Rusisë”.Por, më 11.09.2014 HRW e revidoi raportin, mori parasysh ndodhitë në kufirin ruso-ukrainas nga mesi i muaji të tetë dhe theksoi se “konfliktet e forcave të rregullta ruse dhe të forcave të rregullta ukrainase, paraqesin konflikt të armatosur ndërkombëtar”.

NATO konsideron se konflikti është luftë me ushtrinë paramilitare ruse. Ka të tillë që e kanë quajtur “luftë nëpërmjet ndërmjetësuesve”. Këshilli ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ndërmjetësues i të drejtës ndërkombëtare për OKB-në, ngjarjet në Donbas i përshkroi si “konflikt i armatosur jo-ndërkombëtar”. Kjo bëri që disa individë këtë deklaratë ta konsiderojnë si vërtetim se kemi të bëjmë për “luftë civile”. Kryetari i Kuvendit të Ukrainës dhe ish-kryetari i Ukrainës Oleksandër Turçinovkonsideron se “konflikti është luftë e drejtpërdrejtë e Ukrainës dhe Rusisë”.

Propaganda– Informatat për luftën në Ukrainën lindore në të shumtën e rasteve ishin propaganda e të dyja palëve. Propaganda ruse përhapte dezinformata që hidheshin poshtë nga organizatat perëndimore. Pas rrëzimit të qeverisë së Janukoviçit, HRW dëshmon se mediumet në Rusi kanë raportuar se pushtetin e ri në Kiev e kanë marrë “nazistët”. Mediumet ruse njoftojnë për kanosjet e “pushtetit të nazistëve” ndaj rusëve në Ukrainë, ndaj ata kanë nevojë për “mbrojtje” nga Rusia. Më 15.04.2014, kryeministri i Rusisë Dmitrij Medvedev(1965-)i ftoi ukrainasit “të vendosin për të ardhmen e vet pa puçistët, nacionalistët dhe banditët, pa tanke dhe mjete të blinduarasi dhe pa vizita të fshehta të drejtorit të CIA-s”. Sipas mediumeve ruse, në Ukrainë kemi të bëjmë me “agresionin e Perëndimit”. Sipas HRW, propagandae fuqishme ruse, ka krijuar mitin për “juntën fashiste” që e ka marrë në dorë udhëheqjen e Ukrainës.

Më 05.03.2014, një grup hebrenjsh të Ukrainës, në një letër të hapur dërguarPutinit, i hodhi poshtë akuzat për “fashizëm” në Ukrainë dhe për rritjen e antisemitizmit. „Neve, popullit ukrainas na kanoset pikërisht politika juaj e nxitjes së separatizmit dhe e trysnisë së egër ndaj Ukrainës.“

Konteksti– Sipas disa analizave, një pjesë e krizës i ngjishet synimit të qeverisë së re të Ukrainës që të shqitet nga sfera ruse e interesit. Marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë në shekullin XXi kanë qenë të ndryshueshme. Një pjesë e tensioneve i ngjishet planit të Putinit për ta përfshirë Ukrainën në Unionin e Euroazisë, që u krijua në vitin 2014 nga Rusia, Kazakistani dhe Bjellorusia. Me këtë rast, qeveria e re proevropiane e Kievit parapëlqeu BE-në.

Në vitin 2001, Putini i thotë kryetarit të Ukrainës, Leonid Kuçma(Leonid Kuchma, 1938-): “Po qe se Ukraina i bashkëngjitet unionit të Rusisë dhe Bjellorusisë, do të marrë gaz me çmim të ulët, por nëse sillet si një vend perëndimor, atëherë do të marrë gaz me çmim të lartë”. Kah fundi i vitit 2003 lindi kriza kur Rusia filloi ta ndërtojë digën nëpër Detin Azov, që rrezikonte ta përfshijë edhe ishullin Tuzlu të Ukrainës. Kriza u zgjidh kur Kuçma u pajtua që Ukraina të mbetet në “zonën ekonomike të përbashkët” me Rusinë. Synimi i Putinit që Ukraina të orientohet kah lindja ndikoi që ai të mbështesë kandidatin prorus Viktor Janukoviçin, madje edhe para zgjedhjeve preliminare për kryetar në vitin 2014. pas dyshimeve për rregullsinë e zgjedhjeve, u shfaqën rryma të fuqishme proevropiane. Në shenjë mbështetjeje të kandidatit proevropian Viktor Jushçenko(1954-), në Kiev protestuan rreth gjysmë milion vetë. Gjykata Supreme caktoi zgjedhje të reja, ndërsa Putini deklaroi se kemi të bëjmë me “precedent të rrezikshëm që kanoset të destabilizojë hapësirën passovjetike”. Në zgjedhjet e reja fitoi Viktor Jushçenko. Kryeministrja e re Julija Timoshenko(Yulia Tymoshenko, 1960-) deklaroi se Ukraina është e gatshme të marrë pjesë në “rripin ekonomik” rus, për aq kjo nuk e pengon vendin e saj që t’i bashkohet Perëndimit, pra Organizatës Botërore të Tregtisë, BE-së, e mbase edhe NATO-s. Në vitin 2006 Putini ia ngriti çmimin e gazit qeverisë së re të Ukrainës. Ndërkaq për Bjellorusinë dhe Pridnjestrovlen, çmimi nuk ndryshoi. Viktor Jushçenko u kanos se do t’i ngritë çmimet e bazave ushtarake ruse në Krime. Putini ia ktheu duke thënë se do ta rishqyrtojë pronësinë e tërë gadishullit.

Në Novorusi(Rusi e Re), Perëndimi gjeti paralele me ndërhyrjet ruse për të krijuar Pridnjestrovlen në Moldavi,ndërhyrjet nëOsetinë Jugore dhe në Abhazinë të Gjeorgjisë, si dhe ndërhyrjen në Nagorno-Karabah në Azerbajxhan. Sipas Perëndimit, kemi të bëjmë me  politikën e Moskës “të konflikteve të ngrira” që kurdo mund të aktivizohen, duke siguruar kësisoj ndikimin rus mbi politikën e ndonjë shteti. Kryeministri ukrainas Arseni Jacenjuk(Arsenij Yatsenyuk, 1974-) fajësoi Putinin se synon të krijojë “BRSS të cunguar” të ri. Autoritetet ukrainase fajësuan Moskën se me luftë dëshiron të krijojë Rusi të Madhe.

Ambasadori i Ukrainës në Kroaci, Oleksandar Levçenko, deklaroi se metodat e Putinitna përkujtojnë idenë eSllobodan Millosheviqit(Slobodan Milošević, 1941-2006) për krijimin e Serbisë së madhe, në fillim të viteve ’90 të shekullit XX.

Ka që thonë se qëllimi i fundit i Rusisë është të parandalojë hyrjen eventuale të Ukrainës në NATO, edhe pse NATO-ja, qysh në vitin 2008 e refuzoi anëtarësimin e saj.

“Në krizën e Ukrainës, separatizmidhe ndryshimi i kufijve duhet të refuzohen prerazi dhe të respektohen parimet themelore të OSBE-së” thotë sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanier (Lamberto Zannier, 1954-).

Numri i të vrarëve- Në tre muajt e parë të luftës, deri më 15.07.2014 janë vrarë 1.000 civilë dhe ushtarë. Më 15.08.2014 u publikua se numri i të vdekurve është mbi 2.000, ndërsa më 08.09.2014 u publikua se kanë humbur jetën mbi 3.000 vetë. Sipas raportit të OKB-së, deri në gusht të viti 2015 janë vrarë mbi 8.000 vetë, ndërsa mbi 17.000 janë plagosur. Deri në korrik të viti 2016, bilanci i gjendjes ka qenë 9.500 të vdekur dhe 22.000 të plagosur. Sipas palës ukrainase, në luftë kanë humbur jetën 15.022 vetë. Prej tyre, 1.638 ushtarë ukrainas, 7.577 ushtarë rusë dhe 5.807 civilë.

Për shkak të luftës, në Evropën Lindore u shtua rusofobia. Në janar të viti 2015, në prag të 70-vjetorit të çlirimit të kampit të Aushvicit (Auschwitz), Ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Gërzegorz Shetina (Grzegorz Schetyna, 1963-) deklaroi se njerëzit “do të duhej t’u falënderoheshin ushtarëve ukrainas për çlirimin e kampit dhe jo rusëve”. Për këtë deklaratë, Putini nuk mori pjesë në shënimin e kësaj ngjarjeje.

 

Xhelal Zejneli

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

SHBA: Shumë qytete ukrainase janë të rrethuara

Story i radhës

Ademi: Bota e ka izoluar Rusinë, ka mbetur në shoqëri të Koresë së Veriut

Të fundit nga

Përgatitjet për duelin me Rumaninë

Kombëtarja shqiptare e vajzave po vazhdon përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Rumanisë, e cila do të zhvillohet më 3 dhjetor në stadiumin “Eugen Popescu” në orën 17:00. Vajzat janë grumbulluar që prej

After Work Jackpots në Grand Casino Admiral

5 Shkup, 28 nëntor – Grand Casino Admiral, destinacioni juaj kryesor për argëtim dhe lojëra premium, i vendosur në Hotel Limak, në kompleksin Diamond të Shkupit, ka kënaqësinë të shpallë Jackpot-et e
ShkoLartë